Sorkadhja / Tregim nga Agron Shele

Sorkadhja

 

Tregim nga Agron Shele

Ishte vjeshta e tretë dhe gjahtari hodhi çiften në krah e u ngjit monopatit lart. Bënte ftohtë e fërkonte duar herë pas here, për të ngrohur duart! Frymëmarrja ishte e dukshme e ngjante me shtëllungat e tymit të cigares që humbiste më pas në atë tis mjegulle të bardhë, e cila përhapej rrëzës së malit. Qentë me gjuhën jashtë nga lodhja pas vragës së gjurmëve dihatnin para këmbëve të tij. Asnjë shenjë ose gjurmë gjahu, veç ndonjë fluturim shpendi të egë, që rrihte krahët e humbiste mes lisave, tashmë të zhveshur dhe pasqyruar në brazdën e borës së parë. Mori frymë thellë dhe vuri re zgavrën e një shkëmbi që stërzgjaste nga majat e akullta, ngrirë si qirinj. Mblodhi disa shkarpa të thata dhe u mbështet rrëzë shkëmbit. Nxorri urorin, mori dhe një gur stërralli nga toka e ndezi eshkën. Flaka me gjuhët e saj filloi të kërciste, shenjë kjo që dimri që po vinte do ishte edhe më i ashpër. S’ harroi të mbushte dhe çibukun e ta ndizte. Shija e duhanit i dha tjetër aromë atij bregu, aq sa ai ndjeu fërgëllim e kënaqësi. Beftas qentë u lëshuan vrikthi dhe humbën pas bregut. Fillimisht nuk u shqetësua, sepse donte të shijonte ngrohtësinë por dhe duhanin që në këtë të ftohtë i jepte një kënaqësi tjetër. U afrua më afër zjarrit, trupi mori nxehtësinë e duhur, aq sa u harrua për pak çaste në mjegullinë e mendimeve, por dhe të kujtimeve që ndante thuajse me çdo gëmushë apo shpellë të kësaj ane. E lehura e qenve të gjahut u bë më e fortë Nuk i tingëlloi me ndjekjen e ndonjë lepuri të egër, ose ndonjë derri të vetmuar që rëmonte rrënjën e ndonje lisi për të kërkuar ndonjë lëde poshtë brazirës së parë të borës. Qentë u kthyen të frikësuar, panë të zotin në sy, morën zemër e u turrën sërish lart. Diçka e pazakontë po ndodhte. Mbushi çiften dhe mori bregun më të lartë për të vrojtuar më mirë. Kaloi zhavorin e bardha, që pushtohej nga rrepe shekullorë, të cilët herë përshkoheshin nga uji i ftohtë akull, e herë humbisnin nën shushurimën e tyre dhe nisi të vështronte rreth e rrotull. Asgjë nuk dëgjohej. Dhe lehja e qenve tashmë ishte zbehur dhe atij më shumë i duhej të orientohej pas gjurmëve të freskëta të tyre, intuitë kjo që e bënte të shkonte në drejtimin e duhur. Arriti në një sheshollog, që kishte një gur të veçuar, i cili shërbente si pikë vrojtimi, ndësa më në veri fillonin honet e malit dhe bredhat që i qepeshin duke krijuar atë dendësi, ku çdo gjë përhumbte dhe nuk mund të shikoje më asgjë, përfshi që këtu niste dhe filli i mjegullës e i qepej kreshtës së thepisur. U ngjit me vështirësi në gurin e murrëtyer e veshur me myshk dhe fishkëlleu. Tingulli jehoi luginës. E lehura e qenve u bë më kumbuse dhe më së fundi ai shquajti qentë e tij, që kishin zënë vend në krye të një brinje dhe nuk po lëviznin nga vendi! Zbriti e u drejtua me shpejtësi në drejtim tyre. Ata kur shquan pranë tyre të zotin u bënë dhe më të papërmbajtshëm, por sërish nuk e kapërcenon rrethin në të cilin qëndronin. Vetëm ariu mund ti ndalte në vend qentë, por dhe ai kishte dekada të tëra që nuk ishte hasur më në këto vise, kështu që kërshëria se çfarë mund të ishte e shtyti më përpara. Kontrolloi çiften dhe si u sigurua se arma ishte e mbushur u afrua lehtas të shikonte se çfarë por ndoshte në rrëzën e trungut të panjës, rrethuar nga shkoza e dendur. Tre ujq vazhdonin të coptonin prenë e tyre, ndërsa qentë e tij nuk guxonin ta kalonin gjysëm rrethin e krijuar. Ai briti fort dhe qëlloi me çifte në ajër. Krisma e thatë e bëri punën e saj, aq sa ata e braktisën prenë e u zhdukën nëpër pyll, ndërsa vendi përreth përskuqej nga gjaku. Qentë u afruan, së fundi ndërprenë lehjet e u ulën në bisht, ndërsa gjahtari vështroi sorkadhen e plandosur në tokë. Këmbët e pasme ishin të pa parekura kështu që ai mund të merrte pjesën e tij, së paku për të siguruar vaktin qenve që e shikonin gjithë ndiçim në sy. Nxorri thikën nga këllëfi dhe sapo ajo takoi në mish, një blegërimë e ngjashme me të një keci i ngriu duart. Qentë u ngritën në këmbë dhe u bënë gati për tu turrur, por thirrma e tij, i bëri që të bëheshin njësh me tokën. U ngrit në këmbë dhe u afrua me kujdes drejt saj. Qetësia e krijuar, i kish dhënë zemër më së fundi sorkadhes së vogël, aq sa ajo të dilte nga vendi i fshehur. Gjahtari u afrua, e mori në krahë, ndërsa rrahja e shpeshtë e zemrës së saj thuajse u qetësua. Si ndjeu ngrohtësinë dhe mbrojtjen e gjahtarit u tulat në krahët e tij. Zbritja e muzgut ngadalë dhe fishkëllima e erës së ftohtë që priste si brisk e përmbylli atë ditë, ndërsa ai po i afrohej shtëpisë. Shtyti ngadalë derën, thua se mos zgjonte sorkadhen e vogël dhe padashje e shtynte në ato momente të krisura ku ujqërit turreshin si bisha, për të coptuar çdo gjë që u dilte përpara. Hapi derën e plevicës, e uli me kujdes dhe e tërhoqi pas vetes. E shoqja u çudit me veprimin e tij, e ndoqi në heshtje dhe nuk e pyeti për ditën se si e kishte kaluar. Edhe ai nuk kishte dëshirë të fliste për atë që kish parë e i kish ndodhur, kështu të mirëkuptuar edhe pa folur, ai shkundi këpucët e rënda nga bora dhe hyri brenda.

***
Pranvera erdhi e bukur, mbushi me blerim lëndinat që shtriheshin poshtë malit ndërsa honet e thepisura ushtonin nga ujërat e kristalta, të cilat herë shfaqeshin e herë humbisnin nën zhavorin e bardhë. Edhe lëvizjet e sorkadhes së vogël ishin bërë më të gjalla e më të zhdërvjellta në nomenë që mbushej me kecërr. Ajo dallonte mes tyre jo vetëm nga madhësia e ngjyra, por dhe nga kërcimet e saj elegante. Gjahtari po e sodiste me vëmendje, atë vrap të harbuar rreth asaj lirishte që i krijonte rrethimi i vathës dhe diç po bluante. Ajo sikur ta kishte kuptuar përqëndrimin e tij ndaloi vrapimin dhe e veështroi në sy. Ndoshta të dy po shikonin njëri tjetrin në sy dhe kjo nuk ishte përballje e zakonshme. Fare pak çaste parakaluan para memories së tij; ato sekuenca të atij prag dimri, ku ujqërit kishin coptuar nënën e saj dhe atij i duhej ta ushqente me qumësht për gjatë gjithë dimrit që ajo të rritej e të vallzonte sot. Por prapë në syrin e saj kishte një pikëllim. E kuptonte fare mirë dëshirën dhe ëndrrën e saj për të harbuar sërish vrikthi lëndinave që shpërthenin në blerim dhe ujërave që vraponin hazdisur drejt lumit. Ndoshta ky mund të ishte dhe pikëtakimi i tyre i fundit ose përshëndetja për të ndarë rrugët që dikur i kishin bashkuar; Ajo tashmë ishte e fuqishme dhe do të rendte sërish drejt asaj jete që e bënte të ndiehej më e lirë se vetë liria. Ishtë një përballje që atë e vendosi në sikëlldi dhe po e përjetonte vërtët rëndë. Pastaj ai vuri re një pikë loti në syrin e saj të stërmadh. Nuk e përmbajti dot më veten, pasi në thellësi të shpirtit dhe ai qante bashkë me të. Ndoshta ishtë mallëngjimi i asaj periudhe që kaluan bashkë dhe se tashmë kish ardhur momenti që të ndaheshin. Nuk zgjati shumë ky çast. Loti i saj nuk përshkoi faqen e njelmët të sorkadhes, por peshoi si gur në thellësinë e zemrës së tij. U afrua më pranë dhe hapi derën e drunjtë, që të mund të dilte e të shijonte atë që i kish munguar më së shumti. Ajo u shkëput me vrull e doli. Kërceu për disa metra dhe pastaj ndaloi e ktheu kokën pas. Edhe gjahtari përkuli kokën me nderim, pastaj hoqi armën nga supi dhe e mbajti para duarve, si shenjë që do hiqte dorë nga gjahu. Qentë kishin zënë vend pranë tij e nuk bënë asnjë lëvizje, por veç shikonin ritualin që ata s’ mund ta kuptonin kurrë. Sorkadhja përkuli dhe njëherë kokën në shenjë nderimi dhe thuajse fluturoi lëndinës që dukej se për të nuk do të kishtë kurrë mbarim. Ishte lëndina e lirisë së saj që flinte për mijëra vjet poshtë këmbëve të malit dhe ushqente dëshirën për të rendur e rendur drejt madhështisë dhe bukurisë së egër të natyrës.

Sheshollog – zebel – shesh i vogël mes pyllit

@sheleagron

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s