Poezi nga Sokrat Habilaj
E DJESHMJA JUAJ, JENI VETË JU!
Ka kohë që dua të mbaj në supet e mi,
Të djeshmen tuaj, edhe ca më tepër.
Dhe pse të sotmen ma kapët në pusi,
Nuk ju shoh dot, si një makth i vjetër.
E për t’i prerë me të, të gjitha lidhjet,
Hidhni dhe mbi mua, gurë e hithra.
S’ka problem se m’i shtoni dhimbjet,
Unë do duroj, t’ju shpëtoj nga e liga.
Kur përfundimisht të ndaheni prej saj,
Harroni bashkë me të, edhe të gjallin.
Nëse ju pyesin për të djeshmen, pastaj,
Thoni shkurt:-Nuk ia dimë as varrin!😥
Po tani, tani që për ju, nuk ka më “dje”,
Pse qëlloni ende, ç’dreq ju ka gjetur!?
Kush ka mbetur pa u mbuluar me dhè,
Pse ky trill për të vrarë një të vdekur!?
Ka kohë që nga plumbat tuaj, kuturu,
Unë varros e varros, pjesë nga vetja.
Të djeshmen tuaj, se ndava dot nga ju,
Ajo që vrisni, nuk është e djeshmja!
E MIRA IME
Për ty, i druhem trishtimit në vjersha,
Se ti s’më do si vjershaxhinjtë e tjerë.
Që si rrobat e brendshme nëpër tela,
Nderin në vargje çdo dhimbje e sherr.
Për ty, lotët si lë të kthehen kristale,
Dhe nis i kafshoj, sikur veten nduk.
Nëse ndonjë më rrëshqet, pa dashje,
Ti zgjatë buzët, e gjasme më puthë.
Për ty, edhe si burrë e ndjej frikën,
Kur të kesh para, një burrë që qanë.
Pa menduar dy herë, tej gruas ikën,
Dhe bëhesh nënë:-Mos qaj o xhan!
Për ty, sytë i tera, pikë nga një pikë,
Ndërsa ti heshtur, qerpikët m’i fsheh,
Thua se kuptoj se loti është si shpirt,
Që ikën nga unë, e tek ty gjen strehë!
UNË DHE TI
Mbi ne, rëndon i njëjti pellg reshë,
E të njëjtin trishtim pikon si mërzi.
Trishtimi s’di të zgjedhë mes nesh,
Po ndryshe unë i trishtë, ndryshe ti.
Në sytë tanë, po të njëjtat zgavra,
Ku loti shtrydhet atje, po njëlloj.
Ndërsa pres që të lotosh ti e para,
E qara për mua është bërë si lojë.
Ky pellg reshë është për ne të dy,
E lotët duhet t’i fshehim bashkë.
Ti e mbanë fjalën e s’ke lot në sy,
Unë bëj shpikje t’i nxjerrë jashtë.
E mira ime,e mirë dhe në dhimbje,
Që mbytë dhimbjet, pa bërë:-Ah!
Ndoshta qeshë me zgjedhjen time,
Po dhimbjet s’i mbaj dot në krah.
E kur ti lotët brenda shpirtit i terë,
Mua duket më ka mundur e keqja.
Që s’rri pa ndarë lotët me të tjerë,
Tē duket e bukur që thur vjersha?