Poezi nga Vullnet Mato

 
Poezi nga Vullnet Mato
 
 
 
NUSJA E ATDHEUT
 
(Nuset shqiptare po bëjnë traditë fustanin e kuq,
me shqiponjën dykrenore mbi gjoks.)
 
E bukur porsi ylli,
faqendritur si hëna,
thesarin e atdheut
mban përsipër te zemra.
 
Trupi i atdheut,
me pyje dhe male
trupin ia bën flori,
argjend e margaritare.
 
Linjat e fshehta,
ia kthen në ylbere,
dëshirat e nxehta,
në lulëkuqe pranvere.
 
Dashurinë ia buron
si gurrë nga guri,
të shuajnë etjen,
fëmijët dhe burri.
 
Nuses, kuqezi,
me fustan zonje,
atdheu, ia bën jetën,
nusëri shqiponje…
 
Fëmijët ia bën, zogj
në fole prej shkëmbi,
të rriten të shëndetshëm,
vigjëlues të këtij vëndi…
 
 
 
ZOGËZA E BARDHË TE KAJSIA
 
Moj zogëz e bardhë,
mrekulli e kësaj bote,
u ktheve më kërkove,
pas njëzetë e ca mote!
Sado larg gjurmove,
në viset e mërgimit,
më ruajte të fshehtë,
në kasafortën e shpirtit!…
 
Ndjenjën, për kaq kohë,
s’ta shkriu gjaku në deje,
ndaj s’më harrove, moj,
e shumëpritur prej meje.
Erdhe më gjete, sikur,
kishe fshehur thesarin,
qypin e monedhave,
me puthjet prej ari.
 
Mbaje mend, kur vije,
me pulsin e drithëruar,
stuhitë rinore të gjakut
bashkë për t’i qetuar,
shkelje rreziqe fjalësh,
ndër rrugica të fshehta,
ku rrahjet e zemrës sime,
të prisnin me trumbeta.
 
Më puthe, si atëherë,
me drithërimën e rrallë,
ndonëse, flakadanët
nuk i ndezëm me zjarr.
Koha e gjatë na i ktheu
flakërimet, në shpuzë,
duke na lënë mallin,
të pashuar në buzë.
 
Gjoksi yt shpërthyes,
me qumësht nga yje,
tani qe pirë nga buzë,
të trëndafilta fëmije.
Megjithatë, përsëri,
ngjasoje po aq e bukur,
me shpirtin e dëlirë,
ku më mbajte strukur.
 
Dhe drekuam në qiell,
mbi tryezën e një reje,
ku ti çukisje me sqep,
ngazëllimin prej meje.
Kokrrat te kajsia ime,
s’i shijove krejt, si më parë,
por, në degët me blerime,
cicërove moj zogëz e bardhë…
 
 
 
KUR ZEMRA KRIJON ZEMRËN
 
Zemra e dashuruar e botës së femrës
krijon një zemër tjetër brenda në trup
dhe ndjen trokitjen e re të zemrës,
Trok-truk!…Trok-truk!…Trok- truk!…
 
Jeta e saj krijon thelbin, një tjetër jete,
që filloi të trupëzohet si kokërr frut,
duke ndjerë të rrahin dy dallgë në dete,
Trok-truk!…Trok-truk!…Trok- truk!…
 
Gëzimi i saj arrin deri në majat kulmore,
ku shpirti këndon me volumin në fund.
sapo në trup tingëllon e arta kambanore,
Trok-truk!…Trok-truk!…Trok- truk!…
 
Nëna ndriçon natën me sytë e qeshur.
mjedisin e sheh të lulëzuar gjithkund.
Hapat i hedh me ritmin e ri të zemrës,
Trok-truk!…Trok-truk!…Trok- truk!…
 
Gjaku i bëhet nektar nëpër vëna,
të ushqej ëmbëlsisht zemrën e butë,
që rritet çdo çast nga rrahjet e veta,
Trok-truk!…Trok-truk!…Trok- truk!…
 
O njerëz, hapni udhën me përnderim!
Kalon shtatzëna me dy jetë në trup!
Sjell për ne, zëra gazmor me gjallërim,
sjell ardhmërinë e bukur gjithkund!…
 
Nëntë muaj, nëna me durimin kulmor,
përkund krijesën që noton te placenta.
Teksa ai rritet në shtratin e qiellit ujor
kërkon dalje, duke gjuajtur me shkelma.
 
Vjen dhe çasti kur me britmat e lindjes
të katër muret përqark, i tund me hare.
Pastaj bebja ndez dy yjet e tij në qiell
dhe thërret “Uaaa! Uaaa!” gjer në re.
 
Thotë: “Uaaa” u solla pranverë te shpirti,
ndaj më falni kohën tuaj ta kem për vete.
Diellin e dua të perëndoj dhe të lindi
aq herë sa unë fle e zgjohem me etje.
 
Nëna i përgjërohet, përditë e përnatë,
zemrën e saj, bën shtrat të zemrës së tij,
që bebja të arrijë degët e lisit të lartë,
për të zgjatur degën fisnore në përjetësi…
 
 
 
DHURATA NGA GJITHËSIA
 
Dashuria të bën zog të fluturosh,
të rendësh hapësirave në largësi,
buzët e ëmbla, diku të kërkosh,
ku një zemër ruan, nektar për ty.
 
Nxito, o beqar, i pavendosur!
Natyra s’të krijoi, në këtë botë,
të presësh karierën e përsosur,
por, të dashurosh, sa më fort.
 
Mosha vërsnike, që ti lë prapa,
do vjetrohet, njëherësh me ty,
pas pranverës, lulet djeg vapa,
stinës së re, nuk i hy më në sy.
 
Kur ke kohën, po s’dashurove,
s’mund të thuash, se ke jetuar,
frutat e dashurisë, po nuk shijove,
me të cilat njerëzimi është krijuar.
 
Pa dashuri, s’të do, as jeta vet,
trung pa degë në mes të shtëpisë.
Pa dashuri je, një pemë pa fletë,
nuk vegjeton blerimin e shoqërisë.
 
Se pa lëshuar lastarë edhe një lis,
thahet shpejt e bëhet shtyllë,
të mbajë përsipër, tavanin e çatisë,
pa gëzuar shushurima flladi në pyll.
 
Ndaj gjallesat, nxitjen e dashurisë,
kanë të shkruar në kodin gjenetik,
të shtojnë specien e ardhmërisë,
duke përjetuar, dashuri në çift.
 
Këto të vërteta, ti dhe vet i di,
por koha të fton, të dashurosh.
Teksa pret, të peshkosh në rini,
ke lenë zemrën, të dridhet bosh.
 
Kur dashuria fillon, tek ti të pulsojë
dhe oksigjeni që thith, bëhet i ëmbël,
atëherë dhe shpirti fillon të këndojë,
duke prekur telat e hollë në zemër
 
Përjeto fenomenin, kur dashuria,
ndez në deje, gjakun e përvëluar!
Se është dhuratë, nga vet gjithësia,
në shtatë qiej, për të fluturuar…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s