TURBO ARDIAN DHE STANDARTI SHQIPTAR PËR EVROPËN / Nga Shpend Sollaku Noé (Botuar në gazetën “Dielli”, New York

TURBO ARDIAN DHE STANDARTI SHQIPTAR PËR EVROPËN

 

Nga Shpend Sollaku Noé (Botuar në gazetën “Dielli”, New York

Nëse do të praktikohej hyrja në Evropë edhe për persona të veçuar, me siguri ndër të parët që do të pranohej do të ishte Ai. Jo vetëm si drejtues i Adminstratës së Zonave të Mbrojtura për qarkun e Fierit. Ai do të bëhej qytetar i Evropës sidomos për atë lloj burri që është: përfaqësues i denjë i një race në zhdukje e sipër: atë të shqiptarëve të vërtetë; mishërim modern i atyre që japin maksimumin në detyrë, në shoqëri, në familje.
Ky ekzemplar i rrallë quhet Ardian Koçi.
Fizikisht duhet të ketë zbritur në Myzeqe nga Eposi i Kreshnikëve. Ai epos atij e ka dhënë jo vetëm portretin dhe shtatin, por edhe dëshirën për të luftuar, për t’i shkuar betejave deri në fund, edhe kur si çmim për t’u paguar është dhimbja, zhgënjimi, sakrificat edhe të familjes së tij, për të cilën do të ishte e padrejtë të heshtje.
Kjo përshtypje lind e të forcohet kur e sheh këtë myzeqar tipik të shtyjë barkën me palluq nëpër Strugën e Zezë apo edhe në Lagunën e Karavastasë, ndërsa fik motorin për të mos shqetësuar faunën përreth. Asgjë nuk i shpëton atij shikimi, as barkat abuzive, as ndonjë brakonier, as edhe të fundmit pelikanë të mbetur mes ujrave të përgjumur, Lena dhe Kovi, që Ardiani ynë i njeh me emër.
Ky gjigand i mirësisë e ka kuptuar prej kohësh thelbin e të qenit evropian: të dish të nxjerrësh në pah, edhe i vetëm, zgjidhjen e duhur; të mos mbetesh në pritje të ndihmës së tjetrit i palëvizur. Prandaj shpesh bën vetë edhe drejtorin, edhe shoferin, edhe varkëtarin, edhe vrojtuesin. Vetë kryen hulumtimet me dron, vetë shkel edhe atje ku një i zakonshëm nuk do të merrte guximin. Vetë veteriner, vetë agronom, vetë polic, vetë studiues, vetë Ciceron… Sidomos kur bashkëpunëtorët më të afërt janë të zënë me detyra të tjera. Dy prej tyre arrita edhe unë t’i njoh kësaj here, në ato dhjetë ditë të kaluara në Parkun e Divjakës. Quhen Astrit Jolla dhe Elton Daka. Djem të rrallë.
Ardian Koçi, bashkë me ta janë kthyer në një makinë që nuk i mbetet kohë të mirëmbahet. Falë brumit të veçantë prej të cilit janë gatuar, ata rezistojnë. Pasi e dinë: e ardhmja nuk mund të pararendet me lokomotiva të Stefensonit të 1829-ës. Ata vetë janë kthyer në E.464 të sotme, pasi vetëm me një fuqi prej 200 kilonjutonësh mund të vihen përpara spekulatorët dhe skeptikët, mafiet dhe politikat e korruptuara që promovojnë projekte qiklopike të superbetonit.
Që prej kohës së emërimit të Ardianit fillimisht si drejtor i Pyjores së Lushnjes, shifrat e pozitives në rritje janë marramendëse. Vetëm vizitat e turistëve të huaj janë shtuar rreth 50 herë. Shifra mjaft të rëndësishme gjenden për ripopullimin e zonës me specie të rralluara apo në rrezik zhdukjeje të faunës e florës; në zvogëlimin drastik të prerjes së pyjeve; në lindjen e Qendrës së Vizitorëve – ide e vetë Ardianit –.
Në pyll dhe në elementët e tjerë të parkut ekzistojnë tashmë edhe emra të rinj të toponomastikës, si i porsalinduri Pylli i Shpirtrave – objekt i një shkrimi më vete –, Sopi i Vorrit, Struga e Brukës… të bazuar sidomos në emërtimet ekzistuese popullore.
Të spikatura edhe arritjet në Parqet Kombëtare të Pishë-Poros dhe të Levanit, në administrimin e Koçit, pas emërimit të tij drejtor i Zonave të mbrojtura për Qarkun e Fierit.

I vetmi koment i Ardianit pasi ia bën në sy lavdërimet: Kjo është puna ime.
Pëshpëritjet e urithëve matanë Strugës së Zezë: Ah të ishim në vend të tij; do të ishim bërë me yacht privat. Po kujt ia thua!

Ardiani vazhdon me të tijën, edhe pse ndokë – sipas një logjike mafioze që sa vjen e mbush mendjet e shqiptarëve – shteti, ligji, njerëzit e tij, taksat dhe detyrimet e tjera sociale të individit janë vetëm punë të urryera. Kush njofton organet kompetente për prerje të pyllit apo për dhunimin e Moratoriumit për Gjuetinë është spiun; kush zbaton ligjin është budallë apo frikacak; kush nuk merr ryshfet për të mbyllur një sy apo për të aprovuar eskpansionin e çimentos mbi pyllin apo ujërat është trap. Kjo është logjika e atyre që drejtorin tonë e shohin si pengesë në realizimin e qëllimeve të tyre antiambientale.
Pasi Ardiani është që tani Evropë, ndryshe nga ata që kontinentin e tyre dinë vetëm ta etiketojnë si kurvë, antishqiptare, të dëmshme. Edhe pse u qan syri për të hyrë në të. Kur kërkesa për të hapur negociatat e pranimit si anëtar i njëzetenëntë në UE nuk u përfillen, faji kurrë nuk është i shqiptarëve, por i të tjerëve: burra kurvash, bij laraskash, vëllezër homoseksualësh. Dhe as që nuk u shkon ndërmend që, ndryshe nga qeveritë, që me hapjen e negoziatave i bëjnë reklamë vetes, vëzhguesit e Evropës nuk besojnë në statistikat zyrtare të vendeve që synojnë hyrjen në BE. Përvoja e fryrjes së arritjeve prej qeverisë së atëhershme greke i kanë bërë ata që, para se të aprovojnë një tjetër kandidat, të dërgojnë vëzhgues të panjohur që mbledhin të dhëna nga burime asnjëanëse.

Akoma pëshpëritje urithësh që përtej ledhit: Çfarë, do të na mbushësh mendjen që Evropa s’është veçse një e përdalë përherë antishqiptare.
Dhe unë: Ju kujtoni se duke cituar bejte antievropianësh një ditë do të pranoheni? Pse nuk mendoni të paktën njëherë se ku çalon e vërteta? Hidhini një sy ambientit që ju rrethon? A është evropian?

Duke mos u larguar nga imazhi i Ardian Koçit, u përpoqa të përditësohem më mirë me gjithçka që përfshihet në perimetrin e Parkut Kombëtar, brenda, por edhe sadopak jashtë sipërfaqes së tij.
Koha na mbajti mjaft mirë atë dhjetëditësh në Park. Temperaturat ishin gjithmonë mbi 25° C. Asnjë re në qiell. As erë. Deti në bunacë. Hëna e përnatshme. Yjet të panumurt, por që mund të shijohen vetëm kur je në errësirë të plotë.
E adhuroj natën divjakase. Mundohem të dal të shëtis buzë detit. Dikush më thotë se është e rrezikshme. Pse, u them, prej kafshëve të egra? Po, prej atyre me dy këmbë, më përgjigjen me një farë nënqeshjeje. Mua vetëtimthi më vjen në mendje 1997-a . Këto pyje të shndërruara në vendstrehime banditësh. Dhe më shkojnë të dridhura. Jo, jo, nga ta nuk duhet të ketë më, por sidoqoftë.
Provova të shëtis edhe natën e mëparshme, por nuk munda. Qoftë për mushkonjat agresive si asgjëkund, qoftë për mungesën e plotë të ndricimit në buzë të detit. Nuk kam qenë ndonjëherë nostalgjik, por ndjeva mall për ato poçat e shkretuar që lëshonin dritën e zbehtë prej shtyllave të ngulura në bregun e detit. Ndieva edhe mungesën e atyre stolave pranë shtyllave, mbi të cilët i binim kitarës deri pas mesnate.
Ndërroj mendje. Rri në ballkon. Dritat e forta të klubit fqinjë mbeten të ndezura për gjithë natën. U hedh një sy paisjeve poshtë pemëve. Nuk më duken edhe aq të çmuara. Atëherë pse gjithë ky ndriçim? Edhe mbi ndërtesë apo edhe lulishten e hotelit ku jam strehuar dritat janë shumë të forta. Aq imponuese është ndotja prej ndriçimit, saqë sigurisht shqetëson kafshët përreth, sidomos ato që qarkullojnë e ushqehen natën.
Paradokohësh diku aty në afërsi të plazhit që peshkatarët e quajnë Spiaxha, një breshkë deti Caretta-caretta kish lëshuar vezët. Ishte një tregues i mirë për pastërtinë e ambientit. Por, ku lindën breshkëzat, në vend që t’i drejtoheshin detit, ia mbathën drejt hoteleve, të tërhequr prej fenerëve të fortë. Nuk duhet të ketë norma të veçanta për ndriçimin në një Park Kombëtar?
Pasi edhe nata shqiptare duhet të jetë Evropë.
Dhe jo si kjo, me dhjetra apo qindra motorino, pa targa, pa dokumenta, pa drita, të cilëve, nëse nuk do të gërricnin veshët prej motorave të vjetër, askush nuk do t’ua merrte vesh kalimin nëpër natë. E nëse bëjnë incidente, si i bëhet për identifikimin e tyre? E nëse bëjnë krime? Ato ditë në rrugën e Çermës pati edhe një biçiklist të vdekur, të hedhur në kanal prej një pirati rrugor. Mos ndoshta nuk kish drita dhe “pirati” e pa në çastin e fundit? Mos nuk e pa? Atë rrugë e kujtoj si të tillë prej vitesh e vitesh: gjithë gropa. Kush e di se dikush do të kujtohet për ta rishtruar. Gojët e liga thonë se Çermat duhet të jenë më të kujdeshme se kujt ia japin votën, ndryshe kështu do mbeten, mes gropash. Pse, u them, ç’hyn vota me rrugët? Në Evropë rrugët nuk janë kaq politike. As edhe ndriçimet.
Kush prej evropianëve guxon të udhëtojë natën në këto kushte?
Nuk është e denjë për Evropë dalja nga Këmishtaj në rrugën Lushnje – Fier. As rrotullame, as semafor. Rrezik i përhershëm për incidente, sidomos për ata që hyjnë në rrugë kryesore. Nuk janë të denja për Evropën kalimet pa pengesa mbi hekurudhë, edhe pse trenat janë të rrallë. Nuk janë të dukshme nga larg “kurrizet” për të ulur shpejtësinë në rrugët me trafik të ngadalësuar, që të bëjnë copë disqet dhe amortizatorët.
Po ushqimi, sa i afrohet atij evropian?
Nuk janë të denja ushqimet që shiten edhe në supermarketët me emra prestigjozë, mjaltëra të rremë që duhen hedhur, vazo recelërash me pak frut dhe shumë shërbet, suxhuke dhe llokume që shiten sikur të mbushuar me arra, por që arra s’u gjenden; kaçkavallet e dhisë, deles, lopës, djathi i bardhë e bylmetëra të tjera që me nivelin e lartë të kripës mund të shpien në ferr sa e sa të sëmurë me tension të lartë? A i harruat miellrat e mykyra, verërat e ngjyrosura, ujërat me gaz aspak minerale…
A funksionon kontrolli i ushqimeve të paktën sa minimumi i Evropës?
Diçka pozitive e vumë re të paktën: fatura jepej pothuaj gjithmonë, tjetër gjë nëse aparatet që i emëtonin ishin të rregulta dhe të mbajtura në vrojtim prej ruajtësve të ligjit.

Urithët pas Sopit të Vorrit: Ohuuu, paske shumë kërkesa zotrote, jeton andej ti!
Unë: Po, në Evropën që ju fshehurazi e dashuroni, por që haptas e shani me fjalorin më të ndyrë. Sidomos kur ju thotë jo.
Urithët: E di ç’ke, ndërro muhabet më mirë.
Unë: Po nuk mund të rri pa ju folur edhe për Evropën e guzhinës, Evropën e hoteleve, Evropen e edukatës dhe të dialogimit me klientin.

Kam fjetur nëpër hotelet evropiane. Edhe në të quajturat suite. Kësaj here pagova një suite edhe në Shqipëri. Gjithë ajo hapësirë vërtetë, banjo e bollshme, dritare që sigurojnë mosfutjen e zhurmave të jashtëme, personel i sjellshëm. Por a nuk mendoni se në banjë duhej të kishte edhe një vaskë; nuk duhej të kishte edhe dritë tek pasqyra, qoftë për t’i lejuar burrave të rruajnë mjekrrën, qoftë edhe grave për t’u trukuar? Nëse nuk kishit akoma paratë për t’i porositur, mos i quani suita dhe resorte ju lutem, pasi ua keni borxh klientëve edhe shumë paisje të të tjera që mungojnë, për shembull ashensori; për shembull kushtet për lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuar; përshembull shkallë rezervë në rast zjarri…
Kam ngrënë në restorantet e Evropës. Prisja të gjeja minimumin e trajtimit evropian edhe në guzhinat që frekuentova. Rrallë, për të mos thënë asnjëherë, guzhina justifikonte emrat e menysë, pasi shpesh të ndodhte të kërkoje diçka dhe të të vinte në tavolinë diçka tjetër. Mos t’ju duket çudi që, në lokalet përgjatë detit, pjatat më të gabuara ishin ato me bazë peshku. Në pjesën më të madhe të rasteve ai servirej i skuqur apo edhe në zgarë, në shumicën e rasteve i mbytur në kripë. (Shumë kuzhinierë shqiptarët e ngatërrojnë shijen me kripën e tepërt.) Pjata më e gabuar ishte frittura, pasi e servirnin pothuaj gjithmonë si peshk të skuqur të të njëjtit lloj, një ose dy qefuj, një apo dy-tre copa ngjalash… Kjo na ndodhi edhe në restorante me përvojë dhjetravjeçare në turizëm, që mburreshin me pesë yje.
Ajo që nuk është aspak e tolerueshme në Evropë, sidoqoftë, është higjiena në lokalet e shërbimit. Grigjë mizash mbi pjatat e pambuluara të mëngjesit me vetëshërbim të parapaguar, tufa mizash të ngordhura mbi dysheme, në këmbët e klientëve. Miza të skuqura tek pjata e servirur. Kjo nuk është aspak Evropë, edhe pse çmimet i ka të tilla. Pastaj çuditeni pse klientët nuk kthehen tek ju për herë të dytë; pastaj çuditeni edhe pse shqiptarët preferojnë t’i kalojnë pushimet jashtë Shqipërisë ku, për një pagesë më të arësyeshme, shplodhen në kushte më të mira.
Për aq pak ditë që ndejta në Shqipëri e kërkova Evropën, por pak ose aspak e gjeta. Akoma jeni të bindur që fajin jua kanë të huajt që nuk u hapën negociatat?

Urithët që pas ferreckës: E kemi thënë, nuk bëhet ky vend.
Unë: Nuk do ta pohoj kurrë këtë ide katastrofike, përderisa Ardianët ekzistojnë akoma, përderisa shpërfillin pëshpërimat tuaja. Por kjo nuk më pengon aspak t’ju them që…

Ardian Koçi

…edhe fshati “Adriatik është Evropë, të paktën sipas gjeografisë. Mos të të rëntë rasti të jesh në rrethinat e tij kur bie shi, pasi përjeton trishtimin më të madh të jetës tënde. Porse, nëse ndodhesh pranë tij afër perëndimit të diellit, përjeton një nga muzgjet e tua më të bukura. Sikur të mos përballeshe me ato pakëz pallate të ndërtuar në një kohë të errët, me pikësynimin për të sjellë socializmin edhe këtyre humbëtirave.
Ajo vetmi do të kish qenë akoma më e bukur nëse për atje do të të çonte një rrugë për të qënë, të paktën nga ato që lejojnë shkëmbimin lirisht të dy makinave, pa frikën që mund t’i biesh përmes gropës apo të përfundosh në kanal.
Banimi përballë atyre ujrave në veri të Semanit, me detin në sfond, me rrokullisjet e mahnitshme të diellit, kurrë të njëllojtë, me qetësinë që do të shëronte edhe pacientët më të vështirë, me ajrin e pandotur prej asgjëje – do të kish qenë dëshira e gjithkujt.
Por nuk është, dhe nuk ka për të qënë edhe për ca kohë as për ata pak a shumë 200 banorë që atje gdhihen e ngrysen. Dhe as që mund të mendohet për të tjerë që atje mund të trasferohen. Tani për tani. Pasi sinjalet pozitive edhe këtu nuk kanë harruar të arrijnë, edhe pse të vonuar. Dikush, pranë rrugës, në veri të ish-sektorit, brënda avllisë ka mbjellë lloje të ndryshme pemësh frutore të cilave u vihen re edhe frutat. Pak më në veri edhe dikush tjetër ka ndërtuar shtëpi. Shihen aty-këtu aktivitete të mirëfillta blegtorale e bujqësore, sipas kritereve moderne. Përballë tyre, në skajin tjetër të rrugës, sipas idesë së Ardian Koçit, është duke hedhur shtat një kullë prej druri për turistët, pikërsisht në buzë të ujrave në veri të Semanit. Në jug të pallateve parafabrikate një guximtar i sukseshëm ka mbjellë ullinj, që kanë nisur të rriten e të japin frut, fakt që edhe kjo fushë e shëllirët mund të trasformohet, ndoshta edhe duke iu drejtuar përvojave më të mira të autorëve të trasformimit të shkretëtirave. Veçse këtu, edhe pse shteti nuk është më ai komunist, duhet të ndërhyjë me subvencione. Jo të bëjë punën e privatit, por t’i krijojë atij mundësinë për ta trasformuar këtë cep të Shqipërisë, të mbetur ende në Mesjetë. Edhe banorët e kësaj treve duhet të kuptojnë se asgjë nuk bie prej qiellit; që përvoja e fqinjëve të tyre më të guximshëm nuk duhet të bjerë përdhe. Dhe mos të harrojnë se pjesën më të bukur të fshatit, atë përballë detit, e kanë zaptuar për të bërë vathët primitive të bagëtive – aq të shëmtuara e të pista, sa që do të trëmbnin që nga larg turistët e ardhshëm. Pasi, edhe pse sot ata nuk e besojnë, zona e tyre ka nisur të udhëtojë drejt ekonomisë së turizmit. Nuk i keni kapur akoma sinjalet e fqinjëve në veri të rrugës së asfaltuar?

Urithët: Or ti Shpend, vetëm keq gjete gjithandej?
Unë: Aspak. Njerëz si Ardiani, të tjerë që i ngjajnë, natyrë të një virgjërie që mrekullisht i ka shpëtuar himnizuesve të paskrupull të betonit. E vura re këtë mrekulli qysh në ditët e para kur isha i ftuar në një operacion vëzhgimi të Administratës së Parkut Kombëtar në pikën e vrojtimit të Nëntës.

Urithët: Cila Nëntë? Ej, mos na ngatërro me…
Unë: Ah, nuk bëhet më fjalë për repartin e dikurshëm kundërajror me topa 122 mm.

Topat kanë përfunduar për skrap prej kohësh. Reparti u shndërrua në fantazëm. Në vend të ushtarëve me kambale, nëpër tunelin gjarpërues ndeshesh me një mizëri lakuriqësh të natës, gati të të nxjerrin sytë, sepse u ke dhunuar jetën private. Dhe çuditen që ka akoma njerëz që shohin me kërshëri vizatimet e atëhershme mbi muret e tunelit, plot me kërpudha bërthamore, të dhëna naive për anijet dhe avionët e armikut…relike të një kohe tragjikomike tashmë të vdekur.
Në një nga kodrat sipër tunelit është ngritur një kullë e efektshme për të mbajtur vazhdimisht në kontroll zonën përreth. Që prej asaj kulle të drunjtë krijon një përshtypje më të plotë edhe për shtrirjen e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Prej andej, edhe pa ndihmën e një dylbie, syri përmbledh të gjithë hapësirën që prej derdhjes së Semanit, deri në atë të Shkumbinit – baballarët krenarë të gjithçkaje që të zë syri përballë kësaj kulle. Ngjitemi atje përmes një rruge të pashtruar kurrë, edhe pse në kulmin e kodrës gjenden shtëpi të banuara. Ne jemi mbi një pik-up 4×4, dhe arrijmë deri në majë. I pari mendim që më erdhi para atyre banesave ishte: Si ia bëjnë këta të mjerë, nëse kanë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë mjeksore? Këtu autoambulanca nuk do të arrinte të ngjitej kurrë. Urgjenca e Divjakës nuk është as edhe e pajisur me helikopter.
Pas shpinës tonë – zona e Gjenerukës. Nën këmbët tona-tunelet e ish topave 122 mm.
Para syve – një peizazh që të lë gojëhapur. Që nga ai pozicion kupton më mirë edhe shtrirjen e Lagunës së Karavastasë me të gjitha shtojcat e saj, ke si në pëllëmbë të dorës Semanin dhe strugat të gjithëpranishme; që atje edhe derdhja e sotme e Shkumbinit mund të kuptohet më mirë si edhe arësyet pse janë krijuar godullat apo kënetëzat përpara pyllit të Divjakës, gjatë largimit të konsiderueshëm të detit.
Devijimi i fundit i derdhjes së Shkumbinit ka qenë njëri nga problemet më të përfolura të kohëve të fundit për këtë zonë. Prej kohësh kjo sipërfaqe e mahnitshme ka ndezur dëshirat gllabëruese të paràmëdhenjve që duan ta mbushin me rezorte e yahte, dukë vënë përfundimisht nën beton këtë mahnitje të vërtetë natyrore. Këtu edhe njëherë nuk mund të rri pa përmendur çudinë tjetër- atë njerëzore, që quhet Ardian Koçi. Me dikë tjetër në krye të këtyre Zonave të Mbrojtura, a do të mund të ishte ruajtur e forcuar virgjëria e kësaj sipërfaqeje parajsore?

Urithët të dorëzuar: Jo, nuk e besojmë se do të ishte ruajtur.
Unë: Epo më në fund diçka e pranuat, edhe pse me shumë keqardhje. Ah, po për devijimin e Shkumbinit, a keni ndonjë ide? Doni të vini më mua deri në derdhjen e tij?
Ata: Nuk na duhen idete, na duhet rakija. Pastaj janë më spec ato punë. Kush ka devijuar Shkumbinin ka edhe gurin edhe arrën. Ne – as edhe gurin.
Unë. Jeni të sigurtë se është devijuar nga dorë njeriu?
Ata: Kështu thonë gojët e liga.
Unë: Kuptova, më mirë një pik-up dhe një dron me vete. Dhe sigurisht këmbë të lehta.

Drejt Kularit, në kërkim të Shkumbinëve fantazma, të toponimeve fantazma, të personazheve fantazma. Dy-tre vite më parë im vëlla më ka falur një libër të çmuar të Llazi Gjekës për këto vende. Nuk mund të mos e rilexoja, pasi aq i pasur me të dhëna, saqë mund të quhet një muze në format xhepi. Pa të do ta kisha pasur të vështirë orientimin në atë zonë tashmë pothuaj të Egër. Edhe kush ishte i pranishëm në këtë hulumtim ishte informuarr mirë para nisjes, edhe nga burime të tjera.
Fusha e Shëllirës së Madhe është ideale për nisjen e hulumtimit me dron të ish-derdhjeve të Shkumbinit. Zhuka, marinëza dhe limoniumet të lulëzuara akoma, edhe pse normalisht i mbajnë lulet deri në shtator. Fluturza të shumëllojëshme dhe piliviesa, shumë pilivesa. Zogj të rrallë. Ata më tipikët e këtejshëm ushqehen me peshk e synojnë struga, godulla dhe laguna. Huta është shpesh e pranishme, që do të thotë se vendi përreth është shumë i pasur me brejtës e zvarritës.
Droni nuk mund të na japë idenë për më shumë se katër derdhje të vjetra të Shkumbinit. Braktisja e tyre prej lumit të lashtë ka qenë dhe mbetet tërësisht për shkaqe natyrore. Edhe shmangja e tij e fundit prej shtratit të mëparshëm. Ashtu si edhe krijimi i godullës së Spiaxhës, i kënetës së Osmanit dhe largimi i rëndësishëm i detit prej plazhit të fëmijërisë tonë. E thonë specialistët. Me pak vështirësi, nga pamjet me dron, mund të rindërtohet edhe forma që thuhet se i ka dhënë emrin Kularit. Për t’ia arritur duhen thirrur në ndihmë edhe legjendat. Sipas tyre derdhja e Shkumbinit ka patur formën e kularit që shërben për të mbrehur qetë. Ky emër i ka mbetur që herët nga vendasit. Ndoshta qysh prej kohrave kur këtu gjendej edhe Limani, apo skela lumore, siç e risjellin jo vetëm gojëdhënat? Apo shumë më pas. Dhe mua më vjen ndërmend Aquileia – qytet romak i vitit 181 para Krishtit, me portin e tij lumor, gërmadhat e të cilit japin edhe sot përshtypjen e një siti të rëndësishëm historik. Edhe për Kularin flitet të ketë qenë i tillë – një port i lashtë. Hipotezë që duhet vërtetuar, pasi nuk mund të rindertohet historia me legjenda. Por prej tyre kanë patur nisje edhe shumë zbulime historike. Mbetet fakti që ndërtimi i porteve lumorë ka pasë qenë një praktikë e përhapur e perandorisë së lashtë romake në të cilën edhe kjo zonë ka berë pjesë. Mendoni sikur në S.P.Q.R. të ketë patur edhe një senator me origjinë nga Kulari!
Prej Shëllirës së Madhe zhvendosemi në drejtim të Pyllit të Urthit. Eshtë kryesisht një plepnajë, që ka në rrëzë të drurëve shumë të lartë një numër të konsiderueshëm pemësh apo shkurresh me shtat më të shkurtër. Pylli ka këtë emër për shkak të përhapjes së madhe të Hedera Helix, të njohur në me emrin “urth”. Edhe këtu përjetojmë rishtazi luftën për mbijetesë në natyrë: atë midis këtyre dredhëzave dhe drurëve të lartë. Urthet janë shumë të rrezikshëm për pemët e tjera. Ata ushqehen prej viktimave mbi të cilat kacavirren, duke i çuar shpesh tek vdekja. Kam ndjekur sesi këto urthe kanë bërë të thahen pyje të tëra gështenjash e lisash. Dhe jo vetëm. Kush ka për ta fituar luftën për ekzistencë në Kular? Ah, lulet e urthit i tërheqin mjaft bletët, pasi ato lulëzojnë në periudhën shtator-tetor, kur lulet e tjera rrallohen. Mjalti i prodhuar prej këtyre luleve është i rrallë dhe me cilësi të lartë. Kosheret që vumë re në zonë nuk ishin vjelë ende. Mëkat. Ia vlente ta bleje atë mjaltë sado që të kushtonte.
Sidoqoftë, lakmia për mjaltin e urthit nuk na e largoi aspak vëmendjen nga thelbi Kularit. Mjaftonte të mos flisje për të dëgjuar zëra mezi të gjuajtur prej veshit. Duket sikur ecën mbi një varrezë të madhe. Varreza është e gjithëgjendshme. Ajo pëshpërin. Ajo kërkon të shpjegohet. Të të thojë se je duke ecur mbi fshatin e dikurshëm. Mbi përmbytjet e dikurshme që e shpëlanë nga faqja e dheut. Skeletet e shtëpive të kahershme janë të mbjella nën këmbët tona.
Të duket edhe sikur ecën në një kupolë të rëndë. Të shpirtrave të gozhduar në ajër. Është Verriu i Helmit? Është Sopi i Bathës? Është Struga e Pusit? Ku gjenden eshtrat e Kasolles së Beqir Balluk Pashës? Thuhet se natën këtej dëgjohen akoma të pëlliturat e demave të egër të vrarë prej ish guerrilasit të Tiranës. Sa dema kanë pasë qenë? Shumë. Me dhjetëra? Me qindra. Ku gjendet plepi i Xhemalit? Po Kurora e Harixhinjve? Po Hauzi Fllugës? Sa toponime të tjera duhen ringjallur duke ua shënuar vendin ku ndodhen? Ah, qysh nuk pamë asnjë bunker këtej pari? Si i paska shpëtuar syrit të “mbrojtjes popullore” të dikurshme kjo zonë? Aaa, ndoshta demave të egër që gjuante ministri i mbrotjes nuk u pëlqente betonarmeja. E megjithatë ngulet këmbë që Kulari nuk i kish shpëtur vëmendjes së gjermanëve të Luftës së Dytë për të përballuar armikun që mund të vinte prej detit. Dhe të mendosh që mund të kishim patur një zbarkim të aleatëve anglo-amerikanë edhe në derdhjen e Shkumbinit!
Në ecjen tonë të gjatë nuk mund të mungonte vëzhgimi nga njëfarë largësie i lopëve të sotme të lëna të lira këtej, të rrethuara prej gardhit natyral të pemëve, nën të cilat vura re që lulëzonin edhe lloje lulesh që i kisha parë nëpër alpe.
Kthimin për në Divjakë na e përshpejton muzgu i nxituar. Është mezi i tetorit. Temperaturat e ajrit e përgënjeshtrojnë, por jo rrotullimi rreth Diellit. Duhet patjetër të kalojmë përmes një porte, të cilën nuk doja ta përmendja që në fillim: atë që ndodhet pikërisht përpara njërit prej derdhjeve të dikurshme të Shkumbinit. Ishte një portë ngjethëse, e bërë shoshë nga plumbat. Janë vrima të1997-ës? Më të hershme? Të mëvonshme?
Në të dalë të zonës mendova se do të gjeja urithët, që me përçmim do të më thonin: E, u vërdallise? Ç’fitove? Je më keq se ai që kërkon të lavdërosh, lushnjari Ardian Koçi.
Anashkaloj. Më tepër se ata më shqetësojnë 28 emra: ato të djemve të pushkatuar të Divjakës.
Më thonë: Po fundja ç’hyn Parku Kombëtar me ta?
Qetësia e thellë e këtushme bën të dëgjueshme edhe pëshpëritjet e tyre. U them jo urithëve, por hajde mbushi mendjen atyre emrave. Kridhen e ridalin prej tokës mu përpara kënbëve tona si parmenda të çmendura.
Kthehem të admiroj një perëndim të rrallë pikërisht prej tokave të reja të porsakrijuara nga deti, sot për sot – mbretëri të mushkonjave
E pamundur t’i largojmë, edhe kur sapo kemi spërkatur trupin dhe rrobat me kundërmushkonjësen më të fortë Jungle Spray. Ndërsa kërruhemi vazhdimisht, na rikthehen si kolonë zanore të qeshurat e urithëve, që bëhen histerike në përpjestim të drejtë me numrin e gotave prej tyre të kthyera me fund: E more, e gjetët Evropën?

Urithë të dashur, kemi standarte kryekëput të ndryshme për të matur UE-në .

Nëse kërkon të dhëna nga shqiptaret për diçka, ata gjithmonë të përgjigjen:
-Po mirë është.
-Si janë rrugët për në …?
-Po të mira janë.
-Po hoteli si është?
-Shumë i mirë është, si andej.
-Si gatuajnë?
-Shkëlqyer, aq mirë sa edhe të huajt.
Ti u beson. Shkon në Shqipëri dhe sheh sesi rrugët janë si mos më keq, Mallkon veten që ke shkuar me makinë të re.
Shkon në restorant dhe zhgënjehesh. Po ashtu edhe me hotelin. Sheh se në shtëpinë që mban akoma në Durrës, duke menduar gjithmonë kthimin, të vijnë vazhdimisht fatura për ujin që nuk e ke pasur kurrë nëpër tuba qysh prej 20 vjetësh; sheh sesi duhet të paguash edhe energjinë elektrike, duke e pas shkëputur atë prej vitesh e vitesh. Janë shifra me 5 zero! Ankohesh edhe me avokat, por problemi mbetet i pazgjidhur qysh prej korrokut të 2014-ës. Herës së fundit në OSHEE-në e Durrësit kërkova që t’i hidhnin një sy ankesave të vjetra. Përgjigja: nuk ekzistojnë më, pasi është ndërruar sistemi para kaq vitesh. Ç’do me thënë kjo, që gjithçka shihte ai i vjetri nuk është më i hulumtueshëm? E nëse ai fshihte shkelje të rënda? A i kanë bërë një backup të vjetrit?
Nuk mund t’ju përgjigjem. Po ja, kësaj here kemi një sistem të nivelit evropian.
Sipas cilit kriter?
Dhe nevrikosesh me ata që të kishin dhënë informacionet. Dhe harron se ata nuk kanë dashur të të gënjejnë, por vetëm kanë vërtetuar aksiomën tashmë të vjetëruar: Mirë për Shqipërinë, mirë për shqiptarët.
Sepse ata kanë tashmë standartin e tyre për të mirën. Dhe pastaj zemërohen sinqerisht me Evropën. Pse nuk na pranoni? Nuk jemi dhe aq keq. Sigurisht, ua kthen Evropa, mirë jeni, por sipas standartit tuaj.
Fatmirësisht për shqiptarët ekzistojnë edhe Ardianët, që nuk kënaqen me pak, që krahasimet i bëjnë me më të mirët e Evropës. Por që janë ende një minorancë për të ndaluar kalimin e shpeshtë të makinave mbi rërën e plazhit që ngjeshin e ndotin rërën e zezë prej natyre me njolla karburanti e gazrash; që janë akoma të pafuqishëm të sekuestrojnë pitbullët e lënë të lirë që sulmojnë qenër të tjerë më të vegjël pa iu tutur syri, pranë familjesh që kanë shtrirë mbi rërë edhe fëmijë të porsalindur; që akoma nuk janë në gjendje të ndërtojnë parkime publike të mirëfillta, që nuk mund të pengojnë derdhjen e ujrave të zeza aty ku nuk duhet…
Po, gaforrja blu është vërtetë një kërcënim serioz për peshkimin, po ajo nuk e kupton Evropën. As edhe ata që pelikanin e mendojnë akoma si rival në peshkim, dhe mezi presin rastin ta heqin qafesh.
Nuk pres që kriteret t’i zbatojnë ata që kanë në përdorim hotelet e restorantet; ata që edhe rrugët i mirëmbajnë sipas kriterit politik, ata që edhe kafetë i pijnë tek baret që mendohet se janë më pranë partisë së tyre.
Evropë alla shqiptarçe. Ekonomi tregu me mentalitet komunist, për dëmet ndaj të cilës duhet gjithmonë të mendojë shteti dhe jo asikuracionet. Në fshatra ku mbillet ende duke u bazuar në opinionin e bujkut fqinjë e jo në studime të vërteta për të planifikuar prodhimin dhe shitjet. U bë karrota tek filani? O burra, të gjithë të mbjellim karrota. Ah, sivjet shkoi mirë bostani, atëherë të gjithë bostanë do mbjellim. Nuk u shit? Hajde t’i hedhim nëpër rrugë. Qeveri e ndyrë!
Kjo do t’u ndodhë, derisa Ardianët nuk do t’i mbani si modele, por do t’i konsideroni naivë, pasi i mbeten besnikë ligjit dhe vënë në plan të dytë vetveten. Prej kapitalizmit ju keni marrë individualizmin e theksuar, prodhimin me çdo kusht e spekullim por jo edhe kooperimin mes privatëve.
Mblidhni mendjen: nuk ekziston rruga shqiptare për në Evropë. Rregullat tashmë janë shkruar. Nuk ju mbetet tjetër veçse t’i zbatoni.
Ashtu si Ardianët.

Shpend Sollaku Noé

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s