Poezi nga Gentjan Hasanas

Poezi nga Gentjan Hasanas

 

***

E ndiej,
dora ime është plakur.
Rrotullon nëpër gishtërinj
rruazat e ditëve,
në kalendar tespiesh.

Koha, një fill i rrumbullakët
me fjongo kukuvajkash
qëndron,
mbi shkëmbin e pathyeshëm
plot me myshk mërzie.

Do të shiheshim këtë gusht?!
Si gushti i djeshëm,
si gushti i pardjeshëm.

Shpeshtoj ndër gishtërinj ditët
me ngjyra liqenesh të errët;
që të gjitha, shkëlqejnë nga jashtë
prej hënave që ti më fale.

Pastaj,
fiken një nga një si heronj në mur
mbi gozhdën e një “Pse?”-je,
dënuar me varje!

 

***

Nxitohem
të ngjis shkallët me një frymë
deri në katin e 3-të,
”ajo” duhet të ketë ardhur…!

Një dush,
një krehje shpejt e shpejt.
Mbyll dyert,
(njerëzit nuk vijnë më nëpër dyer)
hap dritaren ”chrome”.

Sa bukur shkruan!
T’i dua dhe mesazhet zanore
sa bukur ke dalë në foto,
t’i dua dhe varkat mbi liqen.

S’di pse turbullohem në heshtje.
Paska ardhur e dashura ime,
është me pikë jeshile.

Druaj ta pyes
”nëse u kenaq atë ditë që bëmë dashuri”.
Jam ende shumë i vogël
për t’u bërë baba
i një martese prej materiali ajri
ku universi dëshmonte ngjizjen.

Edhe ajo,
druhet të më thotë
”se është shtatzënë!”

 

***

Në fillim
unë thjesht linda.
Gjithçka ishte që më parë.
Nisa të dëgjoj, të shoh, të prek
dhe t’u mësoj emrat gjërave.

Edhe kur linde ti,
bota ishte!

Pastaj,
në zemërekun e kohës
Zoti kurdisi punët e diellit me trëndafilat.

Vendosi,
kronologjinë e kuqe
mbi një fushë të bardhë rrethore.
Me siguri, përcaktonin pasigurinë time.

S’kam si të mos mendoj
se kurrë s’do të të kisha njohur,
nëse Zoti
s’do kishte ngatërruar
punët e mia me engjëjt.

 

***

Zgjohu ëndrra ime!
Tani që fashot e bardha i hoqën pemët,
e nga fushat, lulet e Moisiut
po ngjiten drejt malit, të adhurojnë pranverën!

Në arka premtimi, zbresin diellin.
Unë, ende këtu poshtë,
në saharanë kalendarike,
shkruaj me rërë, kultin e çdo dite.

Gris letrat e dërguara
nga zarfi i kuq i gojës tënde,
papirus, i vulosur
me 7 vula puthjesh.

Zgjohu ëndrra ime!
Tani që fashot e bardha i hoqën pemët,
çeli qerpikët, bashkë me sytë e drurëve!
Tek nyja e jetëve tona, lidh fruta
mbi plagën tonë të vjetër!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s