Në vend të parathënies (Parathënie e vëllimit poetik”Propamë Ndjenjash” e autores Alma Jaku) / Nga: Preç ZOGAJ

Në vend të parathënies

(Parathënie e vëllimit poetik”Propamë Ndjenjash” e autores Alma Jaku)

Si e dallojmë që një ligjërim me vargje të rimuara, me asonanca apo të lira është poezi, art? Përkufizimet ndihmojnë, por deri në njëfarë pike. Në fund mbetet ajo që thotë një kritik i njohur amerikan se “unë nuk e di ç’është poezia, por mund ta veçoj atë me saktësi nga një grumbull me letra të shkruara”. Me fjalë të tjera, poezia është ajo që ndihet si e tillë.

Poezia e Alma Jakut ka pikë për pikë këtë identitet: ndihet, përjetohet, kumbon, shndrit si poezi e mirëfilltë, origjinale. Nuk vjen qartazi nga ndonjë shkollë e rafinuar poetike, sado që në tingullin e saj ndihen kadencat e poezisë së Ndoc Gjetjes dhe jehona e largët e leximeve spontane të autorëve të ndryshëm. Por është burimore, spontane, e lindur, biopoezi, nëse përdorim një përngjitje të kohës së sotme; vjen nga thjeshtësia, ndjeshmëria dhe vetëdija estetike e shekujve, nga gjuha e përpunuar e traditës, me të cilën i është kënduar dashurisë dhe bukurisë, nga një shpirt dhe mendje e shënuar për të kapur dhe për t’u dhënë shprehje me vargje “ndodhive” me përmbajtje artistike në jetën që na rrethon. Në poezinë e Almës ka shumë dritë dhe ndjenjë; drita ngjan të jetë boja e tyre e artikulimit para hedhjes në letër. Ato lindin dhe ekzistojnë për të kënaqur pikësëpari vetë subjektin krijues, pastaj lexuesin e tyre. Të prarojnë, të prekin, të pastrojnë e pasurojnë shpirtin. Kjo është e bukura, sinonimja e artit.

Alma Jaku

Por nuk mbaron këtu. Një risi tepër mbresëlënëse në poezinë e Alma Jakut është avancimi në trajtimin e temës së madhe të dashurisë me sytë e gruas. Në këtë aspekt poetja sjell detaje, fokusime, këndshikime, dëshmi dhe përjetime te reja, origjinale, që thyejnë korniza dhe tabu, që bëjnë që gruaja të flasë më shumë nga ç’ka folur deri me sot për “shpikjen e mrekullueshme”, siç e quan poeti i madh izraelit Jahuda Amihai aktin e dashurinë në çift. Kjo na krijon mundësinë ta shohim dashurinë dhe efektet e saj të gjithanshme shpirtërore dhe fizike me sytë e saj. Është një simfoni që ka nisur me kohë dhe njeh poetesha me emër të madh në botë dhe në Shqipëri. Alma e zgjeron rrezen tematike dhe sjell risi shumë interesante në këtë rravgim me vlerë. Avancimi që përmenda më sipër është një hap në tokë të pashkelur, që shpresojmë e urojmë të pasohet me hapa të tjerë dhe me një thellim të ri në nuancat e temës së madhe të dashurisë. Në këtë përpjekje limitet janë prapa. Eksplorimi me sytë e saj mbetet një rezervë e madhe e artit poetik e më gjerë. Varet prej Almës nëse do të jetë një prej firmave të rëndësishme në këtë eksplorim artistik.

 

Preç ZOGAJ

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s