Rudina Muharremi Beja, poetja që i rrëfen botës shpirtëroren e një ndjenje delikate / Nga: Albert Vataj

Rudina Muharremi Beja, poetja që i rrëfen botës shpirtëroren e një ndjenje delikate
 
Të shkruash për poetët është një përgjegjësia e një ngulmimi të tillë trysnie forcash, që së ngutshmi të ngërthen në një stepje. Nguron dhe heziton, trazohesh dhe druhesh, se mos ajo që do të shprehësh do të jetë… gjithnjë ajo që duhet. Megjithatë unë i kam lënë çdo gjë në dorë fjalës, rrjedhshmërisë së atij mendimi, që e gjen rrugën nëpër një udhë që kalon përmes një realeje imagjinatash dhe përfytyrimesh, të cilat, të stolisura me dritat e vezullimta të ndijimeve, shndërrojnë gjithçka në frymë. Rend i përshkuar prej taftesh dhe aromash, përcikjesh të befta dhe shkundullitjesh trandëse, zbret dhe ngjitesh, fluturon dhe bie, qan dhe qesh, epshesh dhe dehesh në ndijime, dhe… përmendesh. Je i gjithi i mbushur me një përjetim të tillë dhe gjithçka rretheqark të është derdhur në një dritëpamësi më të kthjellët. Ndijimi arrin të të përceptojë çdo grimcë dhe vështrimi të mbulojë me vezullim çdo trajtë që të rrethon. Ngulmimi të shquan çdo dritëhije, zemrën të duket se e ndjen në çdo kraharor, dhe syrin që të loton në çdo dhimbje. Jeton poetikisht ndërsa poezia hyn brenda teje dhe poeti, poetja në këtë rast, Rudina Muharremi Beja, shpërfaqet përmes poezisë së saj, e ëndshme.
 
Çiltërsia dhe sinqeriteti, me të cilën përshkruan dhe përcjell momentin ngasëse poetik, lirshmëria dhe zhdërvjelltësia e vargut dhe figurshmërisë, e bëjnë poezinë Rudina Muharremi Beja një komunikim ndijimi që përshkon çdo epje tonën për emocion dhe përjetim.
 
Gjithçka në të zakontën e jetës së saj, përfshi edhe kulmimin e jetësimeve të tendosura emocionalisht është një proces i të çdoditshmes, i cili zhvillohet në një reale gjendjesh që të përfshijnë, duke u strukur brenda teje. Ata tashmë janë ajo trajtë që përcakton mënyrën se si i qasemi botës. Shpirti është zëri i vetëm që dëgjon dhe poezia është e vetmja mënyrë komunikimi.
 
Është vetë poezia e një ndjenje të brishtë poetike strukur thellë në zemrën e një gruaje, ajo pëshpëritje që dëgjojmë, ndërsa rëndim heshturazi në këtë udhërrëfim poetik.
 
Kompozimi në krijimtarinë poetike të Rudinës është i kuruar me shumë kujdes. Brendia dhe forma e bëjnë poezinë e saj unike. Kujdesi për ta mbrojtur poezinë nga teprimet dhe vargun nga çdo s’forcim, bëjnë poezinë e saj të butë dhe të ndijshme, përshkuese. Çdo çast dhe çdo përjetim është për të një shkëndi, dritimi i të cilës feks ashtu papritur brenda sajë, për të marrë trajtë në vargje.
 
“Poezia është emocion i vendosur në masë. Emocioni duhet të vijë nga natyra, por masa mund të merret nga arti”, shkruan Thomas Hardy, dhe Rudina dukshëm i përmbahet kësaj.
 
Ndoshta për të nuk është me rëndësi përvetësimi i një tipizimi krijues, i një praktike zbatimi të lojës së fjalës dhe vargut, muzikës dhe ritmit, gjë e cila është shndërruar në një modë dhe ngulmim zgjerimi të territoreve të interesit nga poezishkruesit. Nëse ata nxitojnë të bëhen zgjatime të një përvojë apo shkolle, ajo preferon t’i përgjigjet thirrjeve të brendshme, për t’i kthyer ata ngacmime ndijimesh në trajta komunikimi. Kjo padyshim që e ka favorizuar të mos humb kohë për t’iu bashkëngjitur dikujt dhe për të bashkëndarë zotërimet me dikënd tjetër. Ajo është vetvetja prej fillimit deri në konkretizim krijues.
 
Larmia e tematikës në poezinë e Rudinës ndiqet nga një vëllim i lartë prurjesh. Vargëzimi është dukshëm tek ajo si një nevojë për të bashkëndarë shpirtëroren e saj, domosdo për ta çliruar brendinë nga ngarkesa gjithnjë dhe e vazhdueshme e betejës së shpirtit, me çastin dhe tërësoren e një përshkueshmërie gjallimi.
 
Poezia e saj është manifestim i tërësisë së atyre komponentëve që kanë ngjizur në shpirtin dhe kanë ndërtuar atë trajtë që lipset; për komunikim me njerëzit, për dehje me shpirtrat, për prani me fjalën dhe vargun, me poezinë.
 
Ne duhet të jemi të vërtetë dhe të mos vuajmë prej maktheve të robërisë së frikës të dëshmojmë gjithëçfarë e përshkon nëpërmjet atij ligjërimi që urdhëron ndjenja, krijimi. Kështu mendon dhe bën ajo me poezi dhe krijim, me ndijimin dhe përjetim.
 
Ajo që e bën këtë penë, një vlerë në poezinë moderne, një pretenduese për të qenë pjesë e asaj poezie të bukur dhe përshkuese është thjeshtësia dhe transparenca e mëtimit krijues. Ndonëse publikon vazhdimisht, gjithnjë ajo rreket të sjellë larmi dhe ngjyra dhe të jetë vetvetja, një sfidë kjo e vështirë në një ballafaqim me krijuese të tjera, me tendenca dhe mënyra të shumëllojshme shprehish kumtuese. Kjo karakteristikë dalluese e krijimtarisë së Rudina Muharremi Beja, tregon se kemi të bëjmë me një identitet krijues të kultivuar. Ajo e njeh poezinë siç njeh veten. Poezia për të është një mënyrë komunikimi dhe nevojë, tek të cilat ne shpesh gjejmë copëza të përjetimeve tona dhe ndodh që ky varg apo ajo simbolikë, kjo metaforë apo ajo figurshmëri, kjo strofë apo ajo poezi, janë qënie që bartin diçka tonën. Kjo është magjia e poezisë, ky është privilegji i poetëve dhe kësisoj ne të gjithë marrim dhe japim prej njëri-tjetrit në një botë shpirtërore ku fjala i shndërron sendet në frymë, gjendjet në ndijim dhe ne… ne na kthen në shpërthime drite që llamburijnë në sytë e çasteve që janë jeta jonë.
 
 
 
Nga: Albert Vataj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s