NJË ZË I LARGËT (Me poeten Shpresa Ymeraj) / Nga Mihal Gjergji

 
NJË ZË I LARGËT
(Me poeten Shpresa Ymeraj)
 
Desha të futem brenda dhomës së errët, atje ku njeriu ndodh të ngujohet. Mendimet si përbindësha vendosin trurin nën torturë. Një pjesë jona vdes çdo ditë; një dëshirë, një ëndërr, një shpresë. Edhe liria gjithashtu. Poezia është liri e stampuar në letër, si kartmonedhë dollari. Po kjo e fundit ka vlerë këmbimi, fjala-jo! Ende s’është krijuar tregu i shitjes për fjalën e lirë. Ndoshta mungon kandari për ta peshuar atë. Edhe tribuna për ta thënë. S’dua të besoj se, bukuria apo e vërteta mbaron aty ku fillon fjala, ndryshe bota do ishte në gjumë. Përfytyrojeni poetin në çaste meditimi; papritur shndrrohet në ujvarë, rrebelohet, balli i mbushet me brazda, qetësia është një mysafire e largët e tij. Dashuria fillon të çlirojë energji, sepse ajo s’mund të burgoset, qendron gjithmonë sipër nesh. Kështu ndodh me poeten shqiptaro-amerikane Shpresa Ymeraj, fjalët e mallit i shkruan në fletët e qiellit.
 
“Dy fjalë, palosur si shamizë të bardhë
m’i vendose në xhepin përmbi zemër”.
 
Unë bëhem vëzhgues i mprehtë i këtyre fjalëve, ndoshta jo i pari. E kërkova librin e saj dhe ajo ma nisi. Nuk di sa ka shpenzuar për dërgesën, ndoshta ushqimin e një dite. Një zarf i mbushur me shkronja shqipe mbriti nga Amerika e largët. Tek shfletoja fletët, përfytyroja karvanin e Dhaskal Todrit, arkat e mbushura me plumb të shkrirë për këtë gjuhë të bekuar. Malli i poetes s’mund të flasë gjuhë tjetër, veç tonës. S’ka kërkuar që të shkruaj për të. Këto fjalë ja dërgoj në vend të falenderimit. Ajo është zonjë e rëndë nga Dukati i Vlorës, ka qytetari dhe sjellje aristokrate. Mallit që shitet i bëhet reklamë, ose autorëve që kanë nxjerrë shpirtin në tregun e shfytyruar. Lodhen kot ata që rendin pas lavdisë. Lumi e gjenë vetë rrugën për të mbritur në det. Ndodh shpesh të lexoni ata që shkruajnë për njëri-tjetrin, të zbrazurit nga brendia, ata që kërkojnë ngushullimin tek turmat. Ndryshe janë artistët e vërtetë, krejt ndryshe. Po le të vijojmë me autoren në fjalë. Ngarkuar rëndë me mendime poetja, ua ka hapur kanatat e portës stuhive:
 
“Nga bota në botë rënë
mbi sofrën e saj njësore
Një diell më përzë!”
 
Çfarë zhgënjimi e ka tronditur poeten? Ndaloj një çast dhe mendoj lexuesit e kursyer të këtyre vargjeve. Arti s’mund të jetë kurrë popullor, përkundrazi, lexuesi duhet të ngulmojë të bëhet amator i artit. Shpresa Ymeraj është një zë i vecantë në poezinë shqipe, doemos i largët. Meditime të gdhendura butësisht në vetëdijen e saj, tematika të përzgjedhura, simbolika gjithashtu. Nuk di cila shtysë i jep forcë t’i drejtohet nënës (Shqipëri):
 
“Ti je: që më jep frymë, më ngroh
e më mban pranë (a të mbaj unë?!)
Ti je: që më kërkon e më pranon,
dritë më bën ti!
Unë kam një jetë që të përkas, kudo jam
a më dëgjon kur të thërras, nënë Shqipëri?!”
Njeriun e përlot jo vetëm malli, edhe trishtimi. Në një botë të huaj, me detin përballë, dallgët e tij ngarkuar stërkala të bëhen simfonia e vetme e shpirtit. Në dhe të huaj, edhe
“dielli perëndon trishtueshëm
lot i nxehtë
nga faqja e qiellit zbret!”
 
I veçantë stili i kësaj autoreje, njehsohet me artin dhe përcakton individualitetin krijues. Libri i saj; “Dashuria dhe dhoma e errët” ngjason me një lëndinë ku çelen gjithë lulet e stinës. E kanë të vështirë poetët të pranojnë tradhëtinë që vjen nga dheu i tyre dhe bashkëkombasit. Tradhëtia është ajo që na lejon të njohim tragjeditë. Çdo pushtet është njëlloj i keq me të tjerët. Fatkeqësia e artit është se nuk pranon asnjërin prej tyre. Në pikëllimin që ngjyente penën Frederik Rreshpja, provon t’a ngjyej edhe poetja Ymeraj. Le të besojmë se njerëzit janë më afër njëri-tjetrit se yjet, sikurse shprehet autorja.
 
 

Nga Mihal Gjergji

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s