BEDRI MYFTARI QË NA MUNGON / Nga: Prof. Dr. Resmi Osmani

BEDRI MYFTARI QË NA MUNGON

Shkrimtari, poeti, publicist dhe veprimtari shoqëror e politik  Bedri Myftari, erdhi ne jete në 23 dhjetor 1938, ne fshatin Sklav të Çamerisë dhe iku nga jeta, më 8 nentor 2013 ne Tiranë. Po ti lidhësh me një drejtëz, ditardhjen dhe ditikjen nga jeta në dimërat e të dy viteve, segmentet që përbëjnë 75 vitet e jetës së tij,në aritmetikën e tyre, kamë më shumë dimër,  të ftohtë dhe acar, mjegull e furtuna dhe   më pak diell e ngrohtësi, oh sa pak ditë të bardha dhe ca më pak lumturi, nëse ajo mund të quhesh e tillë.

* * *

Fëmijëri e vështirë. Që gjashtë vjeç, tok me prindërit, të ndjekur nga plumbat zervistë, marrin arratinë për në Shqipëri, vendosen në Fier. E kam në sy si sot.Fieri asohere ishte qytet i vogël dhe ne të komunitetit çam e njihnim njeri-tjetrin. E shihja kur shkonte në shkollë, me veshje të sajuar që i lozte në trup, një çantë beze për librat, i zbehtë nga kequshqyerja si gjithë ne të tjerët, me flokë të tallazitur, por sytë të kthiellët, të qeshur, me dritë e qartësi. Kur mbaroi shtatvjeçaren prindërit u transferuan në Tiranë. Bedriu hyri në teknikumin Financiar.

 * * *    

Mosha e artë e rinisë. Ndjeu që brenda shpirtit, mendjes dhe zemrës i  gurgullonin këngët, poezia, ato kerkonin të shpërthenin ,të delnin jashtë tij, të fitonin qytetarinë dhe tu flisnin njerëzve me bukurinë e artit, ndjeshmerinë e shpirtit, lirizmin, me zërin e jetës,   mënçurinë e mendimit, tu rrëfente se jeta është e bukur dhe si e tillë ajo duhet jetuar.I ulur para letrës së bardhë, ai ndjeu magjinë dhe bukurinë e të rrëfyerit.Shkroi tregimet e para. Në to ishte shkrimtari i ardhshëm që premtonte. E punësuan në gazetën “Zëri I Rinisë”, të kësaj kohe, në gjysmën e dytë të viteve 60-të, janë dy vëllimet me tregime:”Fluturzat e bores”,1967 dhe”Mbrëmjet e qytetit tim”1969, që u vlerësuan me çmimet e dyte e të tretë në konkurset kombëtare. U pranua antar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqiperisë”.U konsiderua si një ndër talented premtuese nga brezi i ri i prozatorëve.

*  *  *

Ata ishin një grup të rinjsh, entuziastë, të talentuar, që i bashkoi dashuria e përbashkët për artin, për një art ndryshe, të ri, si në formë dhe përmbajtje,të lirë,me frymëmarrje të gjerë, që t’i fliste zemrave njerëzore me bukurinë e fjalës dhe transmetimin e mendimit për lirinë dhe dashurinë, të çliruar nga dogmat dhe vargonjtë e realizmit socialist zyrtar e të detyrueshëm, me të vetmen alternativë: ”ose me ne, ose kundër nesh”. Bilal Xhaferri, Suzana Selenica, Roland Gjoza, Kristaq Dhamo, Sadri Ahmeti, Namik Mane, Zyhdi Morava, mblidheshin në shtëpinë e Bedriut në Laprakë ,diskutonin lirisht deri natën vonë, ekspozonin mendimet, pohonin dhe kundërshtonin, jepnin ide, bënin vrejtje, recitonin dhe lexonin krijimtarinë e tyre, shpallnin një konkurs të brendshën se cili krijim do të ishte më i miri. Entusiazëm dhe vrull rinor, i nxitur nga talenti dhe frymëzimi.

Syri i ciklopit të Sigurimit të shtetit vigjëlonte, veshët e tij përgjonin. I pari, pas nje diskutimi në Lidhjen e Shkrimtarëve, u godit Bilal Xhaferri , që u syrgjynos në baltërat e kënetave të durrësit.Më pas erdhën arrestimet. U stis “Grupi i të rinjve kundër partisë në art dhe letërsi” Kryetar i këtij gjoja grupi armiqësor, u shpall Bedri Myftari. Pas hetimeve të zgjatura e nën torturë, erdhi gjyqi farsë dhe dënimi me burg.Të gjithëve u hiqej e drejta e botimit për njëzet vjet. Ai përjetoi ferrin e burgut dhe kampeve të punës.

Pasburgu, ishte një vijëmësi e atij dënimi që do ta ndiqte çap pas çapi, një burg pa mure, por gjithsesi burg me mungesën e lirisë, e ndiqte pas kudo hija e sigurimit të shtetit. Trupdrobitur e me shëndet të shkatrruar punoi punëtor krahu në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës, në të ftohtit e acartë dhe zhegun përvëlues, i parë shtrembër, me damkën e armikut të pushtetit. Kur u transferova me punë në Tiranë, qëllonte që ta shihja.E njihja për fytyre, e dija kush ishte ,por s’njiheshim për së afërmi. I vetmuar, i heshtur, shtatimët, ecte i menduar per kushedi se ku. Më dhimbsej. Lirinë e të menduarit s’ia hiqnin dot, kurse ate te botimit, ia kishin hequr per 20 vjet!Por më të rënda se plagët dhe dhimbja  e trupit , ishin plagët e shpirtit.

 * * *

Ra muri i Bertlinit. Uragani i lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, rrëzimi i komunizmit. Edhe pse kishte hyrë në moshën e tretë, për Bedriun nis një rini e dytë.Thithi me gjithë mushkritë ajrin e lirisë, ndjeu ti përtëriheshin forcat, dëshira për jetë dhe për të qënë shoqërisht i dobishëm u bë forcë dhe nxitje për tu përfshirë në proceset e reja të transformimit.Iu kthye gazetarisë, në gazetën ”Kosova” kryeredaktor në “Tribunën demokratike”, kryeredaktor në “Bota shqiptare” dhe i gazetës”Çamëria” erdhen një varg shkrimesh ne fushën e publicistikës. E ndërkohë, nga burimi i pashterrshëm i talentit si një ujvarë rrodhën krijimet e tij të një pas njëshme. Në harkun kohor 1994 – 2007, panë dritën e botimit katër romane, tri libra me poezi,dy vëllime me përralla, vëllimi me trgime dhe një tjetër me novella. Për vlerat,artin e të shkruarit, tematikat e trajtuara në prozë, bukurinë mahnitese dhe lirizmin e poezive, fantazinë dhe mesazhet e përrallave, duhen studime të veçanta, që besoj se kritika letrare me kohë do t’I bëjë objekt të saj.

Si bir i Çamërisë martire, Bedriu e ndjente si detyrim shpirtëror, moral e qytetar që t’i kushtohej kauzës së çështjes çame dhe pranoi të vihej në krye të “Shoqatës Atdhetare Patriotike Çamëria”ku dha ndihmesë të çmuar për popullarizimin dhe ngjalljen e shpresës së komunitetit çam për realizimin e aspiratave të tyre.

*  *  *

E quajtura mosha e tretë. Pensioni. Një tryezë në kafen e hotel Tiranës. I veshur me sqimë:Kostum,kwmishw e bardhw, kravatw, përherë i rruar. Personeli e dinte që ajo ishte tryeza e Bedriut. Rrall mungonte. Filxhanin e kafes përpara, gazetat e ditës dhe blloku i shënimeve. Aty asnjëherë i vetëm. Shokë e miq nga Çamëria, të njohur, shkrimtarë e artiste,Bedri Alimeti, Qazim Shehu etj. Biseda miqsh për artin, për poezinë. Këmbeheshin batuta, hidh e prit, Bedriu kishte humor të hollë e të këndshëm. Kësaj tryeze, në vitin 2010, me raste,iu bashkova edhe unë. I dhurova librat e para. I lexoi dhe më përgëzoi, veçanërisht për romanet historikë. Duke vlerësuar dhe besuar në talentin dhe gjykimin e tij artistik,iu luta të shqyrtonte dhe redaktonte tregimet e mia të bërë gati për botim. Ishin njëzet e pesë tregime. I lexoi me laps në dorë, për secilin dha vlerësim dhe bëri shënime në faqen e fundit, të cilat i reflektova. Ato shënime, i ruaj si një relike  e kujtim të tij dhe i kam bërë publike në një shkrim të veçantë.

Më dhuroi me autograf tre nga romanet e veta dhe dy vëllime me poezi. Ai se kishte zakon të fliste për vete, për ato që kishte hequr, rininë e vrarë dhe jetën e gjymtuar. Kur më dha librat, më tha mendueshëm: “lexoji, aty jam unë.”

Iku papritur e pa vuajtur,nga një goditje në zemër, ndaj të gdhirë të 8 nëntorit 2013. Lajmin ma bëri të ditur me një telefonatë Enver Kushi. E përcollëm me dhimbje për në banesën e fundit. Ishte nje ditë me diell.

Prehu ne paqe te amshuar, miku ynë, ne që të njohëm nuk të harrojmë.

     Tiranë,më 6 nëntor 2019   

*  *  *

    Krijimtaria e shkrimtarit Bedri Myftari.

Fluturzat e borës, tregime, 1967

Mbrëmjet e qytetit tim, tregime, 1969

Kronika e vdekjes, roman, 1994

Rojtari I varrezës, roman, 995

Ti je Eva, poezi, 1996

Dashuria e parë, tregime, 1997

Pranvera që s’kthet më, poezi, 1999

Bardh e zi, publicistikë, 2000

Dashuria fatale, publicistikë, 2000

Përralla, 2004

Vajza e rojtarit të pyllit, përralla,  2003

Zonja e ambasadorit, novela, 2006

Simfonia e erërave, poezi, 2006

Pas Kasta Divës, roman ,  2007

 

Prof. Dr. Resmi Osmani

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s