Poezi nga Odise Kote

 
Poezi nga Odise Kote
 
 
 
A JAM GJETH QË ËNDRRA E MBAN PEZULL …
 
Rënie e ngadaltë prej lartësie, në tokën që ndjej se ka ftohtë,
a jam gjeth që mjegulla e mban pezull?
Guriçkat e zemëruara ngjeshur në dheun kryeneç, të fortë,
shushërimë e ujrave prej më thellë,
kacafytur përposh, shkapërdredhur.
 
Lëkura puthitur me koren e trashë, ç’kalërim i pupëlt,
vë veshin, dëgjon, përthith rrëketë e meloditë
dhe zemra ankthin brof.
Të gjitha aty, fshehur, kyçur, pa fashat e dritës,
nën të njëjtin kod.
 
Gishtat e hollë, të lodhur, gërr, gërr, gërmojnë dheun,
si shkopinj të tejdukshëm zjarri,
me etjen dhe urinë që prekin rrënjët.
Nuk e dija brymën dhe gurin,
vesën dhe gjurmën t’i merrte malli,
të pikturonin dhe më të fshehtën ëndërr…
 
 
 
VAZO …
 
E prek lehtas dëshirën e shuar, tëhollur në ëndje,
me mollêza, me frikën mos thyhet.
E lêviz në çdo cep shtêpie,
sipas trendit, sipas shijes…
 
Lëkurë e hollë e saj, pa kapilarë
sikur mer frymë nga flakë digitale.
Ëndrra shterrur, ajo tani është vetëm send,
ku vendosen lule artificiale.
 
Por ndonjëherë drita e kujtimeve,
vjen si prej larg, i dredh ato fije ankthi…
 
Sepse ti nuk je thjesht një Vazo kristali…
 
 
 
DËGJOJE VIOLINËN E DRURIT …
 
Dëgjoje atë violinën e largët që del nga zemra e drurit,
prej flakëve të gjalla të vetëtimës,
në zgavrën e zbukuruar me plagë.
Memorie e gjelbërt stinësh
tingujt e çdo historie, vizatimet,
treten kokallash, ngadalë.
 
Prej mesnate e gjer në agim,
luan simfoninë e amaneteve prej kulti,
sepse një ditë dëshiron të rikthehet
hypur në varkën me vela të mitit.
Ju e dini: Druri është nyja midis tokës e qiellit,
për njeriun është katragjyshi!
 
Në shkrumb të zjarrit pastaj ora e ndarjes mbërriti,
do të vdes! – dru i moçëm kthithi,
Zoti e di kush është më mirë të jetojë :
Kujtesa apo hiri …!
 
Dëgjoje violinën e drurit …
 
 
 
NË DASHURINË E GRUAS SË PAFAT …
 
Bie shi në këtë dashuri gruaje të pafat,
bie shi, shi kokërrmadh,
lotë sorkadheje dhe ankth…
 
Ç‘e plagosi kaq verbërisht
ëndjen lakuriqe, të etur, lëkurën e bardhë,
formën e valseve të dlira,
kur era shkundte bajamen …?
 
Kumbon gjak i ikjes, i heshtjes së gjatë,
drurët ngjethen nga dënesa e hajthme.
 
Belhollë pritja, ethja e lëmuar që fshihet,
kredhur në fasha të braktisura drite.
 
Pikat e lotit, pasqyra të padukshme
ku krihen
kufomat e patretura të ëndërrimeve.
 
Bie shi në këtë dashuri gruaje të pafat,
shi kokërrmadh…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s