Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Rrahje vjeshte

Vjeshtës ia lashë zemrën,
(Në fakt ma ka vjedhur,ka vite),
Vë veshin dhe dëgjoj çdo rrahje të saj,
Shpirti çdo vit i regëzon ndryshe.

I marr një e nga një gjethet e rëna,
Nga të dyja anët i kthej me ëndje,
Çdo nerv i zverdhur më duket i njohur,
Më kujton rrugëtimet e mia të jetës.

Im bir më ndjek çdo lëvizje,
Çdo gjethëz që shoh me vëmendje,
Mos vallë ngjason me mua,
dhe e lexon jetën e kësaj gjethëzeje?

…ma ka ënda të më ngjajë
e të m’i lexojë gjërat e shpirtit tek e padukshmja…

 

Ç’të bëj me ty?

Ndihem e dorëzuar,
sepse ti, vrullshëm ma merr zemrën
e ma vë nën jastëk.
“Fli”- i thua.
E vetë shtrihesh mbi ndjenjat e mia.

Unë, për çudi
edhe pse zemra
pulson jo në shtratin e saj,
nuk vdes,nuk ulëras nga dhimbja,
sytë pulas me dëshirë
e kokën vë
në po të njëjtin jastëk erëmirë.

I ndjejmë të dy
pulset e zemrës sime,
duart shtrëngojmë
të bërë gërshet
krejt të lumturuar
për ëndrrat që na presin.

Nuk kam fuqi
të kthehem në anën tjetër
e të ta kthej shpinën.

Ç’të bëj me ty? Më thuaj!
Ti më prangos
me prangat e shpirtit
e më vë të fle në jastëkun e ëndrrave.

“Fli”, – më thua,-ëndrrat të mbajnë shpirtin gjallë”…

 

Nganjëherë…

më duket kaq e vogël bota,
sa më ngjan
me një imazh varkëze në det
tek ikën duke u lëkundur thellësive.

Nganjëherë
dita më duket kaq e shkurtër
sa një e qindëta e sekondës.
Ia vlen të jetosh çastet e bukura.

Nganjëherë
ëndrra më duket kaq boshe
sa duhet një shtatzani shpirti
të m’i rrëmbushë skutat e zbrazëta.

Eh,
nganjëherë të gjithë bëhemi të vegjël,
zvogëlohemi në sytë e njëri- tjetrit
e prapë njëri- tjetrin e rrisim në vite.
Mësojmë nga gabimet tona
e gabojmë nga të njëjtat mësime.

Janë gabime të vetëdijshme,
që edhe pse do që t’i shmangësh,
nuk mund.
Digjesh në detin e tyre
si një flakëz e brishtë qiriri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s