Poezi nga Enertin Dheskali
DO MË KUJTOSH
Sa herë të trembesh në gjumë, do më kujtosh,
Sa herë zëri im do të nanurisë ndjenjat,
Nëpër netët e mbushura me vetmi, kur të vraposh,
Kapur përdore, kur të të përndjekin ëndrrat…
Sa herë të prekësh librat e mi, do më kujtosh,
Nëpër vargje do të dridhet zemra nën lotë,
Sa herë të shohësh fotot tona, do të mendosh,
Si i lejove djallëzinë të na ndante aq lehtë…
Sa herë të kujtosh vështrimet plot ndjenjë mbi ty,
Sa herë dorën të ndiesh mbi trupin e dëshiruar,
Do të rreshtohen mbi shpirt ngashërimat si stuhi,
Do kuptosh si më vrave, e do heshtësh e vetmuar…