Një fragment nga romani “Mërkuna e zezë” të autorit Agron Tufa

 
Një fragment nga romani “Mërkuna e zezë” të autorit Agron Tufa
 
Pa i kthyer përgjigje, mora një shkam dhe u ula bri saj. Mora një dorë kokrra të smaltuara groshe dhe fillova t’u fryj, duke i kaluar në dorën tjetër. Me zor të madh e mposhta tundimin të dal disi përballë saj, duke e përvjedhur vështrimin mes këmbëve të hapura, përposh perspektivës së fustanit nën gjunjë. Mandej, si u ndjeva i sigurtë në këtë fushëpamje, mendova se kurrë nuk do të lejoja të ma përçikin trurin trallisje të tilla.
Po pse çfarë më shtynte të komplotoja me veten asisoj? Çfarë ishte ajo fshehtësi që më ndillte të ndërmerrja deshifrime të tilla? Kush ma kurdiste trurin aq mbrapshtë sa, hem të mos e ndaloja veten, hem të ndjeja turp, ndërsa zemra më rrihte e çakërdisur, krejt për hesap të vet? Dija turbull se po e provokoja veten rëndë me një kureshti të turpshme, të ulët, sa nuk gjendeshin fjalë ta përshkruanin. Dhe luftoja të mos skuqesha… Diçka e papajtueshme, emocione të liga që i shkojnë për shtat një krimineli me damkë. Mendja u çua bef vertikalisht, deri në atë lartësi, sa për një grimëkohë arriti të rrokë, të shohë, të perceptojë se, nëse do të mund ta ngjëroja misterin që më ndillte, atëherë si me magji do të çeleshin para meje kanatë më kanatë dyert e së keqes dhe unë do të hyja në një botë të huaj, si kriminel që e ka kapërcyer provën më të pashpirt për një vdektar… Dhe kur? Mu në fazën e pjekjes sime të parë, kur im atë sapo kishte zbular se gjoja djali i tyre “mendon dhe flet si një i rritur”. Shtatlartësia ime, e parakohshme për një pesëmbëdhjetëvjeçar, flokët e gjatë bjondë, që gabonin shumëkënd të më merrte nga larg për femër, sytë e kaltër me qerpikë të kuqërremtë, pra gjithë kjo bina e tërë sa një tra, do të ishte një vrashpirt pikëllimplotë të humbiste pa nam e nishan në llagëmet e nepseve të ulëta. Mëshirë për veten, Guri, mëshirë…
“Keni vajza të bukura në klasë?”, – pyeti i zëri i Nafakës, si të tollovisnin kuturu një dorë qelqurinash të brishta.
“Ka ca çupa mamaje”, – thashë, duke i dhënë vetes rëndësinë e një të rrituri.
“Sigurisht, shumë më të bukura se unë, apo jo?”, – tha me një bindje, kinse të thellë, kasten për t’ia kundërshtuar.
“Unë të thashë: nuk ka femër më të bukur se ti. As që mund ta mendoj…”
“Ç’do të bëje ti sikur të kishe një femër si unë?”, – pyeti ajo duke ndaluar e duke më parë për nën përpëlitje qepallash.
“Do ta adhuroja ndoshta… do të përpiqesha të ndjeja lumturinë pa fund, duke e shijuar, ndofta… s’di ç’të them…”.
Ajo qeshi dhe më shpupurisi flokët. Mandej foli si me vete:
“Ku di ti të adhurosh!”
Kjo më preku thellësisht, andaj ia pata flakë për flakë:
“Ku di ti se ç’është adhurimi!”
Nafaka u rrotullua kah unë dhe ngriu gojëhapur, duke më parë me sy të hapur fort dhe përpëlitje qepalle.
“Po ti je i njomë… krejt i ri, desha të them!”, – gati klithi ajo me zë të holluar nga habia.
“Dhe ti s’je veçse dy vjet më e madhe se unë… Mos të të duket kushedi çfarë! Mandej ti duhet ta kesh dëgjuar që mendimi nuk ka moshë!” – ndërmenda dhe thashë në atë valë kundërvënieje.
“Mama!”, – klithi ajo me zë edhe më të holluar dhe mbeti gojë hapur, kësaj radhe me pëllëmbën përpara si pritë.
Ajo nuk po qëronte më groshë, por po më shihte syshqyer.
Unë gjithashtu e kundroja habinë e saj, duke ndjerë sa e përkryer ishte, por dhe duke menduar ç’do të bëja sikur të më binte për hise të dashuroja një vashë si kjo. Për herë të parë e urreva Nafakën, faktin që pikërisht ajo ishte kushërira ime. Megjithatë, isha gati të fyhesha nga nënvleftësimi i saj.
“Ti vërtet qenke rritur para kohe”, – tha Nafaka.
“S’e dija se një… i ri si ti, mund të mendonte gjëra të pjekura”, – shtoi si t’i drejtohej vetes.
“Po ne veç tre vjet kemi ndërmjet, pse e ekzagjeron?” – thashë hatërmbetur.
Kisha kujdesin të mos e tradhëtoja veten me asgjë të moshës sime, por as mos ta teproja me shtirje. Nuk e di ç’më shtynte t’i tregoja time kushërire se isha një djalë i pjekur me të cilin ajo, jo vetëm mund të bisedonte si e barabarta me të barabartin, por, nëse e donte nevoja, mund të lypte edhe këshilla, pavarësisht se s’kishte ndonjë ndryshim në lidhje me fizikun tonë.
“Jo… thjesht unë po ndërroj mendim”, – u përgjigj thuajse sinqerisht Nafaka.
“Ne mund të bisedojmë sekrete bashkë”, – shtoi ajo dhe i ndritën ëmbël sytë.
“Sekrete kokë më kokë”, – uli zërin ajo.
Mua s’di pse m’u drodh trupi nga një parandjenjë e errët. Për herë të parë do të më besoheshin sekrete prej një femre. Në vend të tyre, m’u përsëdyt kurmi pothuaj lakuriq i sime kushërire dhe për herë të dytë bëra të ngrihem, por ktheva në vend i turpëruar. Kjo ishte hera e parë që më ndodhte kësilloj.
 
 

Agron Tufa

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s