Cesare Pavese
Kalendari poetik: Cesare Pavese (1908-1950)
9 shtatori shënon ditën e lindjes së një emri të shquar të kulturës italiane: Çezare Paveze; shkrimtar, poet, përkthyes, eseist dhe kritik letrar. Familja e tij qe në gjendje të mirë ekonomike, por i ati vdiq kur Çezare qe pesë vjeç, nëna e tij s’kishte shëndet të mirë, qe e rreptë dhe kjo gjë ndikoi mjaft në karakterin e paqëndrueshëm të tij.
Në ditarin e tij pati shkruar: ”Punova, u dhashë njerëzve poezi, ndjeva dhëmbjen e shumë njerëzve, kërkova vetveten.”
Me një ndjeshmëri mbi të zakonshmen, nga një zhgënjim në dashuri i dha fund jetës me vetvrasje. Qe shumë i ri, pas ca ditësh do të kishte mbushur 42 vjeç…Zgjodha t’ju paraqes këtë poezi të Pavese-s sot:
DO TË VIJË VDEKJA DHE SYTË E TU DO TË KETË
Do të vijë vdekja dhe sytë e tu do të ketë,
kjo vdekje që na ndjek
nga mëngjezi në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një brengë e vjetër
a një ves i kotë, sytë e tu
si një fjalë boshe do të jenë,
klithmë e heshtur, heshtja vetë.
kështu çdo mëngjez i sheh
kur përkulesh për t’u parë
në pasqyrë. O shpresë e dashur
atë ditë dhe ne do ta kuptojmë
se jeta dhe asgjëja je.
Për të gjithë vdekja një shikim ka.
Do të vijë vdekja dhe sytë e tu do të ketë.
Ka për të qënë sikur të lësh një ves,
sikur në pasqyrë të shohësh
një fytyrë të vdekuri,
sikur të dëgjosh buzë të mbyllura të flasin.
Të heshtur në vorbull do të zbresim.
© shqipèroi Maksim Rakipaj