Fortuna Imperatrix Mundi dhe Heroi / Nga: Alma Hasalami

 

Fortuna Imperatrix Mundi dhe Heroi

Ndonëse jetojmë në një kohë ku është demode të flasësh për heroin apo të promovosh heroizmin, historia ka treguar se në kohë krizash heronjtë shfaqen gjithmonë. Patjetër që një pjesë mallkojnë veten si i lanë gjërat të rridhnin kaq keq! Si i lejuan skizofrenët dhe psikopatët sociopatë të bëjnë ligje e të drejtojnë! Ndërsa pjesa tjetër, shumë më e madhe, i dorëzohen rrjedhës së rrëmbyeshme të fatit, pa dashur as të mendojnë se çfarë i pret. Para disa vitesh, kur në zemër më ish ndezur zjarri i protestës, lexoj dy autorë amerikanë të cilët kishin studiuar diferencat sociokulturore ndërbreznore. Ata kishin vënë re se si kishte një përsëritje ciklike të brezave me karakteristika të njëjta. Ndonëse ky studim përfshinte vetëm popullin amerikan përgjatë shekujve të fundit, ai tingëllonte i vërtetë dhe për kontinentin tonë. Duke qenë se rrjedha e ngjarjeve historiko-politike ishte ajo që afektonte tiparet e brezit përkatës, dhe meqë politika amerikane pas viteve ’50 u bë politika botërore, ky studim na përfshin edhe ne. Nuk i mbaj mend të gjithë klasifikimet e brezave, por mbaj mend tre të fundit në renditje kronologjike: poetët, të shthururit dhe heronjtë. Brezi i poetëve i cili doli i traumatizuar nga Lufta e Dytë Botërore nisi t’i këndojë jetës, bukurive të saj dhe dhimbjes. Kështu lindi Beat Generation dhe lëvizjet e Hipive. Por politika u kujdes menjëherë t’i përçante në parti këto lëvizje dhe kështu të prodhonte gjeneratën e shthurur. Nuk dua të ndalem gjatë për të analizuar pse është i shthurur brezi i prindërve tanë, pasi mjafton pika ku jemi sot, pandemia dhe kolapsi mbarëbotëror, për t’i vënë vulën kësaj gjëje. Dhe kështu të dy autorët parashikojnë se kohërat e krizave, që mbollën të shthururit, kërkojnë domosdoshmërisht heronj për t’i zgjidhur këto kriza. Studimi i tyre përfshinte disa cikle të historisë së Amerikës, ku pas krizave gjithmonë ka rilindur jeta. Dhe nga historia e këtij planeti ne dimë se jeta nuk ka marrë fund, me gjithë ato murtaja që kanë kaluar. Jeta, natyra, është aq e shenjtë sa nuk mund të ekzistojë asgjë tjetër mbi, që të mund t’i japë fund. Prandaj krijon heronj në momentin e duhur. Të gjithë fëmijët e vegjël, në lojë, e identifikojnë veten me heroin. Të gjithë e ndjejmë arketipin e heroit brenda vetes, mirëpo përgjithësisht vuajmë për të gjetur momentum-in. Kur e shfaqim në kohë të gabuar, biem viktima. Ndaj që të gjejmë momentum-in duhet të kuptojmë kohën dhe fatin. Dy konceptet filozofike më të komplikuara që mohohen e injorohen ndjeshëm nga intelektualët e sotëm. E kështu ngelen peng në duar të fallxhorëve, të cilët shpesh herë janë analfabetë. Pra fati është në duart e injorantëve, ashtu siç është drejtuesi, heroi, peng i politikanëve të sëmurë. Për të kuptuar fatin apo karmën, duhet të kuptojmë si funksionon koha në natyrë. Lulet do çelin gjithmonë në pranverë dhe frutat gjithmonë do piqen në vjeshtë. Hëna do jetë e plotë vetëm atëherë kur duhet të jetë dhe eklipsi do ndodhë vetëm atëherë kur cikli kozmik do mbyllet, për të lindur një cikël të ri. Dita dhe nata, stinët e vitit, cikli menstrual dhe shumë e shumë shembuj të tjerë të natyrës na tregojnë se koha është ciklike dhe se po nuk u sinkronizuam me të, jemi të humbur. Mund të kërkosh luleshtrudhe në mes të borës, po asgjë s’do gjesh. Mund të duash të ngelesh shtatëzanë jashtë fazës së ovulacionit, por më kot lodhesh. Patjetër, sot kemi shumë ndërhyrje në ciklet e natyrës, kryesisht te ushqimi apo fekondimi, mirëpo artificialiteti i tyre prodhon përsëri dështim. Ndërsa heroi e di gjithmonë kohën e vet. E di kur do mbushet plot kova që do rrotullojë rrotën e fatit. Edhe pse astrologjia nuk shihet më si shkencë por si yshtje, Hëna dhe Saturni do vazhdojnë të jenë Perandoreshat e Fatit. Ndonëse David Icke i quan trupa artificialë që i sjellin të keqen njerëzimit, këto trupa nuk do e kenë aspak problem t’i japin fund karrierës së tij prej fallxhori. Sado të përpiqet patriarkaliteti të përjashtojë ciklet e kohës dhe parashikimin e fatit nga dija, ngjarjet kozmike do i thyejnë gjithë pritshmëritë. Nuk ekzistojnë heronjtë e pafat ashtu siç nuk mund të ekzistojë Dielli pa Hënën.

©Alma Hasalami

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s