ANTITEZA E JETËS (Vështrim mbi librin poetik të Fatjona Ndreut) / Nga: Viktor BAKILLARI

ANTITEZA E JETËS

(Vështrim mbi librin poetik të Fatjona Ndreut)

Së fundmi bleva një libër poetik te një librashitës.

Ka këto të dhëna:
Autor: Fatjona Ndreu

Titulli: Antiteza e jetës

E ka botuar shtëpia “Mirgeeralb” në qershor, 2007.

Autorja, lexojmë në pjesën e pasme të kapakut të librit, ka lindur në qytezën e Repsit, Mirditë në vitit 1987.

Ka një shkollim të shëndoshë. Është gju’hujse (gjuhëhuajse). Ka mbaruar të mesmen në shkollën gjuhëve të huaja “Shenjaze Juka”, Shkodër; të lartën në Fakultetin Histori-Filologji, (sot Fakulteti i Gjuhëve të Huaja) dega gjuhë angleze.

Antiteza e jetës” shënon librin e parë të saj.

Po ç’është ky libër që më “detyroi” ta blija sapo lexova tri-katër poezi?

***

E lexova librin në fjalë me një frymë. Është libër që të lë mbresa të mira, që të mbetet diçka në mendje.

Është një libër i këndshëm që nuk i është shtuar vetëm bibliotekës së Mirditës dhe mirditorëve, por edhe asaj të Bibliotekës Kombëtare.

Libri ka 66 faqe, brenda të cilave gjenden tri cikle poetike të titulluara: Dedikuar ty (19 poezi); Ngatërresë stinësh (18 poezi); Pa plumb të vrarë (15).

Ky vëllim është redaktuar mirë nga z. Bardhok Pulaj dhe paraprihet nga një parathënie e thukët po prej tij.
Libri, shprehet në fund të parathënies z. Pulaj, “është një vëllim që duhet përshëndetur me shpresën e lindjes së një poeteje të re që premton për të ardhmen”.

Në ciklin e parë “Dedikuar ty”, autorja i këndon Mirditës së saj të dashur, Mirditës së pamposhtur gjatë gjithë historisë që nga ajo e hershmja e gjer ditët e sotme “Kurrë s’u shembe Mirditë” (f.10); i këndon Migjenit të madh (f.11); dashurisë së parealizuar, një dashurie shumë prekëse (Jo se s’më deshi / Jo se më la / Por vetëm pse s’priti ta dinte sa e desha f.13); Ndoshta paska qenë e shkruar / Që Shën Valentini të mos jetë festa jonë. f. 14); Mendimet e bukura që kishim thurur / I thërrmove në qindra copa (f. 22); Ku dallohet shiu nga lotët (f.23); Jeta nuk është gjithmonë dashuri (f.24).
Në f. 25 gjejmë poezinë lakonike “Vetëm”: Si bredh rrugëve / Si tym i harbuar cigareje s’di se ku / Atë copëzën tënde të zemrës / Pse djallin e le këtu? (f.25).

Autorja i këndon shoqes së ngushtë duke i dhënë shpresë e optimizëm për jetën; i këndon nënës, motrushes së saj Ela (Jeta është e gjatë / Mjerisht do të na ndajë / Gjithmonë do ta kujtoj / Buzeqeshjen tënde të parë f.20).

***

Mjaft interesant është edhe cikli “Ngatërresë stinësh”.

Vuajtjet, dertet dhe zymtia dashurore-jetike e ciklit të parë përmbyset në të dytin. Duket si një revolucion sa natyror:

Pranvera erdhi këtë vit me borë / E dimri me lule plot / Si tek ne këtë vit / S’ish parë askund në botë.

Pse vallë i ndërruan vendet / Mos u mërzitën me rutinën / Lulet pa strehina u endën / E bora mbi to ngrohu shpinën.” (f.32)

…aq edhe shpirtëror:
Se vjen një çast kur / edhe i drejti ka vendin e tij / E kur vetë jeta bëhet dashuri (f. 33);
Këtu poetja shpërthen në dëshira e vizione për të shijuar jetën, bukurinë dhe kënaqësitë e saj.
Te poezia “Dëshirë” autorja shpërthen vrullshëm e rinorisht:
Do ta shkruaja edhe forcërisht / jetëgjatësinë time në librin e Zotit. (f. 34).

Më ktheni lapsin / Dhe pak të shkruaj / Për vargun që lashë gjysëm / Mos më lini të vuaj. (f. 40).

Si kulm i metamorfozës (shndërrimit), i kalimit nga bota e zymtë e ciklit të parë në këtë të dytin shërben poezia e cila është vendosur edhe si titull i vëllimit: “Antiteza e jetës” (f. 42):
Jeta është një përdhunshmëri e ndershme / Një poshtërsi e bukur / Një strehim i rehatshëm / Jeta është një instinkt / Dhe instinktivisht duaje atë, o mik… (f. 42).
Siç mund të vihet re, këtu kemi një pjekuri sa poetike, aq edhe reale të poetes.

Autorja në këtë cikël poetik na shfaqet edhe si një krijuese e mirëfilltë pejzazhiste- natyraliste.
Në krijimin lakonik “I dua” f. 44, autorja shkruan:
E dua hardhinë që prodhon vjeshtës / E sfidon thatësirën / E dua mimozën që mahnit pranverën / E dehem në aromën e saj / E dua edhe pishën ngjyrëgjelbër të fortë / Që dimrit ia heq mërzinë / Ndërsa yjet, ah…Yjet i adhuroj / Se më frymëzojnë për poezinë.

Ky cikël mbyllet me një poezi të titulluar “Të duash një njeri” (f.48), katërvargësh ky me reminishenca mistike:
Të duash një njeri kur ai s’të do / E ëndrrave t’ua shkyesh magjinë / A nuk janë mendime që vetojnë / E të vdekurit ia prishin qetësinë?
Nuk e dimë nëse te rreshti i fundit do të duhej “vdekatarit”, njeriut i cili është qenie e vdekshme, apo siç e ka shkruar autorja “të vdekurit, pra ai që ka vdekur, s’jeton më …?

Cikli i tretë i përbërë nga 15 krijime titullohet “Pa plumb të vrarë”.

Edhe pse e vogël në vitin 1997, vit i mbrapshtë për Shqipërinë, ky vit ka lënë blana e vurrata të pashlyeshme në vetëdijen e poetes.
Në këtë cikël ka vrasje, lot, dhimbje, vdekje, faj, vese, pra duket si një ditar-përjetim i vargëzuar. Në poezinë “Llafazanët” (f.61) autorja shkruan:
Ej dreq! Mijëra njerëz shqyejnë sytë / Për të parë sa më mirë / S’ka gjë. Kjo u duhet / Pasi mjeshtërisht kanë gjyqin / Për të bërë që në të gdhirë.

Kulmi i këtij cikli arrin me krijimin “Të këqinjëve” (f. 62.):
Të tjerë i shkruajtën / Dhelprës, ujkut, gjarprit / Duke u veshur këndshëm ato tipare / Shtazarake që kanë.
Unë vendosa t’u shkruaj / Njerëzve keqbërës / Me ata më ngjajnë.

Vëllimi mbyllet me krijimin “Ndarje”.

Një unazë që rrotullohet / Trotuareve të jetës … si e çmendur / Një melodi kitare e lënë në gjysëm / Një sy që pa qarë loton / E që shumë s’po kërkon / Një kafe mëngjesi në shoqërinë e hijeve / Një Romeo pa Zhuljetë / Një Don Zhuan i kotë / Ndarje, fjala më e rëndë në botë.

Si epitomë të këtij shkrimi modest mund të themi se libri “Antiteza e jetës” i autores mirditore Fatjona Ndreu është një libër “pak e saktë”, është një ndër shembujt e paktë të botimeve letrare, kur cilësia mposht sasinë, ku brendia ideore mposht vëllimin, pra numrin e faqeve.

Nga: Viktor BAKILLARI

Tir-28 britm i parë 2020-anë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s