REFUZIMI / Tregim nga Odise Kote

REFUZIMI

 

Tregim nga Odise Kote

Nëse nuk e mposht një herë të vetme frikën, do ta kesh përjetë. Frika është si rrëzimi nga kali.E shkuara nuk mund të kurohet.
Iu rikujtua ky verb që sepse i kishte mbetur në tru pikërisht atë çast, kur në autobuzin e mbrëmjes, të linjës Athinë – Tiranë hypi ajo.
Ajo u ul pranë tij. Këmbëterse, do ta quante kohë më pas. Ajo kishte moshën e gruas në shpërthim. Muaji mars për moshën e saj sillte theksim të hijeshisë, ndërsa tek ai ringjallje. Ajo u ngjesh disi pranë trupit të tij sikur kishte ftohtë. Trupi i saj i butë e përplot lakime delikate, ashtu si padashur nisi të kuptojë e të marrë format e mendimeve të tij. Në dritën e bruztë të mesnatës, bukuria e saj ishte e tillë që duhej nderuar me të gjithë fuqinë e duhur mashkullore. Ai ndjeu dhembje midis gjymtyrëve, krrëk, atë dhembjen që lëshon thyerja e guackës kur ndihmon të kuptuarit e situatës. Gruaja e re, ulur në krah, ishte nga ato që i quajnë tricilësore, e zgjuar e ndjeshme dhe seksi. Vetëm një marruk mund t’i kthente kurrizin diçkaje me kaq rëndësi sa ç’është dashuria! Gruaja e re psherëtiu dhe fryma e saj ngjau sikur ishte aroma e një trëndafili të porsaçelur. Në fytyrën disi pikaloshe, si mëngjes i patrazuar, bëri krahasim mendja e tij e ndezur, rrezet e para të diellit vizatojnë imazhe dhe premtime. Por atij çasti, iu duk sikur në tru befas u ngjit e ia behu një fjali e çuditshme që atë të frikës e s’dihej prej nga erdhi: sa më shumë e dëshiron një gjë, aq më shumë e humb atë! Fjalia i ngjau me ato lojërat e koketave që dërgojnë kinse tek tjetra buqetën me lule dhe shënimin sipër: “Dikush të do. Enigmë”.
Në qindra vjet nuk dihet përse ende femrat duan të gënjehen nga e njëta hile. Ndoshta mendojnë që besimi në virtyt është më i rëndësishëm se vetë virtyti!!!
Po a dashurojnë ato tek mashkulli vërtet virtytin apo dicka tjetër…?
Mendimi i arsyeshëm të vret shpirtin. Tjetri, ai rebeli të çon tek aventura.
Ai e ktheu plotësisht kokën nga ajo. Sytë e saj, megjithë ndriçimin e zbehtë, ishin pa asnjë grimcë faji.
Akull.
Të zinj gjer në thellësi të përfytyrimit, me një rreth të hollë përposh si byzylykë ciganeje. Kurse lëkura ishte e bardhë. E bardhë dhe e hovtë sikur sapo ishte larë nga bryma. Ajo e bardhë që hovte, kërcente përpjetë … sikur kërkonte … sikur shëlbehej…
Vështrimi i tij përshkoi pjerrtazi lëkurën e trupit të saj dhe ledhatoi ëmbël format e fryra e luginat e ngrohta. Pastaj ndali tek buzët fërgëlluese, të mishta, epshore që çuditërisht sikur ishin gati të dorëzoheshin. Ajo lëvizi dhe u afrua pak më tepër. Sytë e saj udhëhiqnin afshin e trupit. E ngjeshi pas tij. Ngrohtësia u përçua dhe mbërriti tek ai. Mijëra duar të vockëla e prekën.
Të ndjesh gjer në grimcat më të imta një grua të re që qëndron e gatshme në krahun tend, është më tepër se të bësh dashuri. Intimiteti që krijohet është i pakufishëm. Ndjeu frymën pohuese të saj. Ndjeu lëvizjet e dlira e deri preku me fantazi ëndrrat e saj. Preku avujt e ngrohtë të dëshirave. Symbyllur, me drojë të shurdhër, deshi të lëvizte dorën për ta çuar aty, nën xhaketën e zezë me dantella të bardha, poshtë kortesë, ku trupi fërgëllues kërkonte ledhatime të plota burri. Dëshirën e ëndërrt e këputi në mes mesazhi që i mbërriti në celular. Mesazh i shkurtër. Nga gruaja e tij. Ajo e pyeste deri ku kishte mbërritur autobuzi dhe a kishin ndonjë problem… I ktheu menjëherë përgjigje qetësuese. Pastaj puliti sytë gjithë trishtim. Pesë orë më parë kishte mbërritur në Athinë për ta sistemuar atë tek motra e tij emigrante. Gruan dhe vajzën e vogël. E largoi nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve e rrezikut që i kanosej. Ai ishte bankier prej njëzetë vitesh. Drejtor banke në qytetin e vogël jugor të Shqipërisë. Në jug, atë mars të motit 1997, kishin shpërthyer protestat kundër skemave piramidale, protesta që më pas degraduan në rrëzimin e shtetit, dhunë, grabitje bankash. Banka e qytetit të tij ende rezistonte. Ai bënte çdo ditë rojë, bashkë me disa djem të rinj vullnetarë dhe miq të familjes. Sms-ë e gruas dhe kujtimi i ngjarjeve të ditëve të fundit, rreziku se ku do të rikthehej, e stepën. U ndal. U hoq disi mënjanë.
E di ç’ndodh kur ndodhesh midis dy gjërave? pyeti veten. Nuk bën mirë as njërën dhe as tjetrën. Ndërsa ajo, pa e ditur se ç’bluante ato çaste burri në krah, pa e fshehur fytyrën nga turpi, e kapi për beli, e shtrëngoi dhe kërkoi që ai ta ledhatonte. Mbështeti kokën në supin e tij. Por ashku i fillimit qe bjerur disi. Dëshira e tij sikur ishte dërmuar nga pikëllimi. Ndihej i sfilitur si një krijesë e mjerë. Donte të kërkonte falje për zbrazësinë e tmerrshme të plot fjalëve të heshtura.
Fjalëve të munguara. Nuk dinte asgjë për të. Nuk e pyeti. Qenë njohur atë mbrëmje. Pa thënë asnjë fjalë të vetme.
Ç’ishin për njëri – tjetrin?
Dy të panjohur. As të dashur, as miq …as…Po, po, dy të panjohur.
Mbase një ndjenjë e menjëhershme dhembshurie, prehjeje e paqeje në atë autobuz komod të mesnatës, keqardhja e tmerrshme për vetveten, apo ikja prej merimangave të anktheve i kishte afruar. Ose mbase etja për dicka normale, larg marrëzisë, larg frikës.
Ai ndjente dhembje dhe dëshirë të ishte gjallë.
Ajo e pikasi.
Kurse ajo e kishte fshehur thellë dhembjen apo sekretin e saj dhe ai donte ta zbulonte e të jetonte me të.
Si në një lojë.
Të dy kishin gjetur arsye të mirë.
Por pas sms -së përgjuese të gruas së tij, mbetur atje në Athinë, ai nuk ishte më i sigurt. Nuk po vendoste dot. T’i ikte tundimit dhe ta hiqte dorën e saj, apo…?
Dora e saj rreth belit te tij ishte thirrje, ftesë, kërkesë për të eksploruar thellësitë. Nuk besoj se ka ndonjë gjë infektuese, qeshi përbrenda gati në ngashërim. S’jam as prift, as babagjysh i nënndërgjegjes e as psikologu i saj.
Ajo i frymoi lehtë sërish mu në qafë, me atë aromën e trëndafilit që tani sikur e kishte kuptuar dilemën e tij. Atë çast të shkurtër çiltërsie i pëshpëriti në vesh: Rasti e solli! Me këtë deshi ta qetësojë ndërgjegjen e tij, duke i thënë që midis tyre nuk do të kishte projekte, as telefonata të fshehta, as ikje e dehje, as bredhje rrugëve natën, lokale e aventura hotelesh. Zëri i saj nuk u dëgjua më, si të ishte mbërthyer nga kthetrat.
Të dy e ndjenë se si heshtja nisi të rritej përbrenda duke copëtuar shpirtrat e tyre. Vjegat ku ishin mbërthyer nisën të lirohen. Padurimi po rrokullisej në humnerën që s’kishte fund.
Ajo nuk tha me përgjërim: Puthmë! dhe as ai nuk zgjati duart pafundësisht. U afruan vetvetiu dhe të dy u gjendën të gjunjëzuar përtej vetmisë, përtej kujtimeve të trishta, përtej syve të lidhur me fashat e moskuptimit.
Flokët e saj ranë mbi krahun e tij sikur donin të besonin aty të fshehtën e thellë, atë të cilën sytë e tij të mendjes nuk e kishin zbuluar dot deri atë çast.
Të përqafuar qëndruan gjatë. Ashtu të lodhur, në krahë të njëri tjetrit, i zuri gjumi.
U zgjuan në ag të ditës, kur shoferi grek thirri: Zbrisni! Mbërritëm në Kakavije. Autobuzi nuk shkon më tutje! Jashtë dritareve, dita e re kishte zbardhur me dritë të kursyer, të drojtur.
Të pamjaftë.
Të pakët, të tkurur. Ndërkaq, zhurma trufulluese e pasagjerëve, klithmat, të bërtiturat i shtendosën. Përgjumja iku dhe vendin e saj e zuri ankthi e pasiguria. Autobuzi i linjës Athinë – Tiranë i kishte prerë në besë…
Bllokimi i rrugëve nga bandat grabitëse u bë shkak që pronari grek të pezullonte udhëtimin drejt Tiranës.
Ai dhe Ajo zbritën të zemëruar, si gjithë të tjerët, mes rrëmujës e protestës për padrejtësinë e shoferit grek.
Në platformën e doganës s’dukej këmbë njeriu, veç disa taksistëve që prisnin të urritur.
Frynte erë kallkan marsi që të rrëmbente si gjethe. Marim një taksi bashkë? – e ftoi ajo. Ku shkon ti…? pyeti ai.
Në Fier.
Hezitoi.
Pse jo – tha një grimë më pas.
Nuk vonohemi – dhe fytyra e saj ngazëlleu. Duhet të jem në varrim në orën 11.00. Mbarojmë dhe ikim. Varrim…? – humbi disi drejtpeshimin ai. Po – tha ajo e vendosur. Varros atë … nuk e kisha as burrë, as të dashur …isha e rrëmbyera e tij – dhe uli kokën si e zënë në faj.
Ai u trubullua. Nuk kuptonte asgjë. Ngushëllime. Ti …ti …s’më the gjë… – iu muar goja.
S’ka gjë – tha ajo. Eja me mua të lutem. Mos ki gajle për para…kemi sa të duash…
Ai ra më thellë në trbullim e humbi sërish fillin e llogjikës.
Ç’bëhet kështu?
Sa të varros Xhetin dhe pastaj ikim… – foli ajo e bindur që pas këtij shpjegimi i kishte fshirë gjithë mëdyshjet e tij. Xhetin …? Në Fier?! Ai u drodh. Xheti ishte kapo bande. U vra një ditë më parë bashkë me njëmbëdhjetë shokët e tij. Ata vinin nga Vlora. Grabitën bankën e qytetit dhe po hynin në Fier. Në afërsi të Fierit ranë pritë. Në lajmet e mediave u tha që ishte aksion i policisë së shtetit. Xheti i tmerrshëm i bandës grabitëse të bankave të jugut. Foton e Xhetit e kishte në sirtar të tavolinës. Policia e shtetit e kishte shpërndarë disa ditë më parë.
Eja – e ftoi e vendosur ajo.
Ai u ndërdysh. Ndjeu djersë akulli e faji në kurriz. Nuk lëvizi vendit. Mbeti shkretan në mes të platformës së doganës, ku era rrihte me shkulme nga të katër anët. Nuk mund t’i gjendej pranë në fatkeqësinë e saj. Fatkeqësia ishte si ajo erë e fortë, erë e marrë.
Si stuhia.
Si stuhia që na i grabit lehtësisht ato gjërat e dashura që askush nuk mund të na i marrë …

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s