Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
 
Taka të larta
 
Të vrazhdë mbeten ata sy të akullt
tek vërviten si fara e grurit
rrëzuar gërmave që asgjë s’dinë të thonë
përhumbur humnerave,
rënë brazdave të thella,
boshllëkut të vetmive
pa menduar kurrë Përulësinë e Zotit,
Atij,
Të Qiejve e Tokës,
që sheh në heshtje aktrimin e gjithkujt
tek – tuk duke çelur ndonjë lule,
e me durim pret ditën e të korrurave,
ku kallza t’begata me kokën ulur rrinë,
bekimin lypin me një lutje,
të lartat, takat thyejnë,
skenave shpalosur bollgur…
 
 
 
 
***
 
Atmosfera përtej pikturohej hyjnisht,
ëmbël trokiste portave të shpirtit,
një dorë, më e butë se e vetja,
e një vështrim…,
ledhatonte tinëz gjithë skutat e fytyrës;
prekte brazdat e memories,
flokun e butë,
e më pas drithërimën e çdo qelize,
tek priste frymën e saj të ndizej,
të digjej,
e të mbërrinte flakërima e puthjeve.
 
 
 
Gjithmëshirshme
 
Ece-jakeve,
ku si barbonë kërkojmë dëshpëruar
ca grimca jete,
pak frymë,
pasionin e dashurinë në të gjata përpjekje,
argjila e modeluar e kurmit
shemb statujat
e humbet shtjellave rrëmbyese të erërave,
vorbullave të përditshmërisë,
krejt pa kuptuar…
derisa një ditë,
shpirti të thërret në takim.
 
Dridhet trupi,
ngrin vështrimi,
rrënqethet lëkura
e fjalët, meken…
ndërsa flladi i ngohtë që përkëdhel
e ai tingull tronditës
brenda vrapon,
e rrëmon tërë skutat…
 
Ndjehet vetëm drithërima e një diafragme,
dehur mrekullisë së një ndjenje
që befas të rrëmben,
të tjetërson
e ti nuk je më vetëm një hije…
që endet imazhit të projektuar
mureve të paekzistueshëm,
apo syve ligavecë,
por je një gjethe në krahët të erës,
që veten braktis,
duarve të Tij të gjithmëshirshme,
shpirtit të lirë,
e pasionit e dashurisë së vërtetë
për veten e të tjerët…!
 
 
 
A THUA…?!
 
Grisa nga kalendari dhe një tjetër fletë,
Dimrin befas ndjeva të trokasë…
Përmes thuprash të zhveshura gjethet sapohumbur,
flokëve të bardhë të agut
e rrënqethjes sime nën këtë qiell memec,
që ditët numëron e flak.
 
Njerëzit mbrëmjet me ngut nxitojnë t’i veshin,
atmosferën të ndezin për ndërrimin e viteve,
me duar eshtake mbi një gotë verë,
përhumbur melankonive,
pa miq…
A thua mes të gjallëve nuk dimë më të duhemi…?!
 
 
 
Brymë…
 
Bryma zbardhte flokët ngadalë
e mbrëmja pandalur çapitej në ikje
ulej dielli,
në zemër trishtimi zbriste,
ligështohej vetja tek e humbiste…
 
Mes kodrash e detit do ta linte.
 
Mbështjellë me një vel të bardhë brishtësie
ku frymë ngadalë do të jap e të marrë
përmes fjalësh e vargjesh,
nën strehën e qiellit,
shakave të tij të çuditshme
krahëve të erës tek shtyn tej një re
e magjepsjes së një likeni në rritje…
 
Regëtimës së një mendimi arratisur,
do të rriten dromcat e mbetura prej fëmije,
rrjedhës së trazuar të ditëvë
rrezes përvëluese, shiut të beftë
yllësuar shkëlqimit të paqtë të syve
e lutjeve për një botë më të mirë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s