Flamur Bala dhe Sfida e tij në Univers / Nga: Teuta Dhima

 
Flamur Bala dhe Sfida e tij në Univers
 
Flamur Bala, autor i librit me thënie dhe poezi “Sfidë në Univers”, u lind më 28 nëntor 1989 në Krumë të Hasit. Në vitin 1992, pra në moshën 3 -vjeçare, ai shpërngulet nga vendlindja për të jetuar në Durrës, ku edhe jeton aktualisht.
Poezia e Flamurit është e thjeshtë si vetë Flamuri, një njeri që e ka pranuar jetën pavarësisht sfidave që i janë paraqitur. I detyruar të lëvizë mbi një karrocë elektrike, si rezultat i një distrofie muskolare të trashëguar, Flamuri për asnjë çast nuk bie pre e trishtimit që shumë si ai e kanë lajtmotiv jete.
Përkundrazi Flamuri kërkon të sfidojë gjithësinë, t’a jetojë jetën me të mirat e të këqijat e saj, të udhëtojë, të lexojë autorët e tij të preferuar: Agollin, Bukowskin, Migjenin, Niçen, Sokratin, Fishtën dhe të ndjekë skuadrat e tij të preferuara në futboll, Argjentinën dhe Barcelonën.
Autori e kujton fare mirë takimin e parë me muzën. Ajo vjen ashtu papritur, pa lajmëruar, ashtu siç ka ardhur edhe tek Flamuri. Në shëtitoren Taulantia pranë detit, në dhjetor të 2015-ës ka shkruar poezinë e parë “Eja ti”. Më pas, poezitë kanë ndjekur njëra- tjetrën në shtegun që u hap në shpirt.
 
 
Flamur Bala
 
Në vargun e thjeshtë të Flamurit, dashuria vjen “Galaktike”, “E paligjshme”, “E panjohur”. Përfytërimi dhe imagjinata e ndezur e tij na sjellin një varg të ngarkuar me metafora të fuqishme: “djali që zbret hënën në tokë për vajzën e tij”, apo që “ndal galaktikat në stacionin e pritjes”;
Emocionuese është poezia “Shtëpia e fëmijërisë”. Është pikërisht atje ku autori përhumbet në kujtimet e veta, duke emocionuar këdo që e lexon këtë poezi. Në atë oborr ku çdo pëllëmbë ka veç kujtime, ai gjen hurmën, bunarin plot ujë dhe herë pas here gjunjët e vrarë nga lojërat me shokët.
Një ndër mesazhet mbizotëruese në vargjet e Flamur Balës është dëshira për të jetuar, pavarësisht sfidave të jetës. Guximi i tij është ngazëllyes, madje në poezinë “Buzëqeshje luftarake” bëhet një thirrje e fuqishme:
 
” Me universin bëj duel imagjinar,
por kurrë mos e humb buzëqeshjen,
edhe nëse jeta të ka vrarë”.
 
Në poezinë “Djali mbi tri rrota”, që është edhe poezia që mbyll këtë vëllim, autori vjen guximtar, luftëtar dhe i patrembur, rebel ndaj sfidave të jetës, i guximshëm në çdo hap të saj , edhe pse hapi i tij është mbi tri rrota.
Ky libër krahas poezive, përmban edhe thënie, të cilat sjellin me vete përvoja jetësore, konstatime të autorit të cilat ai i shpreh me një bindje të admirueshme. Thëniet alternohen me poezitë dhe shërbejnë si pragje ku mund të pushosh dhe të mendosh tek lexon poezitë. Tematika e tyre është e ndryshme, por përgjithësisht trajtohet besimi në Zot, marrëdhëniet shoqërore dhe zhgënjimet që mund të ndeshim në to. “Nëse tingujt e jetës tënde kanë qenë të trishtë, merre kitaren dhe luaj tingujt më të hareshëm, shprehet autori.” Ai ka vendosur t’i këndojë jetës së tij vetëm këngët e shpresës dhe dhimbjen, disfatat, t’ia lërë të shkuarës dhe harresës.
Në këto shprehje, del në pah një shpirt luftarak. Një shpirt që nuk dorëzohet dhe që të vërtetën e sheh në sy me guxim. Politikën ai e sheh si një shkatërrim për njerëzimin dhe si një shpërndarëse epidemie. Për Flamur Balën, forca e vëtetë e një njeriu tregohet në përballimin e sfidave të jetës. Jeta për të është fushë beteja që tregon dhe vë në pah vlerat e gjithësecilit.
Në përfundim, duke i uruar suksese autorit, shpresoj që ai të vazhdojë në udhën e tij të jetës me po të njëjtin guxim dhe vendosmëri, me të njëjtin pasion për të bukurën, pa u ndalur asnjë çast. Bota është e atyre që guxojnë dhe Flamur Bala me thjeshtësinë, humanizmin dhe forcën shpirtërore që e karakterizon, është një burim frymëzimi për të gjithë.
 
 
 

Nga: Teuta Dhima

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s