Poezi nga Vasil Çuklla
Duke të pritur!
Tek i njëjti stol, në park, më shkoi jeta mes pritjesh!
Koha u plak, siç mplaken kohët, duruar!
Lulepritjet e herës shoh, se si vdesin venitjesh…
Ti ike! Vjedhur buzëqeshjen nga buzët munguar
Dëbora nxihet, në rotacion përsëritjesh!…
Kë vall të përqafoj veç erës kobëndjellëse?!… O Zot, kam dy duar
Që ligështojnë viteve, mes ëndrës dhe zhgjëndrës
Që mpaken edhe treten në mes kohë-fanitjesh!…
Dhe ti nuk vjen o ëndër!… O zhgjëndër, e privuar!
Varr breznish
Mjerani – babai
Mjerania – e shoqia
Mjeranë – të bijtë
Mjerane – të bijat
Nipër edhe mbesa
Një familje e tërë…
Stërgjysh, i stërgjyshit
Vetë – Babëzia!
Varrosur një varri:
Pllakvarri?! – Uria!
Sikundër…
Sikundër përskuq dielli, tokën, perëndimesh
Sikundër lind ylberi, furtunash të mëdha
Sikundër lind ideja, përmes meditimesh
Sikundër i mposht drita, terrnetet, hata
Dashuri n’a fal Hyu, diellçelur agimesh!
Sikundër shpotit, dita, gjithë punët e natës
Sikundër qeshet, dita… dhe tallet, me to
Sikundër formëzon, gurin, teh’ i daltës
Sikundër do njeriun, që di, se të do…
Dashurinë n’a la Hyu, bekim, gjuhëzjarrtës!
Sikundër hedh rrënjë, fidani, të rritet
Sikundër ndyhet uji, në vazhdë, jo në krua
Sikundër vdes ëndrra, kur ëndërrimi pritet
Sikundër mbjen dardha, nën dardh, jo nën ftua
Kam lerë, që t’ju dua. Andaj dhe ju dua!
Fjala
Merre fjalën!
Në mundsh,
mpake.
Coptoje – si i thonë,
rrokjezimit…
A s’fsheh,
brenda sajë,
me mijëra dashuri?!
Merre fjalën!
Në mundsh,
flake.
Fund-honesh,
në të lavës zjarmi!…
Fjalë do të mbesë
Gugamë, mijëra krojesh!
Merre fjalën!
Në mundsh,
shpërbëje.
Grimcoje – si i thonë,
gërmëzimit.
Të gjithë Universin,
fshehur gjen aty!…
Jeton Dashuria,
në tinguj.
Këngëzimit.
Univers e planete…
jetojnë, përjetësi.
Brenda,
një U-je fshihen,
të vogël.
Trasta që mbart
botën e tërë.
Botën shndëruar, në gogël!
Mos më ler
Më merr në krahët e tu
dhe psallëm himne.
Mjeran,
diku vetmive,
mos më ler!
Mbi ty të më përpshpirtet,
frymë edhe vështrime
Më duaj, fort e dashur,
dielli sa s’ka lerë…
Mbas këtij çasti,
nuk jam më unë,
as fryma ime!
Mbas këtij çasti, jo!…
Asgjë s’ka vlerë!
Rrëmbem mes ëndrrës, krahësh
dhe mos i ler jetime!
Rrëmbem, siç rrëmben malli,
i pafrikë!
Rrëmbem, siç rrëmben puthja,
marruar përdëllimesh
Rrëmbem, tek nata shuhet,
pastaj ik…
Rrëmbem dhe humb mes njerëzve,
përmes zgjimesh!…
Nuk nxe në varg ky çast!…
Eshtë çast magjik!