Poezi nga Rudina Muharremi Beja
BELBËZIME…
Psherëtij, si gjithmonë nën jastekun e tij me duart e mpira,
në të fundit portret,
që kurrë s ‘u lodh së më vështruari
e shpesh sytë i ndesh,
frymës që zjarrit u drodh.
Belbëzoi:
Je e bukur!
Xhamit mbetën bulëzat e shiut
e u shembën ca puthje, ranë mbi buzë
mbi shpinën e qytetit retë shtegëtuan
drithërima gjaku trupit rrëqeth.
Jashtë,
hëna e ndrojtur zbeh rrugët
e lahet mallit tim të heshtur.
STINËVE…
U zhvesh pema nën cohën e hollë të mjergullës së bardhë
shëmtuar si kurrë më parë,
Ngarkoi trishtimin krahëve të thyer,
tharmit të netëve të verbëra
rrahur stuhive të dimrit…
Pranverës, kënga e zogjve vallëzoi me bulëza vese sërish
pemës mbushur me jetë,
përkundur flladeve parfume,
mbuluar magjisë së luleve…
Verës, vezullimit të rrezeve shpërthimeve të potershme..
e Vjeshtës me fruta të mira,
kridhej fustanit me ngjyra…
Sa keq…!
U nguta, kur pemën që krahët shtrinte nën çatinë time
në Dimër e gjykova,
u shfaq e ndryshme në katër stinët…,
me njerëzit, njësoj s’u solla…
FSHEHUR LOTIN
Zbrazur shpirtin si lisi, prej gjethesh braktisur
Muzgut mbështjellë tisit të hirtë
Fluturova kodrës së yjtë…
Më rrëmbeu kjo mbrëmje,
më mori me vete
dashuria e një përqafimi
ndezur kapilarëve,
ndërsa qiejve prej shkumësi,
era shfryn ,
e shtyn retë përtej maleve.
Trungut të rrahur prej stuhive,
dimrave acar,
lundruan kujtimet
e tempullit të lashtë,
gërmadhës së humbur,
në më të thellin mall!