Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj
Pa adresë
Fshehur silueta jote
në skutat e harresës
bashkë me dhimbjen,
ku flenë kujtimet e flakura.
Mbytur premtimet në detin e mërzisë,
veç fryma rend e lirë pa adresë,
bashkë me poezinë e shpirtit,
ku shkruhen fjalët e mallit.
***
Në sytë e mi lahet
tejdukshmëria e të vërtetës
e ti e sheh veten nudo,
ndaj shmangu shikimeve hetuese.
Një lule
E ç’ mund të jetë një lule më shumë
veç një sythi çelur kaq brishtë
syrit të hënës prerë përmes resh
e endur fshehtas netëve pa gjumë
të ftohtit thëllim ngrirë trupit pemë
degësh përthyer të egrës stuhi
pikuar lotit të hidhur dimër
e zgjuar shtratit të borës bardhësi
ardhur kaq beftas petalesh ndezur
e shkrirë aromash ngjyrës së stinës!
Ndryshe…
Mendimet fluturojnë me krahët e ëndrrave
si zogjtë e lirë qiellit të kaltër,
kurse fati rrokulliset rrugëve e shtigjeve të kohës që nuk di të ndalet asnjë çast
e ne burgosim brenda vetes gjithë sekretet e kujtimet.
Universi i plotë fle brenda njeriut
e shkruan çdo faqe në librin e shenjtë
për misteret e stinëve,muajve e ditëve,
për përmasat e gëzimeve e dhimbjeve,
për engjëjt e demonët që takojmë çdo ditë,
për ndjenjat e zjarrta e të përgjumura
në udhëkryqin e zgjedhjes së kahut të duhur të lëvizjes,
në udhëtimin e gjatë të mallit për atë që shkon
e nuk kthehet dhe atë që na pret në rrëmujën e zhurmshme të përditshmërisë së njerëzve rastësorë,
nën simfoninë e ardhmërisë joshëse
me lumin e fjalëve shtegtuese në imagjinatë
në lojën e përjetshme mes territ e dritës,
ku toka zgjat krahët e lutet me sytë drejt qiellit
në pritje të së panjohurave të së nesërmes ndryshe…
Faleminderit Agron Shele!