Poezi nga Suzana Malaj

 
Poezi nga Suzana Malaj
 
 
 
Pak ajër
 
Kur e mas lirinë për së gjeri,
krahët më mbeten jashtë
e bëj krahë letre të ngjitura me dyll.
Dehja e pashmangshme mund të ndodhë ,
kur i besoj binomit dyll e ujë(pavarësisht nga ngjyra e dyllit)…
Kur e mas lirinë për së gjati
kilometra të tëra më mbeten pa këmbë,
nuk mund t’i sundoj këmbët e mia me paramendim,
edhe kur i çliroj flokët e zgjidh nyjet në rroba.
Për së larti kur e mas lirinë,
zeniti i kokës më mbetet jashtë,
në kufijtë e prerë me qiellin.
Duhet të ketë diçka të gabuar me botën,
një pasaktësi të pafalshme prej njëzet e një rrotullash,
me krahë, me këmbë e me kokë.
Kur shkoj shpirtërisht drejt lirisë jam frymë
pa ujë, pa zjarr e pa dhe!
Njësia matëse është ajri ku pluskojnë shpirtrat.
 
 
 
Përgjumje
 
Bie shi i njëtrajtshëm prej një hëne melankolike
e jam e përgjumur…
Çdo ligament, çdo muskul, çdo nerv ka rënë në qetësi.
Edhe tendina më duket e shlodhur por e brishtë…
Ka një fytyrë të tendosur prej një hëne tinzare
që godet pas shpine.
Kjo nuk më pengon që përditë
të bëj revolucion me kockat e të harroj.
Provoj çmendurinë – zhytem në punë,
e ftohtë i iki vdekjes pa u përgatitur për të.
Gjej mënyra për ta shpërfillur,
bëhem indiferente, e largët, arrogante,
bie në gjumë…
Kjo nuk është mënyra e duhur për t’u përballur me hënën,
as nën këtë shi,
as nën këtë qiell me planetë të lodhur e kryeulur!
Truri merr sinjale të gabuara qetësie në errësirë e përgjumet…
Është momenti për zgjimin!
 
 
 
Blu
 
I shtrydha fjalët e thata për një pikëz lëng
e i hodha mbetjet në zjarr…
Flaka mori ngjyrën jeshile sikur një xhind i ngulitur në gjuhë!
Kërcente xhindi e atomet e mia kërcenin
duke bërë zhurmë kërcitëse në flakë.
Dëshirova , me të vërtetë dëshirova të isha unë substanca e padjegshme !
Ishte kripa e paqëndueshme ,që e ngjyrosi flakën
me ngjyra të pazakonta për flakët e kësaj bote…
Në zonën e retinës, në “pikën e verbër”
flaka u bë e pangjyrë…e paperceptueshme.
E ndieja praninë e saj nga dridhjet e ajrit në zonën e zjarrit
e iu tremba xhindit në zjarrin pa tym!
Iu tremba oksidimit tim ,
pllakës së kalcifikuar të arteries në baltë të thatë…
Vdekjes as nuk iu tremba , as nuk e ndieva…
e pashë në zjarrin e bërë prej selenit ,
të gjithën të veshur në blu!
(Hëna vazhdon të jetë e pranishme…)
 
 
 
Botë pa hënë
 
Gardianët e pasqyrës e ruajnë esencën të fshehur,
edhe kur rrezet ndriçojnë guvat e thella të maleve,
edhe kur ngjitem në bjeshkët e diellit
e lëmimi i pasqyrës është më i dukshëm.
Është koha për biseda të vështira,
por çakra e kokës e rrodhi në sipërfaqe të gjithë bollëkun,
të gjithë gazin e të menduarit,
duket sikur i ka mbyllur portat e ka lënë hapur vetëm njërin sy!
Galopimi i shfrenuar i hënës
e përmbysi kupën e emocioneve dhe e derdhi.
Tani që hëna është në të sosur
shoh buzën e sipërme të rrëzuar
në copëza të vogla qelqi,
shoh një vetull të varur e një qerpik të rënë
në të njëjtën frekuencë me buzën e poshtme.
Hëna duhet të jetë zhytur në errësirë
e shoh në shkëlqim vetëm hijen time.
Orët që vijnë do e lëvizin hënën nga njëri vesh në tjetrin
për të gjitha ndryshimet e domosdoshme,
nga ajri, në materie, në ujë e në tru.
Pasqyra me ikonën time të vjedhur
është botë pa hënë !
 
 
 
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s