Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

MËKATET E POETËVE

Të më emëronin mua jurist të qiellit,
Do shkruaja një ligj vetëm me një nen:
T’i falen të gjitha mëkatet poetit,
Shpirtin e di që ia dërgojnë në Ferr!

Shpirti rebel ngjanë me çmendurinë,
Dhe vetëm Ferri pranon të çmendur;
Sadoqë kjo botë është e tëra çmendinë,
Vetëm poetët janë më të nëmur.

Mëkatet e poetëve: Treten si qiriri!
T’i japin dritë kësaj bote të verbër;
Paçka se paskëtaj s’u mbetet as hiri,
Diku, mbi një varr, ndoshta as emër.

Diku mbi një buzë, ndoshta një këngë,
Diku përthanë lotët, ndoshta, një varg,
Në ndonjë zemër, mundet dhe brengë,
Si fllad i jehonës që vjen nga larg.

Kjo botë ka më shumë pleh se lule,
Dhe më shumë mure të rrëzuar se gurë
Kjo botë servile që në pole përkulet,
Vetëm poetët s’ka për t’i kuptuar kurrë.

 

POEMË E PAMBARUAR

Nuk e prisja të rrëmbeja kaq shumë zjarre nga syri yt,
Ndaj besoj dhe në ringjallje, lumturoj edhe në shpirt.
Unë e di që rrufeja djeg më shumë në qiell të thatë,
Dhe i bëj dhuratë Zotit nga një lutje për çdo natë.

Ka vend plotë në zemrën time ku të prehet dashuria,
Thonë se pema kur s’ka fletë nuk i rri bukur hija!
Po kur dielli i faqes tënde s’ngopet dot me lotë vese,
Ç’faj kam unë fatlumi që kulloj si zgjua blete?!

Më magjepsi drit’e yllit, më verboi shkëlqim i tij,
Pa më thoni ç’farë të bëj, a nuk do i verbëri sy?!
Le të digjem, në u djegsha, përmbi gjoks të asaj hëne,
Dhe ta dini, se po vdiqa, do mbetem në rreshta kënge.

Ç’farë t’i bëj zemrës sime që s’lodhet duke trokitur
Edhe buzës zjarrpashuar, edhe syrit të uritur!
Shikoj vitet që këputen posi fletëza ulliri,
Nuk pyet trungu stinë dimri nën kostumin e blerimit.

Më thonë plepat degëtharë: “Ku e gjen gjith’atë prush?”
U përgjigjem flakë për flakë: “Buz’ e saj më jep musht!
Bëhet verë në buzën time një pikë lot nga syr’i saj
Ndaj ndihem si fëmijë, dehem, çmendem, qesh e qaj!

Dhe në gjumë e njoh yllin, atë yll që më dha dritë,
Kur po mbyllej port’e zemrës, ish ajo që më tha “prit!”
Prit,-më tha me ata sy, ma mbylli buzën me buzë,
Ishte Zot, a Perëndi, s’dua ta mësoj kurrë!

Nuk hap sytë se thahet kënga, mbetet dhe qielli jetim,
Dhe më pas ndalet zemra, nuk ka shpirt për shpirtin tim.
Ja, kështu do të jetoj edhe njëmijë vjet të tjerë
Sa të kem Ty dritë syri do shikoj vetëm pranverë.

Ty të kam edhe zjarr gjiri, copë-copë i thyej dimrat,
Nga marazi edhe bilibili do vajtoj mbi këto rima.
Kur na pa deti bashkë nisi dallgët për dasmorë,
Edhe hëna gjithë djersë mblodhi yje për kurorë.

Fati-mik i rrugës time, ndezi diell për njëqind jetë,
Veç i dehur mbi ata gjinje mora vesh se rroje vërtetë.
Nuk shikoj kush më shikon prapa, syri veç tek ylli im,
Nuk më fiket flak’ e shpirtit, s’shteret uji në burim.

Ishte ëndrra që kam parë atë ditë që hapa sytë
Si kjo ëndërr s’kam shijuar tërë jetën një të dytë.
Kujt t’i falem, t’i përfalem, kujt i jam borxhëli?!
Për këtë zjarr që më ndezi në këto vite veshur grì!

Përveç teje vetëm qiellit, që më çau kraharorë
Dhe mbi zemrën timë plagë vuri një tjetër me dorë.
Ti u bëre si një fanar në këtë jetë dallgë e stuhi,
Ku spirancën lidhi shpresa pranë molit Dashuri.

Do të jenë këto rreshta një Poemë e Pambaruar,
Yll’i i fatit-lumturi, duhen vite për ta shkruar.
Ndaj nxitoj, se muza e bukur është si vesa në mënges,
Po s’e pive, ta pi dielli, mbetesh si kurorë pa mbret!

Do rrjedh gjatë kjo poemë, rrëkezat do bëhen lumë,
Për inat të kësaj jete vdekjen do ta vemë në gjumë.
Tani kam një ëngjëll ëndrre që më jep dritën magji,
Kur të iki nga kjo botë, këtë poemë e mbaron Ti!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s