Poezi nga Vangjel Diamanti (1946 – 1997)

Poezi nga Vangjel Diamanti (1946 – 1997)
 
 
***
 
Dolën mësueset në rrugë përsëri,
Me një brengë të madhe mbi vete,
Sivjet do të kenë shumë vështirësi,
Ndaj do t’u duhet,
Që sandallet e sheshta,
T’i këmbejnë me atlete.
 
Kur të mbrrijnë në shkollë,
Do të shohin shkreti;
Shqepur, prishur e thyer gjithçka,
Ndaj atyre do t’u bjerë mbi sy,
Një tronditje me përmasa të mëdha.
 
E kur të vijnë nxënësit;
Dhimbje përsëri,
Do t’u zbehet prapë shpirti i tyre i butë,
E si të shkojnë klasë më klasë,
E shtëpi më shtëpi,
Do të mblidhen prapë të hutuara.
Plot brengë e mërzi:
Ku janë këta, nxënësit e mi?
Po ata janë larg,
Kanë marrë rrugë e dete,
Dhe sado të bëjnë mësueset e mia,
Kurrë s’do t’i arrijnë,
Ndonëse i këmbyen sandallet e sheshta
Me atlete.
Në rrugë mësueset dolën përsëri,
Presin sinqerisht të shkojnë në shkollë,
“Ato të thjeshtat deri në madhështi”.
 
 
 
 
***
 
Ç’paske çelur, moj lofatë,
qenke mbushur lule fund e majë,
po s’je zbukuruar o e ngratë,
edhe pse je shndërruar në lulnajë.
 
Se askush s’i do lulet e tua,
Fruta s’bëjnë, s’bëjnë as për buqeta,
Edhe unë që shkruaj nuk të dua,
Ty s’të vlen as druri dhe as fleta.
 
Eh, të kishin lulet pakë aromë,
Dhe tre katër kokrra nëpër fletë,
Edhe ti do të ishe pemë – zonjë,
Edhe zogjtë do bënin foletë.
 
Po ti prapë rritesh ku do fati,
Trungu shtrembër, degët gjithë shtremba,
Dhe s’të bren as brenga, as inati,
Je e mirë, të paktën nuk nxjerr gjemba.
 
 
 
DET, O DET, TI NGJAN ME MUA
 
Perënduan yjt’ e natës, ca në det e ca
në qiell,
Flakëroi majë e malit, vrik mesnata
zu të ngrihet,
Dallg’ e fundit si me frikë ndanë bregut
vete fshihet,
Qan’ shkembinjt’ që rrahu vala,
tej mbi mal këndon një fyell.
 
Heshti deti ra në gjumë, në agimin e praruar,
Por një çast fle deti i gjerë dhe sërish fillon
të ziej,
Ngrihen dallgët e furishme madhështore,
gjer në qiell,
Det, o det, ti ngjan me mua, or’ e çast
i shqetësuar.
 
 
 
***
 
Çelën bajamet e para, gjithmonë,
Më parë se gjithë pemët e tjera,
Pakëz diell i ngrohtë u mjaftoi,
Të gënjehen bajamet, si thonë.
 
Po s’vutë mend moj bajame të bardha,
që çelni vit pas viti në janar,
E papritmas ua vret bukurinë,
një dëborë, apo thjesht një acar.
 
Oh, jo , natyrisht ju s’gënjeni,
S’i thonë për ju, padyshim,
S’ju ngop bukuria që keni,
Ndaj zgjidhni të dimrit shkretim.
 
Që të çelni mrekullisht në vetmi,
Se vetmia ua shton bukurinë,
Paçka se mund t’ju vrasë një borimë,
Paçka se mund t’ju shkundë një suferinë.
 
 
 
SHTËPIA IME E VJETËR
 
Qindra herë kam ardhur tek shtëpia ime e vjetër
Dhe të gjitha herët
Me kënaqësi.
Por sot s’gjeta asnjeri,
Veç dorezën tek vendi i vjetër!
Hyra brenda dhe piva një raki
Dhe fill e mbylla derën e shtëpisë së zbrazur
Duke u larguar me lotë të hidhur stuhi.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s