BESA SHQIPTARE E KOSTANDINIT (… dhe varianti serb i baladës …) / Nga: Timo Mërkuri

 

Timo Mërkuri

BESA SHQIPTARE E KOSTANDINIT
…dhe varianti serb i baladës…
 
 
Balada e “besës”, siç quhet zakonisht balada “Kostantini dhe Doruntina” përtej çdo hamendësimi gjëndet edhe në gjuhën serbe dhe boshnjake, por ajo që të bën përshtypje te këto dy variante është fakti se teksti është i njëjtë, jo vetëm si kuptimshmëri, por është i njëjti tekst me 122 vargje, veçse është i shkruar boshnjakisht te njeri variant dhe serbisht te tjetri. Këto dy variante gjënden te antologjia EMOS “Antologjia e poezisë ballaknike ”Athinë 2006, ku varianti serb ndodhet në f.q.390-393 i përkthyer nga Emin Kabashi, ndërsa varianti boshnjak ndodhet në f.q.100-101, i përkthyer nga Fatime Imeraj –Zeqiri. Ngjashmëria e tyre shpjegohet me faktin se të dy tekstet kanë të njëjtin burim, Antologjinë e poezisë popullore (Narodna srbska pjesnarica) të Vuk Stefanoviç Karaxhiqit , botuar në Vjenë në vitin 1815 . Do vlente së tepërmi po të na jipej edhe emri i rapsodit prej të cilit është regjistruar si dhe fakti në se këtë regjistrim e ka bërë vetë Vuk Karaxhiqi apo ja kanë dërguar në Vjenë bashkëpunëtorët e tij . Kjo baladë gjëndet në Antologjinë “Këngë e sllavëve të jugur ” me nr 513 dhe ka shënimin: “Përkthyer nga teksti i përmbledhjes: Karadžič, vëll. II, № 5. Regjistruar nga një vendas i Serbisë jug-perëndimore. Balada u përdor gjerësisht mes sllavëve të jugut. Në sllavët e lindjes, kjo baladë është e njohur në formë përralle ”.
Në lidhje me këtë baladë, është interesante fakti që studiuesit serbë janë mjaftuar me botimin te antologjia“Këngë e sllavëve të jugurt” dhe nuk i kanë bërë ndonjë reklamë, thua se u rëndonte akti i tjetërsimit të tekstit te varianti shqiptar, prej nga e morën.Veprimet e së kaluarës janë peshë e rrëndë dhe nuk mund të kalohet deti me ‘to në shpinë. Arsyet e heshtjes serbe mund të jenë të shumta, por e pakuptim është heshtja e folkloristikës shqiptare, në një kohë që kjo kishte shumë për të folur për variantin serb të kësaj balade dhe raportin e saj me variantin shqiptar.
Mendojmë të shprehemi për këtë baladë dhe për raportin e saj me variantin shqiptar, por për të
kuptuar drejt debatin, le të lexojmë së pari variantin serb të përkthyer në shqip, si më poshtë :
 
“Vëllezërit dhe motra
Lindi nëna nëntë djem të dashur
Dhe të dhjetën të bukurën surgareshë.
U kujdes derisa i rriti
Derisa djemtë u bënë për martesë.
5-Kur vajza u bë për tu dhënë
Atë e kërkuan shumë beqarë
Njëri han, tjetri general
I treti shkues nga fshati fqinjë.
Nëna e jep në fshatin fqinjë
10-Vëllezrit ja japin hanit përtej detit.
Edhe vëllezërit me motrën biseduan
-Unë të dhashë motra jonë e dashur
Unë të dhashë te hani përtej detit.
Por më shpesh do të të vijmë
15-Gjatë vitit për çdo muaj
Gjatë muajit për çdo javë.
Dhe motra vëllezërit i ka dëgjuar
Ajo shkoi te hani përtej detit.
Po të shohësh çudinë e madhe!
20-Zoti lëshoi një sëmundje të rëndë
Dhe i mori të nëntë vëllezërit e dashur,
Vetëm mbeti nëna plakë
Kështu mbeti për tre vjet.
Hidhet klithë motra Jelica:
25-Zot i madh të qofshim falë,
Pse vëllezërit nuk duan të më vijnë?
Atë ashpër e qorton kunata:
-Kudër e keqe kunata jonë
Ti shumë ashpër vëllezërit i qortove
30-Se ty vëllezërit nuk kanë për të ardhur.
Hidhet klithë motra Jelica
Hidhet klithë në mëngjez e në mbrëmje.
Por zoti i madhe e mëshiroi
Dhe ai dërgoi dy ëngjëjt të tij.
35-Shkoni poshtë, dy ëngjëjt e mi
Dhe të varri i bardhë i Jovanit,
I Jovanit, vëllait më të vogël,
Me shpirtin tuaj i jipni shpirt,
Nga varri kalin ia mbaroni,
40-Nga dheu ia gatuani bukën,
Nga qefini ia bëni dhuratat,
E përgatitni të shkojë te e motra.
Shpejt shkojnë dy ëngjëj të Zotit
Te varri i bardhë i Jovanit.
45-Nga varri kalin ia mbarojnë,
Me frymën e tyre shpirtin ia japin,
Nga dheu ia gatuajnë bukën,
Nga qefini ia bëjnë dhuratat.
E përgatisin te motra të shkojë.
50-Shpejt po shkon vëlla Jovani.
Kur arin afër oborit
Që larg motra e sheh,
Pak më afër ajo i afrohet
Nga dhimbja zë dhe qan.
55-Duart i hap dhe në fytyrë e puth;
Dhe motra zuri ta pyesë vëllanë:
-A më keni premtuar vëlla,
Kur të re mua më martuat,
Se shumë shpesh do të vini
60-Gjatë vitit për çdo muaj,
Gjatë muajit për çdo javë?
Sot u bënë plot tre vjet
Asnjëherë nuk më kini ardhur!
Dhe më tejë motra po i thotë:
65-Pse ashtu vëlla je i zbehur,
Mu sikur të kishe qenë nën dhe?
E ndërpreu bisedën djalë Jovani:
-Hesht motër, në se e din Zotin!
Më ka ndodhur fatkeqësi e madhe
70-Deri sa tetë vëllezër i martova
Dhe i mora tetë kunata të dashura,
Dhe sa vëllezërit u martuan,
Nëntë shtëpi të bardha i ndërtuam;
Për këtë shkak jam zbehur.
75-Dhe ai qëndroi tri ditë të bardha.
U përgatit motra Jelicë,
Dhe përgatiti dhurata për zotërinj,
Tu dhuronte vëllezërve dhe kunatave;
Vëllezërve u qepi këmisha pëlhure
80-Kurse kunatave rrathë dhe unaza.
Por Jovani shumë u ngushtua.
-Ti mos shko e dashur motër
Derisa vëllezërit nuk vijnë për vizitë.
Por Jelica nuk ka hequr dorë.
85-Ajo përgatiti dhurata për zotërinj.
Atëherë Jovani në këmbë u ngrit
Dhe me të motra Jelica.
Dhe kur afër oborit kanë ardhur
Afër oborit ishte kisha e bardhë,
90-Andaj foli djalë Jovani:
-Ti prit këtu motër e dashur
Derisa unë të shkoj në kishë të bardhë:
Kur vëllain e mesëm e martuam,
Unazën e arit e kam humbur,
95-Ta kërkoj motër e dashur.
Shkoi në varr djalë Jovani,
Mbeti motra Jelicë
Duke pritur djalë Jovanin.
E priti, por dhe e kërkoi,
100-E te kisha shumë varre të reja:
Aty menjëherë pikëllimin e ndjeu,
Mos ka vdekur djalë Jovani.
Shpejt shkoi në oborin e bardhë;
Kur afër oborit kishte ardhur,
105-Dhe në obor po këndonte qyqja,
Ajo nuk ishte qyqja motër,
Por ishte nëna e saj plakë.
Dhe Jelica në derë kur erdhi,
Bërtiti sa i zuri fyti i bardhë:
110-Nënë e mjerë, ma hap derën.
Nëna plakë nga obori i foli:
-Shko nga këtej murtajë e Zotit,
Nëntë djem m’i ke vdekur,
Më do dhe mua nënën plakë?
115-Dhe Jelica zuri dhe foli:
-Nënë e mjerë, ma hap derën,
Nuk është murtyaja e Zotit,
Por Jelica, vajza jote e dashur.
Atëherë nëna ja hapi derën,
120-Vajtuan si dy qyqe të mjera,
Me duar të bardha u përqafuan,
122-Të dyja vdekur për tokë ranë.”
 
Përktheu : Emin Kabashi
 
Ky është teksti i baladës serbe të regjistruar nga Vuk Karaxhiqi dhe të publikuar në librinn e tij “Narodna srbska pjesnarica” botuar në Vjenë në vitin 1815, që i përkthyer në gjuhët e Ballkanit, përfaqson folkloristikën serbe në botimin EMOS.
 
I- Autorësinë serbe të kësaj balade e kundërshton fakti që serbët nuk kanë patur traditë në këngë epike dhe balada në vendorigjinë , për pasojë edhe shënimi i bërë te botimi i “Këngë të sllavëve të jugut” se “Në sllavët e lindjes, kjo baladë është e njohur në formë përralle ” është një alibi e rreme që synon të dëshmojë se serbët e kishin këtë baladë në vendorigjinën e tyre, veçse e kishin patur në variantet në prozë, duke haruar që variantet e baladave në prozë, janë variante të mëvonëshme të tyre .
Serbët nuk nuk e sollën me vete këtë baldaë, jo vetëm se nuk e kishin në vend origjinë, por për arsyen e thjeshtë, se nuk e njihnin krishtërimin dhe ringjalljen para shek.VI- VII të e.s., të cilën e mësuan nga grekët dhe shqiptarët, pas pushtimit të territoreve ballkanike. Gjithashtu shekujt e parë të pushtimit sllav ishin shekuj të luftës dhe shkatërimit , dhe jo kohë e “mësimit” të kulturës së vendasve apo kohë e “ekspozimit” të kulturës së tyre të origjinës, kështu që edhe koha e njohjes së tyre me krishtërimin dhe ringjalljen është disa shekuj pas ardhjes së tyre. Ndërkohë, kur erdhën serbët në Ballkan, balada shqiptare lulëzonte në të gjitha trevat dhe hapësirat shqipfolëse. Serbët e kanë hasur këtë baladë në teritoret shqiptare që okupuan, por duke qënë se bota e baladës ishte larg botkuptimit të tyre, ata e kanë shpërfillur. Pas botimit të këngëve popullore (Narodna srbska pjesnarica) që bëri Vuk Karaxhiqi në vitin 1815, kur gjithë vëmëndja europiane u përqëndrua te balada “Zidanje Skadra”, kjo baladë mbeti në hije dhe serbët nuk e reklamuan, ndërsa shqiptarët as nuk u njohën me faktin e egzistencës së saj në folkloristikën dhe botimet serbe.
Në formën si është paraqitur balada serbe “Vëllezërit dhe motra” (Сестра и братья) i ngjan një anieje me direkë e vela të shkatëruara. Kjo mënyrë “lundrimi” ështe tepër e dukëshme te vargjet 85-110 të variantit serb të baladës, ku duket se rapsodi ka “haruar” rradhën dhe llogjikën e subjektit, pasi ngatrohet fshati i Jovanit me fshatin ku është martuar Jelica, kishat e tyre, varri i Jovanit dhe shtëpia e nënës etj.
Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se me subjektin aktual, balada serbe nuk lundron në detin e dhimbjes vetmitare të nënës plakë, por vërtitet në liqenin e “mallit” të motrës Jelicë për vëllezërit, ndaj dhe Jovani shkon e bujt te motra tre ditë, ndërkohë që te varianti shqiptar, Kostandini i porsambritur te sheshi ku Dhoqina na hidhej valle., i thotë motrës … eja sikundër je, për të mos humbur kohë.
Varianti serb i baladës ngjan me një “anie” që i është rrëzuar direku me gjithë velat dhe ecën nga e shtyn era më e fortë apo nga e merr rryma më e shpejtë. Mungon udhëtimi plot kolorit e muzikalitet i kthimit hipur mbi..të njëjtin kal/ I vdekuri me të gjall.., mungojnë bisedat e zogjve dhe dialogu i “kalëruesve” mbi këto biseda, mungon ai ankth i “ndritshëm” që të mba në tension dhe interesim dhe kjo mungesë nuk është e rastësishme.
Kisha serbe jo vetëm që nuk do ta lejonte bashkë udhëtimin e të vdekurit me të gjallin, por dhe bashkëbisedimin e zogjve e quante mëkat, ndaj e ka redaktuar (rapsodi, botuesi apo Vuk Karaxhiqi), por është pikërisht ky “redaktim” që “ka rrëzuar direkun e anies” ku mbaheshin “velat”, ka çorientuar “busullën e lundrimit” dhe subjektin e baladës, madje e ka bërë atë të pakuptueshëm llogjikisht.
 
II-Regjistrimit dhe publikimi i baladës në vitin 1815 nga Vuk Karaxhiqi, nuk u jep serbëve autorësinë e baladës. Ky fakt u jep serbëve vetëm përparësinë e publikimit të variantit të tyre në formë të shkruar, ndaj publikimit të variantit shqiptar, por edhe kjo është e diskutuesshme. Po të kemi parasysh dëshminë e Dozonit , sipas së cilës:- në bazë të baladës (variantit) “Kënga e Halil Garrisë” u krijua dhe balada e famshme e “Lenore-s” e Bürger-it , le të arsyetojmë se, ndërsa variant serb është botuar dhe prezantuar në Europë në vitin 1815, varianti shqiptar “Kënga e Halil Garrisë” është kënduar dhe njohur nga europianët qysh në 1773, madje ka frymëzuar krijimin e një vepre letrare të famëshme siç është poema “Lenore-s”, dhe atëherë shohim që prezantimi i variantit shqiptar është shumë kohë më parë se variant serb.. Shtojmë faktin se arbëreshët, ndonëse të larguar dhe “izoluar” nga atdheu i pushtuar qysh në shek. XV, vijonin të këndonin variante të ndryshme të kësaj balade, të mara me vete nga atdheu në kohën e emigrimit, variante që ishin autentike, qërealisht do regjistroheshin në shek. XVIII, ndonëse do publikoheshin nga De Rada më 1866 .
 
III-Është domethënës fakti që varianti serb i baladës së rregjistruar nga Vuk Karaxhiqi është i vetmi variant serb i baladës në hapësirën sllave, pa asnjë nënvariant apo motërzim, ndërkohë që variantet dhe motërzimet shqiptare gjënden në çdo vend e në çdo krahinë të banuar nga popullata shqipfolëse.
Varianti serb është si “djali i vetëm”, pa nënvariante dhe motërzime, lindur më 1814, dhe s’ka “vëllëzër e motra”, ndërkohë që variantet shqiptare janë të shumta, të vjetra dhe të “reja”, që u përshtaten botkuptimit pagan, kristian dhe mysliman. Realisht, mungesa e varianteve dhe motërzimeve të tjera serbe, na forcon bindjen se ata (serbët) janë njohur me këtë baladë dhe e kanë “birësuar”, vetëm në kohën që e regjistroi Vuk Karaxhiqi nga “rapsodi i Serbisë jugperëndimore”. Në këtë kohë, kisha ortodokse serbe ishte e plotfuqishme dhe serbët “nuk guxuan” që ta ringjallnin “vetë” Jovanin, prandaj këtë detyrë “ja lanë” Zotit dhe ëngjëjve. Ky fakt, veç sa më sipër, na tregon që balada serbe ka një moshë të “re”, ka një datlindje afër kohës sonë, prandaj cilëson epokën kristiane.
 
IV-Ne nuk duhet të harojmë faktin që variantet serbe të shumë baladave dhe këngëve
epike të mbledhura dhe botuara nga Vuk Karaxhiqi janë këngë epike ose balada shqiptare, të regjistruara prej tij (Vuku Karaxhiqit) ose të dërguarve të tij, nga rapsodë të “dorës së tretë” dygjuhësh, të cilët “shisnin këngë” nëpër ambiente publike ose private dhe paguheshin. Këta “rapsodë” me synim të ritjes së pagesës, nuk e kishin problem të ndryshonin tekstin e këngës, kur ndryshonin ambientin apo gjuhën me të cilën këndonin. Këtë ndryshim teksti e kemi vërtetuar te sprova jonë mbi baladën e murimit “Zidanje Skadra” dhe po vërtetojmë edhe te kjo baladë rastet dhe motivet e ndryshimit të tekstit origjinal.
 
V-Varianti shqiptar i baladës është tepër arkaik gjë që dëshmon egzistencën e hershme të kombit tonë. Mungesa e babait (edhe si kujtim) në të gjithë variantet dhe autoriteti i nënës në familje, cilëson në baladë periudhën e matriarkatit. Fakti që rolin drejtues të familjes (pas mungesës së babait) nuk e mer ndonjë nga nëntë (ose dymbëdhjetë) vëllezërit, cilëson se ngjarja e baladës nuk “ka hyrë” në epokën e patriarkatit por ka qëndruar në “kufirin dalës” të matriarkatit. Po ashtu, fakti që vëllai dhe motra kuptojnë bashkëbisedimin e zogjve, është cilësim i epokave kur njeriu “fliste” me drurët dhe zogjtë. Dhe së fundi, ringjallja e Kostandinit pa ndërhyrjen e Zotit apo të ëngjëjve, madje pas një periudhe qëndrimi në varr tre (ç’bën tre vjet pa tretur), shtatë apo nëntë vjet, dëshmon një periudhë paganë, ku nuk bie as hieja e kryqit të kishës e jo më të dëgjohen këmbanat e saj . Të gjitha këto dëshmojnë se variant shqiptar i baladës cilësosn epokën parakristiane, ndaj është më i vjetër se variant serb, që siç theksuam, cilëson kohën kristiane.
 
VI-Varianti serb i kësaj balade nuk e përmënd “besën ” duke “mënjanuar” qëllimisht tiparin kryesor të identitetit dhe të lashtësisë së shqiptarëve në këto troje. Realisht serbët nuk e kuptojnë “besën” shqiptare as si shprehje, as si nocion juridik dhe as si mënyrë jetese. Ata e quajnë “arbanska vjeru”, ndonëse kjo shprehje e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë…”besimi shqiptar”. Shqiptarët që flasin serbisht, në kontekst të fjalisë, e kuptojnë se, kur serbët flasin për “arbanska vjeru” ata duan të flasin për “besën shqiptare”, por nuk dinë si ta shprehin. Nga ana tjetër, serbët kur dëgjojnë fjalën shqipe “besë” nuk e kuptojnë që nuk flitet për besimin .
Serbët nuk e kuptonin dot funsksionimin e “besës”, ku shqiptarët me një “besa-besë” hidheshin në kryengritje dy apo tri krahina, lidhej një krushqi a një beslidhje kombëtare. Ata nuk e konceptonin dot që pa asnjë shpërblim, veç me një shtrëngim dore fshihej hasmëria dhe falej gjaku i derdhur ndër disa vite mes dy fiseve.
Vuk Karaxhiqi e njihte “besën shqiptare” dhe gjuhën shqipe, ndaj e kuptonte që nuk mund ta prezantonte këtë baladë si krijim i artit gojor serb “nga bedenat e besës shqiptare”. Për këtë arsye ai e hoqi “besën” dhe pjesët e “frikëshme” pagane dhe e përshati tekstin me këto mungesa. Kjo është njësojë si në mes të oqeanit, kapiteni të urdhërojë prerjen e direkut kryesor të anies, i cili mban drejtpeshimin gjatë lundrimit dhe funksionimin e velave. Kjo është arsyeja që varianti serb i baladës ka një subjekt problemor në llogjikën e veprimit të personazheve.
Në këtë kontekst lind pyetja; Pse Vuk Karaxhiqi, ky njohës i thellë i folklorit e lejoi, pranoi, apo e kreu vetë procesin e heqjes së “besës” nga teksti i baladës për të përfituar variantin serb?
Ne mendojmë se lënia e “besës” te kjo baladë, krahas “besës” së lidhur mes tre vëllezërve te “Zidanje Skadra”, do ti shtonte shanset e demaskimit të tij për “tjetërsimin” e baladave shqiptare në variante serbe, për arsyen se; qënia e “besës” si motor lëvizës te njera baladë mund të quhej “rastësi fqinjësore”, por egzistenca e këtij “motori” shqiptar në dy baladat më të bukura të përmbledhjes së Vuk Karaxhiqit, me siguri që do ti krijonte problemin e plagjiaturës. Prosper Merime vetëm me intuitë shtroi në “Revue Contemporaine” pyetjen e mungesës së varianteve shqiptare në përmbledhjen e këngëve popullore ballkanike dhe serbët e “mbajtën mend” për t’i kthyer përgjigje në vitin 1966 . Mendoni se çfarë do ndodhte në rast se Merime do njihej me faktin e sakatimeve të varianteve shqiptare për të përfituar variantet serbe.
Arsye tjetër është fakti se në kohën që kjo baladë u regjistrua (në vitin1814) dhe u publikua (në vitin 1815), popujt e Ballkanit nuk ishin më në situatën historike të periudhës së lindjes së “besës”, pavarësisht se ky institucion ishte funksional vetëm për shqiptarët dhe jo për fqinjët e tyre. Këta fqinjë kishin krijuar shtete me mbret, administratë dhe ligje, me ushtri dhe gjykata, që ruanin dhe drejtonin funksionimin e shoqërisë. Ndërkohë shqiptarët akoma jetonin në shoqëri të drejtuar nga kodet zakonore, ku funksiononte “besa” përballë ligjit të pushtuesit turk.Mirpo serbët (dhe turqit) synonin zhdukjen e shqiptarëve si komb e si shtet “i mundshëm” dhe kjo zhdukje do fillonte nga folklori, gjuha dhe historia.
Heqja e “besës” u shoqërua edhe me heqjen e funksionimit dhe pranisë së elementëve
paganë të baladës, duke hequr në këtë mënyrë lashtësinë dhe identitetin e saj. Është e vërtetë që kjo “heqje” nuk ndikoi te kombi ynë, për arsye se shqiptarët vijonin të këndonin versionet e tyre nëpër ambientet e tyre, ku shpesh bujtnin të huaj. Mirëpo në prezantimin e artit oral ballkanik të shkruar te publiku dhe inteligjenca europiane, mungesa e pranisë së varianteve shqiptare linte një boshllëk të madh me shumë pikpyetje. Historia nuk shkruhej vetëm me tehun e shpatës, një shpatë e fortë për historinë tani ishte pena.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s