Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
SËNDUKU
Bëra dhe katër hapa të tjerë
më në fund e hapa portën,
Hyra brenda pa u ndjerë,
duke lenë tej derës botën…
Më vërshon një mal me mendime
ndërsa sëndukun hap ngadalë,
më zënë përdore kujtimet,
një bllok më shfaqet i bardhë.
S’ ka emra, nuk shikoj shkrime
gërma kërkon syri, zemra dridhet
Në ç’ fletë është fshehur rinia ime?
Një lot i nxehtë syrit i vidhet…
Kotet mundimi, si kohë e ngrirë,
kujtimet e mia, valle ku mbenë?
Koha gjurmet në vite ka fshirë.
Po shkrimet, fjalët për kë qenë?
GJUMË I TREMBUR
E trembur zgjohem nga një ëndërr,
një ëndërr ku nuk isha vetvetja,
i buzëqesh sërish gjumit të ëmbël,
ballin fshij, mbuluar nga djersa.
Gjumi s’ më zë, veç para syve
tek dritarja më shfaqet hëna
– Fli,- më thotë, se unë dhe yjet
sonte do bëjmë truprojën tënde.
VRASTARË
Që kur lindën tradhëtitë,
Po japin shpirt dashuritë
Vrastarë ne nga pak, përditë!