Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
 
POETI PËRGATITET TË VDESË
 
Një poet përgatitet të vdesë: hap njëqind dritaret e trupit të drobitur
në parvaze pret Erën – vajzë të parritur
me fustane nga mëndafshi i Dritës.
Era fryn e fryn në direkë brinjësh
Velëza e zemrës ka veç një drejtim.
 
Një poet përgatitet të vdesë: hedh një kovëz argjendi në cepin e syrit
kap lotët që s’mundi të derdhë
ua bën gati dallëndysheve të agimit
me to të ngrenë një çerdhe.
 
Pastaj fton Endrrat që s’i pa
të shkruajnë bashkë testamentin:
vargjet që ende s’kanë lindur si dallgë të mëdha
le të bëhen rrudha në fundin e detit.
 
Pastaj gdhend një arkivol me dru hëne e formë varke
Hej, kapiten i lodhur, nisu tani
Busulla nuk duhet
Era fryn e fryn në direkë brinjësh
Velëza e zemrës ka veç një drejtim.
Tutje brigjet shfaqen: mjegull me lavdi
 
Paqe. Amëshim…
 
 
 
TRISHTILI
 
Trishtili i trishti trishtil trishton mbi trëndafil: tri-tri-tri…
– Nuk ishin tri po ishin dy: ajo, ai
dhe Ylli i Mëngjesit përbri…Tri-tri-tri.
Trishtili i trishti trishtil trishton mbi trëndafil: tri-tri-tri…
– Nuk ishin tri po ishin dy: ajo, ai
një thikë prej hëne në mes dhe njolla e gjakut në gji…Tri-tri-tri…
Trishtili i trishti trishtil trishton mbi trëndafil: tri-tri-tri…
 
 
 
REKUIEM I GRUAS PREJ LETRE
 
Kur të jesh vetëm me një grua prej letre mbi tryezë
Një filxhan kafe, një whisky dhe një klerik në shërbesë
Kur të jesh vetëm me veten pa fiksime vetvrasjeje
Guxo dhe mbill një mollë me farëzat në formën e lotëve
Dhe ca zogj po prej letre që nuk zgjedhojnë dot foljen “ngasje”
Dhe ca avionë prej letre në intineraret e zemrave-aeroporte.
 
Në dasmën tënde gjashtë lot mbolle, gjashtë lot të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: e gëzofsh, o dhëndërr, nusen që solle!
 
Bëje gruan prej letre të flasë: nën hijen e mollëve nuk mund të të vrasë
Dhe zogjtë prej letre uli në degën e mollës
Në zemrën tënde (fatkeqësisht prej letre) të zbresin mesazhe në formë avionësh.
 
Pi kafen, pi whisky (një, dy, tre…) ktheje gjithë shishen të them!
Një det i madh me rreshta dallgësh: vargje në jerm
Lutu me sy nga qielli dhe nga kleriku (mbase prej letre)
Merru me gruan prej letre,
fali një shtrat prej druri (nga do lind një foshnje prej letre)
dhe në fund: arkivoli prej druri në formën e një libri prej letre.
 
Në vdekjen e saj gjashtë lot mbolle, gjashtë lot të vegjël: bërthamëza molle
Gjashtë bisqe çelën, hutuan të dielën: gjithë varret e ndjenë dhembjen që solle.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s