Monolog në mesnatë… / Poezi nga Hana Xhihani

 
 
Poezi nga Hana Xhihani
 
 
Monolog në mesnatë…
 
…E lehtë dhe e butë
si fllad prilli
vjen mesnata ime
e dashur dhe e vrullshme
si puthja e gruas
në ëndërrimet e mesnatës…
 
E ankthshme dhe e frikshme
si drithërima e gjimnazistes
afrohet mesnata ime…
 
E errët. E patingullt. E frikshme, por unë e dua.
E dashuroj.
E përqafoj.
Më sjell atë që më mungon.
Botën time..
Ëndrrën time.
Imazhin tim me të cilin bisedoj,
si me askënd tjetër.
Mesnata ime.
Unë përhumb në misterin e saj.
Largoj gjithcka nga vetja.
Bëhem njësh me të.
Nuk mendoj për asgjë.
Jam e lirë.
 
Mirë se vjen mesnata ime,
o Qiell i yjësuar mirë se vjen,
me padurim të pres si një e dashuruar
e grindur me veten si tufan i tërbuar…
 
Ti, mesnata ime, e urryer nga shumë njerëz.
Ti je drita ime.
Ti je më shumë se drita e ditës.
Ti je ylli i dëshirave të mia.
Ti je magjia e ndjenjave të mia.
Ti je fshehtësia e mendimeve të mia.
Dhurata e puthjeve të mia.
Ti, si meteor i zjarrtë që shkëlqen në harkimin elegant, më mbush shpirtin.
Më trondit zemrën.
Dhe ashtu e dashuruar pas teje unë vrapoj drejt vargut tim të brishtë.
 
Mesnata ime. Imagjinata e imazheve të mia. Le të jenë ato ashtu pa lidhje logjike.
Unë e gjej veten në kujtim të një vendi…
Ndjej ende aromën e një parfumi.
Dëgjoj akoma drithërimën e një zëri…
Edhe nëse e gjitha kjo nuk egziston, edhe nëse e gjitha kjo është mjaft larg, për mua ajo është kaq reale…
Unë e ndjej…
 
Ti, mesnata ime, sa shumë ëndrra më sjell. Le të mos i kuptoj ato. Le të ndërthuren ato diku mes mendjes e zemrës.
 
Dua që mesnata ime të mos mbarojë kurrë. Dita më duket shumë e gjatë. Tejet e gjatë, sa askush nuk do ta besonte se egziston një e tillë.
Kjo më frikëson.
Më duket se do ta humb.
Ndaj çdo mesnatë e quaj si të jetë e fundit.
E përjetoj në maksimum.
E nesërmja për mua është diçka e pazëshme…
Agu apo errësira e mesnatës?
 
Ndrydhjeve, thinjave, territ, perëndimit, fletëve të verdha, vyshkjeve, shkretëtirave, vajeve, klithmave, vdekjeve, varreve, zhgënjimeve, lotëve, dhembjeve, jeta imë e ëndërrtë shpërndan dashuri për të gjithë njerëzit.
E unë dehem me një kupë metaforash në terrin e mistershëm…
 
Mesnata ime!
Në këtë kohë të pakohë, kur, fatkeqësisht, mbi gërmadhat e të njerëzishmes po i ngre ngadalë e pahetueshëm muret përditshmnëria çorientuese dhe po rëndon me krejt peshën e vet mospërfillëse mbi vlerat shpirtërore, zëri yt melankolik më vjen si një fllad maji, si një shkëndijë gjurmëlënëse, njëkohësisht, që vadit ëndrrat e mia për të mos vdekur diku xhunglave të harresës.
 
Nëse beson tek errësira, ky është shkaku i dritës.
Nëse beson tek gëzimi, ky është shkaku i hidhërimit.
Unë shikoj brenda zemrës sime, unë shoh brenda shpirtit tim.
 
Oh, sa më mundon zhurmnaja e ditës. Shumë e duan. Unë jo.
Unë kam zgjedhur mesnatën.
Oh, ç’është mesnata…
E zhytur në ankthin e ëndrrës së mesnatës, që përpëlitet diku labirinteve të thella të errësirës, rrugëtoj andej nga duhet të jetë drita, si një Krisht i kohëve tona, gjithherë me ndjenjën e vetëflijimit në shpirt, për t’i shpëtuar të gjithë ata që përherë e më shumë po i përpin terri shpirtëror, ndonëse jam plotësisht e vetëdijshme se kjo rrugë nuk është aspak e lehtë.
 
Natën e mire o terri im.
Mos me pyet ç’bëj në këtë mesnatë heshtjeje.
 
Me errësirën time në krah sonte udhëtoj në botën time ëndërrimtare.
Të premtoj se do të kthehem… 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s