AMANETI I NJË NËNE (Tregim bazuar në ngjarje të vërtetë) / Zyba Hysa

 
Zyba Hysa
 
 
 
AMANETI I NJË NËNE
(Tregim bazuar në ngjarje të vërtetë)
 
Zbrita urabanit të punës dhe bëra përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, për të kthyer më pas drejt “Postës së Coles” ku kisha shtëpinë në atë kohë. Pa shkuar tek “Tregu i Orizit”, më ndalon një nënë e veshur këmbë e kokë me të zeza. Mënyra se si kishte lidhur shaminë e kremtë deri rrëzë vetullave dhe shamia tjetër po e zezë hedhur sipër saj, kuptohej se i kishte vdekur bashkëshorti.
– Të lutem, moj bijë, shiko pak tek ai dyqani, në shitësi është djalë, apo vajzë?
U ktheva dhe disa hapa dhe u futa në dyqan, i cili ishte butik rrobash. Në fund të tij, u ngrit një djalë në këmbë, më përshëndeti dhe më pyeti:
– Cfarë dëshironi zonjë?
– Me falni, – thashë, – ngatërrova dyqan… Ditën e mirë!
– S’ka gjë, ditën e mirë edhe ju, – tha ai dhe dola.
Kërkova me sy nënën me të zeza, por nuk e pashë. “C’qe kjo?” – thashë me vete dhe vazhdova rrugën, por sapo kalova kryqëzimin e “Tregut të Orizit” dëgjova sërish zërin e saj. U ktheva dhe dallova atë, nënën e veshur me të zeza që po vinte me nxitim. Prita. Dukej sikur ishte rreth të tetëdhjetave. Në dorë mbante një qeshkë plastike, ku dalloheshin brenda rroba dhe në dorën tjetër një cantë të vogël të zeze, por dukej që ishte e vjetëruar, se aty – këtu ishte rjepur lëkura.
– Mendova se kishe ikur… – thashë kur u afrua pranë.
– Eh, moj bijë, nuk doja të më shihnin aty, ndaj u futa nga tregu… pa më thuaj cili shiste në dyqan?
– Ishte një djalë…
– Oh që më shkuan këmbët kot! – Tha ajo dhe psherëtiu thellë.
– Ditën e mirë! – I thashë dhe bëra të iki, por ajo më pyeti:
– Nga e ke rrugën moj bijë?
– Për nga “Posta e Coles”.
– Andej e kam edhe unë… e bëjmë rrugën bashkë?
– Eja, – i thashë dhe vështrova dhe një herë qeskën, se mos kishte rëndë që t’ia merrja, por ajo ma preu shkurt.
– Nuk rëndojë, dy rroba janë, ndaj të pyeta, se po të ishte vajzë tek dyqani do të shkoja t’i jepja rrobat të m’i lante, se eshte nusja e nipit…
Kot nuk thonë, moj bijë, fisi mbetet fis. Vetëm ajo më flet dhe më lan rrobat dhe kur m’i sjell, bashkë me to, më bie edhe ndonjë copë byrek…
Ashtu sic vjen pas punë kërkon të shkosh sa më parë në shtëpi, s’ke as nerva të pyesësh e të bisedosh me njeri, ndaj heshta, por ajo më doli përpara dhe më foli me ton labeje:
– Ndalo pak!
– Unë u stepa e befasuar dhe pse t’a fsheh, mendova se mos qe e cmendur.
– Më dëgjo dhe hapi veshët mirë! – foli ajo përsëri, pa u sprapsur nga tundimi im.
– Urdhëro! Fol! – I thashë e po prisja si më gjemba.
– Do të lë një amanet!
– Mua!?
– Po, ty!
– Cfarë lidhje kam unë me ju?
– Ke shumë, – më tha, – se edhe ti je grua, se edhe ti do plakesh, ashtu sic jam edhe unë sot, ndaj hapi veshët mirë e dëgjomë!
– Flisni, ju lutem, – i thashë kur pashë që ajo e përlotur donte të nxirrte ndonjë mllef, apo fatkeqesi të saj.
– Dëgjo; Kurrë, kurrë, kurrë… mos vë njeri në botë mbi veten tënde!
– E di, – i thashë, – por fëmijët nuk mund t’i hedh…
– Aty ta kam fjalën, duaji, por mos bëj për ta duke shkelur mbi veten tënde! Kurrë s’do ta dinë sakrificën që bën për ta!
– Moj nënë, po ne nënat për fëmijët rrojmë…
– Eh, moj bijë, edhe unë ashtu e kam ditur, por je e re, kur të vish në moshën time, do më kujtosh… – tha dhe hodhi hapin anash dhe më liroi rrugën.
Ajo ecte bri meje me atë hapin e saj pupël. Ishte aq e dobët, saqë të vinte keq, ndaj pa e pyetur i mora qeskën me rroba e pse nuk rëndonte.
– Ti mbase s’ke kohë të më dëgjosh, por duke ecur, duke folur, dua ta them, se pse ta lashë këtë amanet.
– ………….. – heshta për të lënë të kuptojë asaj që s’ishte koha për biseda të gjata, por ajo filloi.
– Kur isha vajzë, kam qënë shumë e bukur. Në lagjen time ishte dhe një djalë po kaq i bukur dhe e gjithë lagjja pëshpërisnin që ne të dy do ishim cifti ideal dhe shpesh shkonin dhe u thoshin prindërve të tij që të vinin të kërkonin dorën time për djalin e tyre, se do e marrë ndonjë tjetër. Me një farë mënyre, ne na martoi lagjja. Unë isha 17 vjec dhe ai 20 kur u martuam. U cudit dynjaja, moj bijë dhe aq shumë na donin, sa kur dilnim bashkë, të gjithë na ndalonin dhe na flisnin. Pse ta fsheh, edhe ne ishim shumë të lumtur. Nuk kaloi një vit dhe babai i tij u sëmurë rëndë dhe ndërroi jetë. Pesha e shtëpisë i ra tim shoqi. Punonte shumë, se edhe e ëma s’e ngriti kokën nga jastëku gjer dhe ajo nga helmi i të shoqit vdiq pas tij. Mbetëm vetëm ne, burrë dhe grua, ai pa mbushur 22 vjec dhe unë pa mbushur 19 vjec, mbeta shtatzënë dhe linda djalë. U shkul e gjithë lagjja për të parë djalin. Unë pas lindjes u zbukurova shumë, saqë kur dilja para pasqyrës, nuk besoja se isha unë. Im shoq më donte jashtë zakonisht. Ishim vërtet cift me fat, por pikërisht në mes të këtij fati, ai sëmuret dhe brenda vitit vdes duke me lënë me djalin e vogël pa mbushur vitin, – tha dhe psherëtiu aq thellë, saqë u duk sikur rënkoi deti përtej, ndaj i thashë që të mos vazhdonte më se nga një herë kujtimet janë vrastare, por ajo vazhdoi.
– Lidha shaminë e zezë, ja e shikon, kështu, qysh pa mbushur 20 vjece dhe deri sot nuk i kam hequr kurrë; as shaminë, as corapet e zeza, as rrobat e zeza… dhe u lidha me fëmijën tim të vetëm, të vetmen gjë që më la bashkëshorti. Punova e cfarë s’punova që djalit të mos i mungonte asgjë dhe ku kishte lumturi më të madhe se kur u fejua e do martohej.
– Nënë, unë arrita tek shtëpia…
– Qëndro pak, edhe pak, se dua të të bind për amanetin që të lashë…
– Të lutem, se kam fëmijët në shtëpi dhe më presin…
– Të mos zgjatem, po ta them me pak fjalë; pasi u martua djali im, nuk jetoi me mua. Më ndanë një pjesë vend në shtëpi, si kotec, aqsa nxinte krevatin dhe një komedinë, e as më flisnin djalë e nuse, as dhe një pjatë gjellë nuk më dhanë kurrë. Ashtu kaloi jeta ime, të paktën kam qënë në punë dhe kam pasur një pension. Ka dy vjet që është martuar nipi, djali i djalit dhe nusja e tij, është nga një familje fisnikësh nga Kanina dhe ajo më flet dhe më lanë rrobat, por i kam larg, unë jetoj në Cole dhe ajo në “Karabash”…
Nuk di e kuptove tani pse të lashë amanet të mos vësh njeri mbi vete? Këto që të rrëfeva unë, janë asgjë, nga ato që ka duruar ky shpirt, se nuk jam shumë e vjetër, por dukem si tetëdhjetë e kusur, nga hallet dhe nga turpi i botës, se të kushtohesh një djali të vetëm dhe të trajtojë si qen, kjo është gjëja më e tmerrshë për një nënë.
– Po, ne nënat duhet ta kemi zemrën e gjërë…
– Mos mendo se unë kam qënë zemërngushtë, por as unë nuk e di se cfarë na hyri në mes, po nusja e djalit ishte komuniste dhe se cfarë më gjetën në biografi…
– Tani e kuptova… ndaj edhe ti dëgjo një gjë prej meje: nuk ka qënë fajtor djali, fajtore ka qënë nepërka që ka futur në gji… Bëja hallall djalit!
– Edhe sot ai nuk më flet…
– Kanë ndryshuar kohët, shko dhe takoje, përqafoje, se s’ka djalë që nuk përulet para dashurisë së nënës, por ajo kohë ashtu ishte, moj nënë, të gjithë kemi pirë helmin e saj, por ti e paske futur në shtëpi nepërkën…
– Na e bënë tjerët, se nuk doja ta merrja, por djalin e kërcënuan se do e hiqnin nga puna…
Komunizmi ishte si një rrugac që s’lë dy gurë bashkë, ai s’linte dy njerës bashkë, u fuste nga një “të dërguar” në cdo familje për t’i ndarë e përcarë…
– Ashtu moj bijë, ke të drejtë, por ai helm edhe sot e kësaj dite nuk del prej meje, se zemra ime është ftohur nga tmerret që ka provuar dhe s’më bën as shpirti, as këmbët të shkoj më në atë shtëpi, se pas disa vitesh unë jetova në një shtëpi përdhese, që sa herë binin shirat, mbytesha…
– Përpiqu… ne nënat duhet të përulemi që dhe fëmijët të ligështohen dhe të shlyejnë gabimet e tyre, se s’ka shumë kohë për ta…
Mu hodh në qafë, qau dhe më tha:
– Unë do të bëj siç më thua ti… do e provoj… por ti mos e harro amanetin tim!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s