Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

E ÇMENDURA

El Greko penelin e fantaksur e bëri shigjetën e Erosit.
Po edhe te pikturat ishe vetëtimë në lëvizje, krijesë eterike, mbretëreshë e boshit.
Unë s’të dashurova. El Greko – s’e di.
Mjekët bluzabardhë me shenjat e elektroshokut në vend të rrudhave
mbledhin supet kur flasin për ty.
Ku je gërshetderdhur mbi supe magjie, me një det të kthjellët mbledhur hajmali.
Ma jep gërshetin ta pres, hajmalinë e detit ma fal
Ku je e çmendura e parrezikshme, e vdekura pa funeral.
Ku je. Mbaj mend një tren që rend dhe ti që rend para trenit
(i ngjashëm ky imazh me flakën e gërshetit).

Pastaj fizarmonika në një mbrëmje buzëdetit
dhe guaskat që i bëre vëth
dhe laureshat që vdekjen presin përmbi kurmin tënd.
Ku je e çmendura e mençur, jetimja me një ëndërr fejuar,
lot i vonuar që bie heshtur
nga syri i dikujt
që ka tre orë pushkatuar.

Thoje se të ndiqnin hijet, policët. Një revolver i artë
rrinte fshehur në gonxhe jargavani. Pasqyrat
të bënin shenja me çdo të plasaritur,
gjyshi të dërgonte degëz ulliri me sqepin e një pelikani…
Ku je tragjedi e lodhur, Kasandër e vrarë, Andromakë e marrosur,
Lot i vonuar që bie heshtur
nga fytyra e ëngjëllit prej vitesh vrarë.

 

NJË PLAKË NË UDHËKRYQ…

Një plakë në udhëkryq thurr e shet çorape
Kryqëzohen shtizat: një luftë paqësore shpatash
dhjetë gishtërinjtë e rrudhur
në oborret e pëllëmbëve duken plakëza.

Plaka thurr, vjen polici: e shtyn për biznesin pa leje
plaka qan, lotët bien mbi shtiza: thurrin trikon që unë do vesh nesër
të ngjashme me trikot që thurrte nëna përjetësive tretur.

Shtiza të nxehta nga puna dhe lotët, të sapo dala nga një fabrikë rrufeje
triko e çorape të palosura udhëkryqeve të botës: garderoba reje…

 

ALKIMIA E KRIJIMIT TË NJË ENGJËLLI

Është fare e thjeshtë
fare e thjeshtë, Madhëri:
marrim një pëllumb dhe një qershi
një lumë pa shtrat, një tradhëti
një pyll pa pemë, një melodi
pastaj pak flakëz nën një yll
dhe natyrisht pak dashuri
Absurdin kthejmë në epruvetë
i përziejmë me ca marrëzi…

Fare e thjeshtë
fare e thjeshtë, Madhëri:
marrim pak erë, një trëndafil
një të trokitur në mesnatë
një puthje deri në orgji
hapa të lehtë që kthehen prapë
dhe mbylli sytë dhe fli…
Absurdin kthejmë në epruvetë
i përziejmë me ca marrëzi…

Dhe kur mëngjesi të ketë zbardhur
nga qielli marrim një grusht vesë
marrim një ëndërr të patharë
dy sy: dy zhure nën rrjedhë shprese
dhe fare pakëz pabesi…

U bë dhe engjëlli, Madhëri!…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s