MARRËZI TË ËMBLA NËN BUKOVILE / Prozë Poetike nga Raimonda Moisiu

MARRËZI TË ËMBLA NËN BUKOVILE

 

Prozë Poetike nga Raimonda Moisiu

Pulëbardhat fluturonin të menduara mbi detin e trazuar nga dallgët, ndërsa ajo ishte ulur në stolin poshtë bukoviles të dëndur dhe lulet e saj prushëronin si të kuq buzësh.
Ndjente flladin e freskët t’i ledhatonte krahët e zbuluar dhe sinfoninë shushuritëse të gjetheve mbi kokë. Mbas asaj lumturie që pati ndjerë natën e kaluar me atë, sot ndjehej e pushtuar nga melankolia. Befas, dëgjoi zhurmën e një makine, hoqi sytë nga libri me shpresë të shihte makinën e blertë përsëri.
Por jo!
E ndoqi me sy makinën derisa u zhduk në thellësi të rrugës. Kishte humbur e tëra, iu kthye përsëri librit dhe lexonte titullin kushedi për të satën herë, Shekspirin, mjeshtrin e lotëve të hidhërimit dhe lotëve të haresë, -“Ëndrra e një nate vere”.
Iu kujtua filmi “Shekspiri in love!”, dhe buzëqeshje sekrete iu shfaq ndër buzë. Kishte aq romancë në atë dashuri të madhe, më shumë se sa zjarret e ciganëve që ndizen e shuhen brenda një nate, më shumë se yjet që bëjnë orgji gjithë natën nëpër qiell dhe largohen të lodhur në mëngjes për t’u strukur e për të fjetur dikund, të dërrmuar nga orgjia.
Ndarja është pjesë e dashurisë, është bashkëjetesa e së vërtetës me sinqeritetin, ajo e ndjente me instinkt thuajse këtë të vërtetë të jetës. Dinte edhe atë që kur dy njerës dashurohen, qoftë edhe me një shikim të parë dhe të shpejtë, mund të lindë një dashuri e madhe si shpërthimi i papritur i blerimit në një shkretëtirë.
Shfletonte librin dhe përpiqej të lexonte mes rreshtave fjalët, mes tyre, ngrinte kokën si një manjolë e trëmbur dhe e bukur për të parë se mos vinte makina e blertë sërish.
Dhe sërish sytë mbi libër. Në libër gërma, fjali, njohje, sy të kryqëzuar, shtrëngim duarsh, puthje, përqafime, dridhje, këngë, lule, flutur, lot, buzëqeshje, ndarje, të qeshura, muzike, sinfoni, serenatë dhe…vështrim i shpejtë nga rruga e molos se mos vinte ajo makina e blertë sërish. Kërkonte nëpër rreshta, ndoshta atë c’ka i kishte munguar; sonetën e Bethovenit në ëndrrën e ftohtë të netëve të dimrit me ëndrrën e nxehtë të një nate vere.
Përsëri ndjeu ledhatimin e flladit në lëkurë, që ngjasonte me flladin e freskët të gishtave të tij, natën e kaluar. Morinca në cdo ledhatim, shkundi shpatullat, ëndërronte, përfytyronte dhe mrekullohej, kurrë nuk ishte ndjerë aq me shkëlqim sa mbrëmë, andaj do të donte që koha të ndalte në vënd përgjithmonë.
Treti vështrimin tutje në horizont, aty ku bënte dashuri deti me bardhanën e reve dhe blunë e qiellit, dëgjonte serenatën guakëse të pulëbardhave dhe ajo nata e kaluar pati qenë aq e magjishme si kurrë ndonjëherë.
-Po, ishim të dy – i tha vetes.
Ah, sikur të ishim përsëri në lumturinë e shtratit, në bardhanën e carcafëve, sonetën e pëshpërimave dhe në parajsën e ofshamave si natën e kaluar!

****
“Herët asaj dite, e shtrirë në rërën e nxehtë buzë Jonit, ajo vuri re një makinë të blertë të kalonte aty pranë. Teksa vëzhgonte makinën, sytë e saj u ndeshën me të atij! Sepse ajo fytyrë i ngjasonte me dikend dhe brofi rrëmbimthi ta thërrsite me emër, por ai i dha makinës më shpejt dhe ajo u shtri përsëri. Pas pak dëgjonte një zhurmë karakteristike zhytëse të hapave në rërë, ngriti sytë të shihte, ai po vinte drejt saj me një tufë bukovilesh në dorë duke buzëqeshur. Po, po ishte ai!
Ajo ia nguli sytë atij, teksa brenda saj ishte dicka ndryshe që gjallonte. Ai me buzën në gaz përkuli kokën dhe buzët e tij mbuluan të sajat.
-Të adhuroj,- i tha ai.
Nuk mundi të thoshte një fjalë vetëm i buzëqeshte dhe tundte kokën.

****
Por sot ajo ndjehej e vetmuar, kujtonte gjithcka me një melankoli të trishtë; dashurinë dhe ndarjen, puthjet e përqafimet, lotët e lamtumirës. Nuk mundej t’i jepej më askërkujt, ashtu sic i ishte dhënë atij. Ajo ishte mësuar tashmë me idenë e të qënit e vetmuar, biles edhe natën e kaluar që ajo e flaku tej atë vetmi. Oh, sa do të dëshironte ta flakte përsëri edhe sot, ajo e dinte se dashuria është më e fortë, dhe e kërkon më shumë, kur nuk e ke pranë atë që dashuron, biles edhe kur vetë zgjedhim për të mos qënë më së bashku, atë që ke rënë në dashuri, atë që vetëm brenda një nate të vetme lind ajo dashuria e madhe, eternale!
-Do të përpiqem ta harroj, -i tha vetes, dhe ndjente lotët t’i rridhnin nëpër faqe..
Dhe shtoi po me zë: -Nuk mundem, kurrë!
Kishte prekur lumturinë, dashurinë e vërtetë, natën e kaluar, apo kishte qënë e tëra një ëndërr?
Ëndërr në një natë vere buzë ujrave të Jonit, nën shushurimën dehesë të bukovileve, mbuluar me të kuq buzësh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s