PËRSIATJE PËR VIENËN / Poezi nga Kolec P. Traboini

 
Poezi nga Kolec P. Traboini
 
 
 
PËRSIATJE PËR VIENËN
 
Në avionin Austria-Airlines
mund të shkruaj gjëra të çuditshme
kurrë në Vienë nuk kam shkuar
kur Viena me Shkodrën ka patur
aq shumë rrugë që kryqëzohen.
Viena është ngulitur në mendjen time
që në fëmijërinë e largët
kur qe ndaluar t’i përmendej dhe emri.
Im Atë, mësues, më merrte përdore
kur dilte për krasitjet e stinës
mua më vinte keq për pemët
tek lëshonin krahët përdhe
më bëhej se thërrisnin mëshirë prej Atit tim
por ai nuk e ndiente dhembjen e drurëve
plagën e dhembjen e kishte diku tjetër
kur lodhej, pushonte, niste e më tregonte
shtegtimet e tij.
“E sheh këtë shenjë në trup? – më thoshte.
E kam marrë në vitin 1912
në majën e Haramisë, kur luftohej.”
Pastaj më fliste për një flamur
që e kishte sjellë nga Viena
mes përmes Dalmacisë
që Ded Gjo Luli e kishte ngritur në Deçiq.
Por nuk ishte vetëm ky mendim i çuditshëm
ruajtur diku në një skutë të kujtesës time
xhaxhai im, i ri 26-vjeçar
shkoi të punonte në Vjenë
e gjeti një punë në minierat e kripës
ky kujtim i babait ishte i dhimbshëm
më e fortë se dhimbja e plagës së luftës
e aq më pak dhimbja e drurëve
sepse i vëllai u kthye i sëmurë dhe vdiq
atëherë gjyshes sime, Nora nga Shkreli
mallkim iu duk emri i Vienës…
Në avionin Austria-Airlines
mund të shkruaj gjëra të çuditshme
e ndoshta pa lidhje
më shumë sesa poezi, proza të mërzitshme
dhe megjithatë nuk rri dot pa i shkruar.
Sot është një ditë, më saktë një natë
që Gjergj Kastriotin në varr e mori
dhe pas kësaj u drodh Iliria
në errësirën e shekujve humbi
por shpata dhe përkrenarja u ruajtën
në Vjenë. Pas kësaj kryevdekje
otomanët u shfaqën në muret e Vienës
e sikur ajo të mos kishte qëndresë
do të kishin humbur dhe armët
por edhe shumë ngjarje do të kishin
rrjedhur ndryshe
mbase nuk do të ishte shpikur avioni
që sonte më çon në Vienë
se otomanëve u mjaftonte shpata.
Ngarkuar në bagazhet e mia
mendime të çuditshme
më vijnë tani që jam në ajër
qytetet poshtë nesh ende flenë
avioni si skifter çan drejt Veriut
errësira ka pllakosur Europën në dimër
e ne nuk jemi otomanët e mesjetës
klithmat e të cilëve në ajër kanë mbetur
jemi bijtë e Gjergj Kastriotit
që duke mbrojtur Ilirinë, mburojë u bë
edhe për Vienën…
Sulltanëve iu deshën tre muaj për të ardhur
ne tani vijmë miqësisht për dy orë.
Ngjizur nga geni i Atit të Madh
kemi shumë arsye për ta dashur Vienën
e kjo nuk është aspak e çuditshme.
 
Tiranë-Vjenë-Washington
18 janar 2016 ora 5:30 e mëngjesit
 
Nga vëllimi poetik “ODEON – për gjëra që ngjasin”
Pantheon Books 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s