Poezi nga Petrit Sulaj

 
Poezi nga Petrit Sulaj
 
 
 
LEKSION PËR SHIUN
 
Mëngjesi vjen dhe sot i kthjelltë,
kështu agon ai përditë te unë
drita e tij më del e tepron për të parë
krejt me çfarë punësuar jam,
paradite nuk e vë dylbinë në punë
– të cilën pranë karrocës e mbaj,
që pasditeve ta përdor –
kur shiu zbret pa telekomandë.
 
Përditë e nis ditën me djalin e fqinjit,
i cili çdo mëngjes shkon në shkollë,
me çantën e madhe në kurriz
– sa rëndë peshon ajo çantë,
gati në tokë e palos –
e pasi merr kthesën e nuk e shoh më,
çantën e rëndë djaloshit ja mbaj unë
dhe ashtu nën peshën e saj kuptoj
se pse çifti i gargujve në çatinë përballë
– teksa fluturojnë para syve të mi, pikiatë –
nuk shkojnë, nuk kanë shkuar
e nuk do të shkojnë kurrë në shkollë.
 
E pasi gargujt marrin dheun në sy,
ndalem te subjekti i tretë:
një grup pelegrinësh ka pesë vjet në këtë rrugë
– mbathin sandale në dimër e kundra në verë –
ecin të ndrojtur e kujdesshumë,
sikur kanë vdekur e në parajsë janë.
Një kishë të lashtë rreth e rrotull kërkojnë,
priftin për të gati e kanë.
 
Objekti i katërt në vështrimin tim:
është qielli xham
retë deri pasdite i ka ndryrë në auditor,
shiut i mbajnë leksion
që kur të zbresë në tokë
të bëhet aq i dendur
sa mua t’ më detyrojë të vë dylbinë
për të mos lënë të ikin nga sytë këmbët,
imazhet e objektit të pestë:
shtëpitë mesjetare në kodër rrethuar nga ullinjtë,
në prehër të cilave
orizoret pesë muaj rrjesht
agjërojnë me ujë
orizore harmoni e gjallë,
– e thyejnë rregullin vetëm gjarpërinjtë –
ushqehen me bretkoca, bie apo s’ bie shi,
është ditë a natë.
 
E kështu, i përgatitur e pres shiun i qetë
deri çastin kur subjekti i shtatë më bën të qaj,
është kurmi i të dashurës time, spërkatur me polen
e mjaltë hojesh,
për ditë vjen te pragu, po nuk ngjitet sipër
– nuk e lë velloja e gjatë –
e unë subjekt i brishtë,
nuk jam i zoti t’i përdor shkallët
të zbres e ta sjell sipër, në krahë.
 
Ndërkohë retë dalin nga auditori i qiellit
me rrëmujë e zhurmë
e shiu që s’ka mëshirë,
në provim gjithë pasditen më merr
e kur muzgu më nxjerr jashtë loje, sy e dylbi
e më detyron parvazin e dritares ta lë
për të ngrënë darkë,
shoh se darka ime nuk është gjë tjetër
veçse dreka e pafilluar, akull bërë.
 
 
 
SI BARI
 
Si bari
që fle gjithë dimrin
e sa vjen pranvera
shpon tokën
e bën vendin
të gjelbër,
dhe dashuria
në letarg është
mes të zakonshmish;
por sapo has
njeriun e duhur
si nëperkë
e ngre kokën.
 
 
 
Ishim të rinj
 
Ishim të rinj e dinim gjithëçka,
në fakt dinim më shumë se na duhej
për tu zgjuar, kaluar ditën, fjetur natën
e parë ëndërra të cilat kur zgjoheshim
i kishim harruar. Ishim vetë ëndërra
e ëndërrat dihet tashmë
nuk bëjnë gara me njëra tjetrën.
 
Ishim të rinj, pak dembela e shumë të shkathët
Indiferentë në kulm, dhe ndaj vetvetes
Kur mësonim, mësonim se ashtu duhej,
kur lexonin, lexonim se ishte më lehtë
se me shkrujtë.
Nuk kuptonim jo se nuk donim, po nuk na pëlqente
Ishte punë e hollë të kuptuarit, merreshin
pleqtë me të. Ne kishim moskuptimin shok, edhe
se më shumë i rrinim larg se i shkonim pas.
 
Ishim të rinj, të hidhurën nuk e njihnim fare
Të ëmbëlën ca, po kishim kohën para
me ngrënë e pirë, me bërë çdo gjë, me u ngop
e me qenë të uritur sikur me mos pas ngrënë
gjë prej një jave.
 
Ishim të rinj, besonim se dinim gjithçka,
ne fakt dinim më shumë se na duhej
për tu zgjuar, shtyrë ditën, fjetur natën
e parë ëndërra të cilat kur zgjoheshim
i kishim harruar. Ishim vetë ëndërr
e ëndërrat nuk bëjnë gara me njëra tjetrën.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s