Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

PËRBINDËSHI GRI
(Duket nga Dajti, mbi Tiranë)

Ai del vrullshëm nga tollovia e makinave,
nga luksi i veturave, me ngjyra ylberore,
me kthetrat e tymta ngjitet kaltërsive,
pluskon duke formuar kënetën qiellore.

Me grahmën e zymtë mbështjell qytetin,
me rrezatimin e errët, qiellit i zë frymën,
me perandorinë e pamatshme, sa deti
vesh edhe diellin, me qefinin e imët.

Pastaj i kthyer në blozë, përbindëshi vigan,
përqark trupit më endet e më vishet tinëz,
më ndot veshjen, qelb djersën me katran
dhe s’ka ç’i bën, as i gjithë uji i Bovillës.

Ndjej tek e kapërdij e më djeg në mushkëri,
më pushton frymën e lodhur prej mundimit.
Përbindëshi gri, hyn brenda damarëve të mi
dhe sytë m’i zbeh me avujt e turbullimit.

Nga kockat e mia, thith palcën, pak nga pak,
përzihet me gjakun, ku transformohet lënda,
më copëton mushkëritë, veshkat dhe përqark,
zbraz helmin kanceroz e më kalb përbrenda;

Ditët m’i shkurton, duke më tretur trupin,
derisa të më shndërrojë në kufomë të blozës.
Së fundi, buzët e arkivolit të më puthin,
dhe të përcillem me funeralin e nëntokës…

Të shpëtoj nga përbindëshi, nuk del garant,
as vetë bashkia, që e lejon të bëhet gjigant…

 

KUR SHOH PLAKJE NË FYTYRA

Kur shoh miqtë, teksa po plaken,
kur shoh mikeshat, tek po rrudhen,
oh, më pushton një mërzi e madhe,
më vjen aq keq, sa nuk thuhet!…

I kam parë djem e vajza të reja,
i kam parë baballarë dhe nëna,
zemra më brofte nga hareja,
kur shndrisnin kudo, nëpër bëma…

Por kur i shoh tani teksa mpaken,
fillon më ther zemra nën brinja.
Çuditem si thinjen nga bora malet,
si plasaritën fushat nga thatësira!…

Them, pse të mos na vinte fundi,
me fytyrën e rritur të pjekurisë,
të mbaheshim mend gjithëkundi,
siç ishim burra e gra të bukurisë?

Ah, moj jetë, me shndërrime mizore,
pse na shpërfytyron kaq pa mëshirë?!
Energjitë dhe mendjen na e përdore,
pse s’na lë të ikim të bukur, në fytyrë?

Frutin e bën për gjallesat, të pjekur,
kur ka arritur kohën e ëmbëlsisë,
njeriun pse t’a hajë dheu të rreshkur,
mos ta marrë me pamjen e pjekurisë?

Kur shoh miqtë, teksa po plaken,
kur shoh mikeshat, tek po rrudhen,
oh, më pushton një mërzi e madhe,
më vjen aq keq, sa nuk thuhet!…

 

MILITANTËT EKSTREMISTË

Është tjetër të kesh bindje politike
dhe tjetër të jesh militant ekstremist.
Bindja është lidhje qëllimesh fisnike,
militanti është servil maniak i partisë.

Militanti shkon pas turmës verbërisht,
me simpatinë e tij për liderin kryesor,
Kurse bindja te kauza vendosmërisht,
ka qëllim unitetin, me interes shoqëror.

Militantët kanë interesa pragmatiste,
të sigurojnë vend pune, ose privilegje,
thërrasin “Urra! Urra!, për tregti pise,
të gatshëm gjithmonë me lepe, peqe!…

Ndërsa të bindurit te kauza e madhe,
diskutojnë probleme, kritikojnë gabime,
si të bëhet më mirë, si të zgjidhen halle,
për jetë më të begatshme dhe liri fryme.

Militantët i prishin punë popullit sovran,
për idhullin, përplasen me kundërshtarë,
të zgjatin kohën e sundimit diktatorial,
blejnë vota dhe derdhin fonde në sirtarë,

Teksa popullin e bren varfëria dhe emigrimi,
militantët lënë gjendjen në të njëjtin moçal,
të rriten gjarpërinjtë, të stimulohet krimi,
të bëhet pasuria e korrupsionit sa një mal.

Ndaj them, me gojën e qytetarit asnjanës:
Është turp dhe mëkat për shtresat e mjera,
të sundosh me militantët dhe matrapazët,
të cilët kthehen shpesh, andej nga fryn era!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s