Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

DASHURI NË KOHËN E VIRUSIT

Festën tënde, këtë pranverë,
do kremtojmë sërish bashkë,
të pandarë, siç jemi përherë,
si në dhjetor dhe në 8-mars.

Ndonëse të dy, u thinjëm shpejt,
gjoksi për njëri-tjetrin na frymon.
Mosha jonë, u ngrys e u vrenjt,
po dielli në zemra s’na perëndon.

Kemi pasion, si në rininë e parë
të puthemi fort, sa më shpesh.
në buzë kemi ende atë nektar,
si në kohën e njohjes, mes nesh.

Dhe sa herë nisem, të të puth,
dy drita qiellore, të ndizen në sy,
buzët digjen, si oxhak me prush,
dy ylbere në fytyra bien tek të dy.

Ne i dhamë folesë, flatra vjeshtore,
puthjet s’çelin pëllumba, bilbila,
por tani kemi pranverën shpirtërore,
që në buzë e sy, na çel trëndafila.

Më dhuron frymën, më bën fllad,
të dhuroj në buzë e gushë, energji,
të shkarkoj elektricitet, qindra wat,
të zgjatim vitet, të mbetemi të ri.

Mua s’më shteron, dashuria për ty,
kam gjithmonë etje prej lakmusi,
puthjet nuk i kursej dot, as tani,
në kohë rreziku nga koronavirusi;

Se s’kemi frikë nga kjo epidemi,
kemi shpirt ripërtëritës, si Zeusi,
dashuria jonë, rilind përsëri,
ashtu siç mbin lulja, nga humusi.

Ti si femër, ke dy kromozome Iks,
dhe je për virusin, paksa anonime,
mua të dytin, ma jap dashuria fiks,
që më fal ti, moj mbretëresha ime.

Nëse virusi sulet me egërsim final,
atëherë zemrat, do çelin nga një bli,
ti në një fushë, unë në një mal,
me aromë për vajza e djem të ri…

 

NGUJIMI NË KULLË

Tashmë kam marrë emrin, Oso Kuka,
ngujuar në kullën, ku gatuhet buka.
Sfidoj epideminë kineze Koronavirus,
që kërkon para kohe, në varr të më fus.

Në frëngjitë e kullës, s’kam pushkë,
vetëm hudhra, uiski e dezinfektus,
ta godas nga brenda, po të avitet,
me mjetet rrethanore, nëse vritet.

Ky bajloz i zi, me ushtri të padukur,
zbarkon i maskuar, mes reve strukur,
Edhe Gjergj Elez Alia, të ishte gjallë,
s’do kishte ku ta qëllonte me pallë.

Ky armik është një hiç i llahtarshëm,
shumë më i egër se çdo i mëparshëm,
vret e shuan njerëz, të moshës sime,
pa dallim ngjyre, seksi e koka pa qime.

Mbyll dyer në shkolla, teatro, markete
dhe kë gjen rrugës, e merr me vete,
ta shpjerë menjëherë në botën tjetër,
siç ka bërë dikur, murtaja e vjetër.

Mund të shpëtoj, brenda kullës të jem,
po s’kam ç’bëj, po më hyri me oksigjen
dhe duke mposhtur, të miat përpjekje,
me ndal frymën, me puthjen për vdekje.

Deri tani, mjekësia ngre duart përpjetë,
se ky i pabesë, vdes dhe mjekët vetë.
E di, që kanë medikamente pa vlerë,
shuan etjen me to, e s’i bëjnë qeder.

S’pyet për poetë, shkencëtarë, president,
gjuan me rrufe këdo, në çdo kontinent.
Raketa e thumbit të tij, godet me precizion
edhe po të fluturosh në qiell me avion…

Rrallimin që s’bën luftërat, siç tha Maltusi,
bën ky kriminel i tmerrshëm, Koronavirusi.
me fuqi shfarosëse, disa bomba atomike,
në thumbin e vet, me imtësi mikroskopike.

Ka helmin e njëmijë gjarpërinjve me emër,
të pickon befas, të ndal gjakun në zemër.
Po s’u shpik kundërhelmi, për thumbin e tij,
do bëjë në glob, më të madhen batërdi…

O Zot i plotfuqishëm, lutem mëshirës sate,
më mbro nga kjo hasmëri, lakuriqësh nate!
Se tani më shpëton, veç ti, o i madhi Zot,
mos të shkoj për lesh, nga kjo botë!…

 

FOLA ME VDEKJEN

Në ëndrrat e çuditshme, të netëve me pak gjumë,
befas m’u shfaq mortja zyrtare me kosë në dorë.
“Shërbimet funerale” në qytet ishin shtuar shumë,
dhe ajo kishte hapur zyrë, në afërsi të lagjes sonë.

Bënte pritje, kur qiellin e pluhurosur mbulonte nata.
Njerëzit e merakosur për fundin e pashmangshëm,
kishin zënë radhë para derës së zezë me dy kanata,
që ruhej nga dy varrmihës me skelete të llahtarshëm.

Një mëkatar, që doli nga dera e saj, tejet i mërzitur,
tha se kryekriminelja njerëzore e përzënë prej zotit,
sipas listës së ferrit, ku e kish regjistruar të kopsitur,
do ta merrte së shpejti me kosën e rrallimit të globit.

Unë hyra dhe fola me vdekjen, si me një mikeshë,
kur do më merrte e ku do më çonte përfundimisht.
Ajo më vështroi me gropat e syve dhe zuri të qesh,
pastaj tha, duke zbardhur çatajtë e gjatë sa një gisht:

“Arkivolin ta kam porositur te një pyll pishe në Suedi.
Llogarit sa kohë duhet të pritet trungu në pishnajë,
të staxhionohet dërrasa, të transportohet në Shqipëri,
pastaj vjen radha të gatitesh të shkosh në parajsë…”

O, faleminderit, zonja vdekje, që më çon në qiell,
ku njerëzit ëndërrojnë gjithë jetën të shkojnë aty…
“Prit!- tha- Ti do shkruash për mua një libër poezie
dhe do vish çdo javë të më bësh seks, pa dashuri! “

Të caktova ty për seks javor, me eshtrat e mia,
se i këndon me pasion dashurisë që të fal mikja,
nderon femrën, si krijesë të preferuar nga Perëndia
dhe nuk i ndahesh asaj, derisa të të vijë ikja…

Booo, bo, mendova, dhe kjo torturë më duhej mua,
që u ruajta në jetë, nga abuzimet me gra të radhës!
Si do bëhem burrë, me një skelet, pa tulin e lëmuar?
Më mirë të vdes tani, se të puth eshtrat e gërdallës!…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s