E BUKURA E MUND TË KEQEN – Parathënie e Antologjisë Poetike: TRIREMA E POEZISË JONIANE – EDICIONI XIV (BOTIM I KLUBIT TË KRIJUESVE JONIANË / Nga: Pajtim ÇAUSHI

KLUBI I KRIJUESVE JONIANË
TRIREMA E POEZISË JONIANE – EDICIONI XIV

 
E BUKURA E MUND TË KEQEN

Kryetari i Shoqatës së Krijuesve Jonianë dodhitë e ditës shfaqen të pastra në mbrëmje. Por koha di vetëm të rrjedhë. Kështu ngjizen javët, muajt, vitet. Të ndodhurat na vinë në mendje si xixat e verdha gjatë symbylljeve nga rrezet. Kur bëhen të dikurshme, mendojmë me keqardhje se u tretën, por jo, s’kanë vdekur.

Në çastet kur zemra trandet nga kulme frike apo gëzimi kuptojmë që janë. Janë se shfaqen. Vinë këmbadoras nga stepat e kujtesës si gjymtyrët e shkëputur prej skeletit të shkërmoqur. Pasi vërtiten shtresave të trurit, bien në shtrojën gri të nënvetes.

Atje qëndrojnë tulatur të shpërndara si guralecët e mozaikëve antikë…

Jam brenda asgjësë së pavetëdijes. Rrotull vërtiten fjalë terri. Ato u ngjajnë lakuriqëve të natës që i trembin xixëllonjat e honeve. Kur bëhen tok krijojnë familje. Me emrat e tyre ndryshe nga tanët ulen tinës në shkallaren e ditëve…

Prej humnerave së asgjësë më nxorrën pickimet e dobta që ndieva. Kjo ndodhi në kohë pa emër. Të parët që fiksova brenda syve të turbullt qenë ata që më qarkonin. Me kostume të bardhë, sy të fshehur pas xhamash, fytyra të pashfaqura. Vallë kush janë?…

Hamendjet vinë si vargan. Mbase ëngjëjt e poezisë Naimi, Fishta, Agolli, Shkreli…Ndoshta të paikurit e përjetshëm Homeri, Dante, Bajroni, Elioti…Mbase poetët njëzetarë Xhevahiri, Moikomi, Fatosi, Agimi… Atëherë, patjetër janë ëngjëjt e jetës të përzier me poetë e alienë, banorë nga Marsi, nga sistemi diellor, nga Kashta e Kumtrit…

Eh, ku nuk vrapon mendja e poetëve!… Mendimin e nxorra me një britmë të mbytur. Pas britmës, prapë tek asgjëja.

Kthimet prej saj ndizeshin e shuheshin si shkrepjet e aparatit fotografik.

– Nxitoni, futeni në shërbimin intensiv, dallova zërin e alarmuar të dikujt.

Pakëz më pas i njëjti zë erdhi më afër, por i butë e lutës:

– Mos u bëfsh e intubuar, vogëlushe!…

Pse më quan vogëlushe?… Ej, unë jam e dashuruar!…

S’di, fola apo mendova?…

Mes vorbullës së asgjësë kërcejnë si kokoshka misri pyetje pa lidhje.

Si quhet njeriu i zërit?…Krijon apo s’krijon vargje?…

Ej, zonjushë, shiko veten dhe covidin, leri vargjet!…Si mund t’i lë vargjet zotëri kostumbardhë?… Ju folët për intubim, poezia s’ka intubim!…

Nga cepi tjetër i mjedisit një rënkim i zhurmshëm.

– Mjaft pra Safo, s’e kupton?… Ne po mundohemi!…

Qënka femër. Pas rënkimit, tri klithma të zgjatura. Në mugëtirën e trurit m’u shfaq Mbretëresha e poezisë lirike,

Safoja nga Lesbosi. Padashur mërmërita:

– Njësoj si hy më duket ai njer që të rri përballë dhe aty pranë teje vështron kur të ëmbël e shqipton ti fjalën dhe buzëqesh,  mirëpo në kraharor peshë ma çon zemrën buzëqeshja jote…

Qenë vargjet e saj. I thashë me mërmërima apo bërtita?…

Përse, duhet si i thashë?… Janë e gjersa janë do të thuhen sa të ketë Tokë!

Papritur më pushtoi ankthi i pavionit. Dikush më mbyste. Gërshëreza apo merimanga e verdhë?… Dukja e tyre më zhyti rishtas thellë asgjësë pa tinguj. Pas daravitjes së territ, afrohen dy zëra mjegullorë. I pari përsëriste rrokje që s’i bashkoja dot se vinin me jehona!… Më pas u kyjyen pyetje:

– Poezia të keqen s’e fton, atëherë e keqja si rritet e lulëzon?…

Përgjigjen e të dytit mezi e kapa se doli si pëshpërimë e menduar:

– Nëse e Bukura mbillet në arë të thatë, filizat i nxjerr të verdhë e të rrallë!

Ah, prapë honeve pa shqisa?…Fluturova si gjethja e drurëve në vjeshtë.

Kur u ktheva në shtratin e shërbimit intensiv, pas orësh apo ditësh?… S’e di se koha vijonte pa shenja. E para që më erdhi në mend ishte kënga e festës së Abetares. Qava. Mes dënesave zëri i asaj që u thirr Safo:

– U zgjove?… Mos qaj bukuroshe… Eh, mbase shpëtove se Zoti sheh e shëron!

Nga dera e hapur hynë dy qënie. Asnjë pjesë të kurmit s’e kishin zbuluar. Nëse doje t’u flisje, fjalët do të ngecnin tek

kostumi steril.

– Ky eshtë rasti i parë me moshë kaq të vogël? – mërmëriti njeri kostum.

– I pari, – u përgjigj kostumi tjetër dhe u kthye nga unë, – Si quhesh, vogëlushe?

Në mjegull të asgjësë u shfaqën fytyrat e poetëve të ikur Petrarka, Esenini, Migjeni, Mekuli… Përshëndetën nga larg. U sula drejt tyre. Më ndalën me dorë. Kaq. Vështrova kostumin që pyeti. Vendi i buzëve lëvizte. Mos qeshte?…

– Unë quhem Poezia Joniane, doktor… Paragjyshja ime është Poezia epike. Ajo ka monument në rrënojat e Trojës dhe në Alpet me borë.

Tingujt mezi i bashkova, por mburrja dallohej. Pse të mos mburrem?…

Ka edhe muze. Unë i kam parë, por thonë edhe të tjerë që kanë qënë. Janë shkruar edhe shumë libra…

– Më pas për paragjyshen, tani trego diçka për veten, vogëlushe.

S’e kuptova cila nga gojët e fshehura foli. Pse ka rëndësi kjo?… Tani unë jam. Gjersa jam, përse të mos flasë?…

Asgjëja kishte mbetur pas, por mjegulla qe ende e dendur. Mes saj kishte xixa të verdha. Me mundim nxorra prej nënkresës një libër të ri dhe ia dhurova. Lëshoi një pasthirmë habije:

– Libër i ri mes covidit?… Çudi si s’qënka intubuar!

Pas kësaj lexoi me zë të lartë fjalët e shënuara në kapak:

– Trirema e Poezisë Jonike, edicioni XIV!…

Të shtruarit e pavionit infektiv ngritën kokën disi më të gjallëruar. Njeri tek qoshja jugore e pavionit këndoi me zë të ëmbël këngën çame të dasmave:

– Me shëndet o dhëndër – o!

Marrsh një nuse shkëndël – o!…

Njeriu kostumbardhë u kthye andej nga erdhi zëri, hapi krahët dhe ia bëri:

– Ç’bëhet kështu?… Këngë me covid?… Eh, njeriu qënka i pakapshëm si xhind!

Safoja çuditërisht hovi në këmbë dhe foli me zë të kthjellët:

– Si mund të intubohet Poezia?… E shikon doktor, e Bukura e mund të Keqen!

E ndieva veten të shëruar plotësisht…

Nga: Pajtim  ÇAUSHI
Sarandë, shtator 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s