Poezi nga Rexhep Shahu
Nuk e dija mallin kaq të rëndë
Malli për ty u bë si deti që pi lumenjtë e s’ngopet
Si qielli i natës terr që s’i mjaftojnë yjet për dritë
Si sytë e të verbërit që nuk ia di ngjyrën diellit
Malli për ty u bë breg ku nxjerr dufin dallga
Pritje që rri varë, gjeth që kalbet, udhë e braktisur
Që vajton mungesën e hapave e të hijeve
Buzë shkrumb për buzë si brigjet për urë.
Malli për ty më bën gjinkallë vere
Që s’di a këndon a vajton…
Muzikantët e vdekur
Pulëbardhat e trishtuara enden në qiell
Duke shkruar simfonitë që do të luajnë nesër
Muzikantët e vdekur.
S’mund të ulen ta prekin detin
As sa për një tingull.
Se deti vlon dhe kërkon të derdhet prej enës së vet.
Ti në breg
E mbytur në detin e mallit
Me sytë e mendjes më kërkon.
Nuk sheh as peshqit e vdekur që nxjerr deti
Peshq që rendin të bëhen njerëz.
***
I duhen duart e tua fytyrës time që digjet
duart e tua t’më rrëshqasin në fytyrë
ta shkruajnë dashurinë
ashtu siç i duhet një hënë sonte kësaj nate
për të mos e lënë krejt të verbër
të mos thejë qafën nëpër yje të shuar.
NA LINI
Na lini të jemi të pa emra sonte
Mos na kërkoni pasaportë
Eva është kjo, unë jam Adami
Dashnorët e parë në botë
Na lini të jemi veç dy njerëz sonte
Të digjemi e të bëhemi hi
Mos na spërkasni me pështymë tek flisni
Mos villni nga sytë padi
Na lini të jemi pa identitet sonte
Mos na kërkoni pasaportë
Eva është kjo, unë Adami
Dashnorët e fundit në botë