Cikël poetik nga Agron Shele

 

Cikël poetik nga Agron Shele

 

Liri

Nuk e pashë ngjyrën që të veshën
as shenjën që të identifikuan
ishte ajo e kundërshtisë së madhe që na bëri bashkë
apo vizioni i një bote për të grisur telat
që në pikërimin akull prapë mblidhnin harabelat
dhe zëri i tyre na thërriste
për pranverën që do vinte
pa mure dhe rrethime të reja,
por me hapësirën ku avionët do kryqëzonin rrugët e një qielli të ri,
që për shëmbëlltyrë kishin Statujën e Lirisë
dhe për botë
rrebelimin ndaj çdo imazhi gri.

Nuk pyetëm
si do mund të zbriste dielli i së nesërmes
me prarimin e një agu të çelur
apo humbur errëtisë së pafund,
por dinim,
që vullnetet e shpirtit
do ngriheshin mbi ankthin e mbjellur
për të thirrur zërin e shekujve
Liri!
Liri!
Liri!

 

Lirishtë

Në çdo rrudhë të njeriut ka një mendim
në çdo thinjë ka një brengë
përse,
për atë që nuk e arriti dot kurrë
apo për dhimbjen që fle nën re?!

Në çdo brazdë ka një plor që rrëmon
e bukën e përditshme prej aty e nxjerr
kallëza që farfurijnë me erën e veriut
e bukë e pjekur në brenga plot dert.

Duart lëvizin më shumë
të ildisin rrobën e vetme në trup
teksa falen lutjes së përditshme:
I madhi Zot
faleminderit që na bekove në këtë jetë
dhe na fale tokë, qiell e det.

Po njësoj
jeta e thjeshtë kthehet baritore
aty ku një fyell kundron një lëndinë të tërë
e lulet erëmira
të egra dhe në atë pakëz tokë qepen shëkëmbinjve
që pret me thikë
duarve që nuk arrijnë dot të zgjaten
e të këputin
madhështinë e lindur në natyrë.

Lirishtë
e një lirie të mbajtur pezull
mes krahëve që vetëm një zog arrin ta prekë
dhe ajo është një shqiponjë mali që kthetrat ngul ashpërsisë
e vendit tim i jep vetëm jetë.

 

Liri që kurrë nuk resht

Vrikthi i një kali në linkthin e tij
madhështi dhe krifë e përkundur nëpër erë
liri e atij shpirti që botën pushton
në emër të kapëcimit të hapësirës pa fund
drejt sublimes
hyjnores hapësirë, aq sa sytë nuk arrijnë të shikojnë
dhe ai rend dhimbjes së shekujve
si elegancë dhe triumf
i vijave nëpër trup të një luftëtari që e nget
drejt betejave të pafundme
drejt njeriut kundër njeriut
absurdit të vet
që ka një kufi memorie dhe e indetifikon si indetitet
e shenjë të matrikulluar në zjarr
që e ysht drejt fatalitetit
farfarës botë ngritur ndryshe
këmbëve që duhet ta zhvendosin pa fund dhe tokën që shkel ta quajë të vet.

Vrikthi i një kali
krenari e asaj lirie që kurrë nuk resht
baltës nën thundra
dhe ecjes nëpër Hënë
për të përshkuar atë udhëtim imagjinar
trokut, në akrepa astronomikë
harkut të një meridiani
gjurmëve të borës.

 

Shqiptar!

Më duhej ti them të gjitha të pathënat e mia
nga ato që nisnin me zanafillë tek dheu im
ku e paqëna ndrydhte gishtat e shkrimit.

Imagjononi
kur lexoja Dikens dhe sapo kisha mësuar alfabetin
harrohesha pas madhështisë së tij
dhe kur më pas erdhi Tolstoi
çmendja, ishte më e pakta sakrificë,
ose Bajron
që magjepsej pas fustanellës së një arbri në në kërcim .

Libra të verdhë
të ndaluar prej një monarku që shkoi me harresën,
e rendur faqe të ndritshme
ardhur si shkëlqim
të një gjenerali epur pas lavdisë .
që s’ ishte emër i zakonshëm
por një Aleksandër i lindur
me gjak Iliriani
dhe perandorit Kostandin
që sundoi shtatë dete dhe shtatë qiej Bizantin.

Më duhet të shfletoj
atë histori ku përkrenarja e Kastriotit
ishte tmerr i hordhisë së çajnavellve që e veshin dhe sot
ca mytyberë të mekur
që as na bie mendja nëse zukatin nëpër mjergull
e shpata e kryqtarit të arbrit,
dërrmonte osmanin pa mëshirë
kësaj rrjedhje prej stepavë më të largëta
kësaj farse të veshur në halldup.

Më duhet të hap kalendarin
e rikthimit tonë në identitet
atje ku i pari pellazg
përkrenaren flakëronte në erë
dhe projë e madhështisë së tij
ishte krenaria e të qenurit atdhe
në qiejt që pëpinte lirinë
e na identifikonte me zotin e shqipes!

 

Dikush thërret

Në kulmin e ngazëllimit dikush thërret:
po më zihet fryma
po vdes
dhe i tërë eteri
është një paqe e angshtimit
nga ku zbret errëtisë së shkallëve të qiellit
që nuk e pa kurrë
por u end në tokë.

Në kulmin e dëshpërimit dikush thërret:
unë jetoj
kam shpresë
di ta kapëcej atë shteg që më solli
të prek ngjyrat e gjithë botës
e të shkëpus prej saj të kaltrën e qiellit
blunë e detit gjithësesi,
ti bej një
si ngjyrë e atij shpirti
që më yshti të shkrepëtij
çastit
si grimë e jonizuar
dhe pjesë e dialektikës së fragmentit zë.

Në egërsinë e pafajësisë kohë
që më solli fare rastësisht
e sigurisht do më rikthejë prapë në pluhurin e verdhë të kozmozit
emri i gjenezës time do shkruhet si shenjë e atij bekimi
që mbeti tek një besim i rrjedhur në kroin e ujërave të dëborta
tek shkrinin mallin e jehonës së ortekëve që rrëzoheshin shkëmbinjve të ashpër
e nemitja ime
më shumë se një përpjekje e përbotshme
erdhi si fanitje e atij të vogli vend
qepur lëdinave me lule
dhe hapa fëmijërie
që më rikthejnë tek i shenjti mall
tek i shenjti vend!

 

Lindje

Blerojmë në thellësinë e një honi
reagimit të një çasti që mbledh ujrat në gurra të ftohta
e vërshon zhavorit të bardhë
për të humbur më pas lashtësisë së rrepeve
e derdhur ashtu pikërim në lumë
si burim jete
ku sytë e vashës lahen
e ashtu monopatit duke shkuar
gjurmës së djersës
drejt shkëmbit të thatë
ku vetëm bredhat zënë fill
e poshtë tyre trëndelina e malit gjerb
aromën që çan shtatë male e shtatë qiej.

Lodron sorkadhja në një luadh
turret vrap lëndinës linkthi
këndon dhe një bulkth
ndërsa një shqiponjë ter krahët fluturim
dhe vendi im atje
prehur në mijëra vjet
rilexon të shkuarën në gjurmë përkrenaresh
e eshtra që ngrejnë kala të larta
për të treguar
se dikur
një Pirro
e më pas një Ali ngjiti kalldrëmet e legjendës
që të kapërcente të shkuarën në urë të qemertë
e kthyer gjer sot
në frymë të atyre që jetojnë brenda meje
e do jetojnë nesër
frymë e ripëtëritjes së brezave
që shkojnë e vijnë
por mbeten përherë ai gjak
rrjedhur në të njëjtin damar
rrëfyer të parrëfyerës
së atyre që u fshehën gjer në tretje
e sot
ringjallin të shkuarën e tyre
përuljes së perëndisë Diell
me hapa të rinj
të një zgjimi
që lind lindjen e djepeva të ripërtëritjes.

 

Epoka njeri

Era ka ndryshuar drejtim
thithim ajrin e rëndë të kësaj vjeshte
turbulluar në ankthe ekranesh e njerëz që maskat kanë për mbijetesë
harrojnë të enden dhe të kuptojë se i përkasin përtej botës
ku gjejnë shpirtin dhe paqen e veshin me fildish
të një epoke ku identifikimi me zotin
apo zoti me atë që krijoi si shëmbëlltyrë të tij
të përvuante mishin e vet në plagë që s’ mund ti shpëtojnë mëkatit
të rigjenerimit në breza ëndërrimtarë
që nuk shkojnë më larg se fresë së çastit
e kurrë nuk zhyten
në të thellën memorie
për të sjellur atë dritë që po fiket
e të ndiçojnë rrathët empirikë të Aligerit
apo të ringrejnë një Virgjil
që shkruajti të pashkruarën e viteve August
si frymë e madhe e kohës sonë
duke urryer vetveten
por ndjekur dhe urdhrin e të madhit Zot,
se sakrifica e Universit
nuk është vetëm dialektikë e ligjit të natyrës
por një vështrim që kapërcen përmes dimesionesh
e shikon përthyerjen dritë
në mure të rrëzuar nga erozioni
e gërma që shkuan bashkë me fatalitetin e njeriut.

Mund ta duash lëndën
dhe të sillesh si fitimtar i çastit
mund të vdesësh çdo ditë
e çdo ditë të lindësh
por në tërësinë e pafundme të kësaj bote
realiteti absolut kthehet në hi
dhe pasqyrimi i trajtave të shkuara
është më shumë se një venitje e së nesërmes
ku padashur plori ngul majat e mprehta të hekurit
dhe folenë e fundit të eshtrave
e rikthen në asfalt të zi.

Ai nuk erdhi për t’u strukur në instiktin e përvuajtur
por as pë t’ u mishëruar si fuqia e vetme në dhe
erdhi si thirrmë që pranoi ligjin e tokës
dhe e quajti atë: Epoka njeri!

 

Njeriu

Nuk jam drita,
as reflektimi i rrezes, që nuk e kaloi kurrë pragun e frëngjisë që kyç shpirtrat,
por as errësira,
sepsë gjuhët e flakës e kanë djegur një yll,
duhet të jem syri i botës
fuqi rrebele e quajtur njeri
lëkundur në harpat e vjetra që u këndon zotave
krahëve të padukshëm në flatra përmendore
gurëzuar në çdo orakull, ku pika e gjakut mposht vdekjen.

Vijmë si shpresë e asaj të nesëme
në mistizmin botë
kaluar nëpër vraga të mbetura në një shkëmb
që dikur dënoi perëndinë e fjalës
të dritës dhe diturisë,
që për mijëra vjet jehuan kumbimin e të qenurit
dhe ecjes nëpër lavdinë e vetëmohimit
për të arritur gjer sot
tek dhimbja e shekujve
dhe enigma që e kthen në fli.

 

Kthim në identitet

Zoti im
ty që të ndërruan për pesë aspra
e sot kanë braktisur altarin e shenjtë
ndihen të fuqishëm në tiraninë e tyre
por mëse të braktisur nga fryma e shenjtë
harrojnë se e nesërmja për të gjithë është një qepje gozhdash
dhe kate të errëta, gjithësesi
ku triumfi i atij kryqi i fundos dhe më poshtë
harruar eremisë së tyre pabesi.

Sa foshnja po mbyten sot nëpër det
sa luftra rrëmbejnë shpirtrat e pa faj
sa gra ende quhen pronë
e sa tabu shtohen nëpër natë
dhe çajnavella të mjera shkundin mjekrrat sarhoshe
të delirit që i çon pëherë në mjerim
shikojnë tek tjetri përdhunën e mbjellur
dhe vetë lakmimtarë gjer në çmenduri
fatkeqë, që lutemi ti mëshirosh i madhi Zot!

Perëndi e detit dhe qiellit
e tokës dhe gjithçka që egziston në univers
fali mëkatet e demonëve
që enden lakuriq kudo nëpër botë
epshit të përkohshëm shtyrë drejt djallit
në fytyra dhe pamje prej gjynafqari,
shndrit më fort dritën që turmat të shikojnë
verbërimin e tyre shkelur nën rrënojë
të asaj herezie që i mban të uritur
e kurrë nuk e ndienë
aromën e Lirisë!

 

Kohë e pa kohë
(Susana Roberts)

Kohë e vështirë
pika ku jeta takohet me vdekjen
dhe vdekja i buzëqesh hirit të ringritur
lutet pë jetët e rrëmbyera
psalm i atyre vijëzimeve që sot janë gjurmë
e memories njeri
ngritur nga shtrati i lëngatës
dhe thirrur jehonë nëpër pyje
fëshfërimës së largët
të një Hëne që shndrin
dhe një ditë përpjekje
për atë që dashuron jetën
dhe fëmijët e ngelur jetimë.

Kjo është koha e asaj që përtej nesh shkon
e s’ mund ta kuptojmë
por ngelemi vocërrakë të plejadës që shkon në ankthin e përditësisë
fatkeqësisë që gjurmon të nesërmen
e mendon
së kjo e shkuar do tretet buzë reve
në lotin më të parë të mjergullës
dhe harron
se ashti i një trupi është më shumë se një shpirt
që dhe nga lëngata e dhimbjes
buzëqesh
për ata që vijnë më pas
për ata që rigjenerojnë të shkruarën në tokë.

 

Shkallët e natës

Nuk je ti që flet,
as zëri i së përkohshmes që avitet në sy kalimtarë,
as flaka e unakëvë që ruan memorien e shkurtër
atë të kapërcimit nga një portë tek tjetra
që kurrë se merr vesh, pse duhet të hedhë hapat në këtë rrokullimë që mundon si Sizifi.

Nuk mund të jesh as mëshirë e vetvetes
se kryqëzimi ishte më e pakta sakrificë
që të gozhdoi dhe besoi se këputi fillin e botës
në sytë lakmimtarë të një Jude
që fërgëllonte çastit e pastaj humbi në re tymi
atyre shtjellave
që vrapojnë e grumbullohen për stuhi të reja
mërisë kohë
fenerit të zbehtë që tashmë ka ndezur të paktët yje
e mbledh nëpër terr fluturat e natës.

Nuk është zëri yt,
as jehona që vjen përmes fëshërimash
por bredh nëpër kurorat e zhveshura të drurëve në hungërima të frikshme
zbritur nga kreshtat e egra
që zënë fill si rrënjët e kapura thellë në shkëmb
e flladiten erës së gjakut
që i mëkon për të mbrujtur trajtat e nesërme
në të tjera prova mbijetese
pafundësisht amorfe
dhe përherë e më të ethshme.

Nuk je ti
por shkallë e fshehtë që zbret poshtë portave të Hadit
ku asgjë nuk shquan
veç shëmbëlltyra që ka lënë shpirtin pas,
ta rrëmbejë tjetër pasues i gjenezës
e me të në dorë
larg qenies humane
të pulsojë orët e falura
marionetës që kurrë nuk ndalet
rrotullës së botës
në ngjyrën e venitur të përvuajtjeve smeralde.

 

Kanarina

U ngjit prapë në degë kanarina
por në gjethe më s’ mund të qëndrojë
kërcelli i zhveshur pret të tjera degëzime
që tjetër kohë do i rikthejë sërish,
provon dhe të këdojë
por ajri i thatë më nuk kumbon
pikturuar në silueta të frikësuara
që më shpejt zhduken para shfaqjes së vet.

Kanarina prapë fluturon
ritualin e zakonshëm nuk e harron,
por askush nuk di të ndjekë gëzimin e përbrendshëm
poshtë maskave ajrin e sëmurë vibrojnë.

Kanarina nuk di të ndalojë
se burimet nuk dinë të shterojnë,
as rrjedha e plagosur e një bote
që shpirtin e vet rigjeneron,
e keshtu kërcimit në degëzime honesh
enden botës pa kufi
ajo në cicërimën e saj të pëvuajtur
dhe krahët e hapur për tjetër fluturim.

 

E dashur
(një poezi lirike dhe më tepër)

E dashur
qielli vjeshtës sot është i tëri farfurimë
mijëra gjethe dhe zogj që terin krahët për emigrim
në vise të tjera
ndoshta të tjera kthjellime liqenesh
atje përmes honeve ku janë gremisur ëndrrat tona
dhe një shpirt endacak,
bredh eremisë
ku dallgët flokë ngrihen në stuhi
shembin fare dhe sharmin lenë peng të një trishtimi
që ngelet tek ty
të pafajshmit sy.

E dashur
unë kam ngelur aty
tek syprina e një tavoline që ka për këndvështrim të njëjtën ngjyrë
të verdhën e gjethes,
të verdhën e librave që zgjojnë personazhe të tjerë
ndoshta *Masllovën
ose çapat e asaj vogëlushe që humbën në Danub
pa trazuar zambakët e bardhë
nën qefinin që u tret me hijen natë
ashtu në paqe të plotë
të një Hëne në verbëri
dhe një bukurie që për mijëra vjet e zhurit.

E dashur
sot është koha e fëshfërimave që sjell kjo stinë
trazimeve që vlojnë në gji
e ty të shikojnë përherë si një perëndeshë
që shpirtit i fale aq madhështi,
ndërsa mua më le këtu tek jam mua
viseve ku zogjtë do kthehen prapë në Pranverë
dhe atëherë flokët erë
do pushtojnë tërë dashurinë
si mall dhe zjarr
si dhembje dhe shpirt
si mallëngjim i asaj dëshire
që mbetet gjurmë e jetës dhe përherë më puth.

E dashur
Itaka ngelet përherë e më larg
dhe më duhet ta gjej atë breg
kaluar përmes nimfave që çdo çast zemrën turbullojnë
dhe kur të arrij,
nëse do e prek atë ishull
atëherë velat e bardha do ngrihen
cicërimën e zogjve do e rikthej sërish pas
e në shpirtin tënd do shemb çdo vjeshtë.

“*më le këtu tek jam mua – Naim Frashëri”

 

Të kam dashur

Dikur të kam dashur
s’ mund ta fsheh
e nëse do ishim bashkë mund të ishim në tjetër vend
por kjo sot nuk ndryshon asgjë
ti je atje
në zhurmën e zakonshme të përditësisë
unë diku tjetër
pas shkronjave dhe gërmave që s’ kanë fund.

Të kam dashur vërtet
jo për atë që solle tek unë
por thjesht për një kafe që pimë bashkë
poshtë blirëve të një trotuari
ku shpesh studentët vinin dhe qeshnin risinë e moshës
dhe ne të dy
aspak më shumë se pëtej të zakonshmes
gjerbnim sytë e njëri tjetrit
pasigurisë së nesërme
që na degdisi në fate të ndryshme
por botës së njëjtë
atje mes atij luadhi ku fshehje qerpikët
dhe unë prisja poshtë rrengut të tërfilit livadh, ku e gelbra s’ kish fund
bashkë me fragmentet që ti e lexove dorëshkrim
dhe atëherë
nuk besove më tek dashuria
por ndoqe prikën e ftuesit që të dërgoi
në të zakonshmin lak
një grua e nënshtruar fatit
dhe një oborr që gumzhin sot nga fëmijët.

Ne s’ mund të ndanim të njëjtin vizion
se bota është shumë më e madhe
por doja të shkruaja të fundit fjalë
se të kam dashur vërtet
në atë tymnajë
ku mbrëmja zbriste me yje shumë
e mëngjesi zgjohej pëherë uturimë!

 

Akuariel

Vjeshtë
dhe ngjyra që nxitojmë ti lexojmë
si të mundim kësaj dite në vjollcë
teksa parku im dhe stoli i harruar stinës së shirave
pikon një lot të vetëm qiellor
në formë shiu
dhe merr me vete
ato hieroglife buzësh
që qepen ëndrrës së një bukurie stampuar në xhama kujtese
në të kuqen e rrëzuar të një gjethe
me damarët e angshtimit kohë
blerim në stisjen e pranverës së harbuar
dhe dridhje
nëpër ajrin e frymuar nga rosat e egra
tek largohen
erës që rrëmben, e trupin pemës ia zhvesh.

Akuariel
i atyre ngjyrave që unë di ti lexoj
formave të një bulëze që eklipson
në mori formash, e fytyrë të asaj që nxiton
nëpër natë
nëpër një ëndërr që zgjon
dhe kujton
se e nesërmja po zbret
në krahë të engjëjve të bardhë
e të duhet të nxitosh
që të prekësh
këtë gjurmë dhimbje
këtë mall që vjen
e dashurisë së shkuar të jetosh.

 

Mall liqeni

E thellë
ajo ndjenjë që lundron muzikës së shpirtit,
mallëngjim
kur shfaqet në një betejë dashurie
kahje të kundërta
takuar në një udhëkryq, ku rrugët më shumë ndanin se bashkonin,
por prapë mbetej çast nostalgjik
sakrificë e një rrëmbimi shpirtrash
ku për pak kohë duart u kryqëzuan
përqafimit hyjnor, që ishte një zbrazje dhimbjesh
derdhje lotësh që shkoi me vjeshtën
e ngjyra të zverdhura më shumë se një *Requem
mbetur pasazh i asaj të shkuare
kaluar nëpër damarët e rrudhura të një gjethe
gati për të fluturuar me erën
tretur ndoshta në të vetmin mall liqeni.

 

Kënget e lirës

Deti është atje
masiv i madh blu,
që kur shkund tallazet kthehet i tëri në shtrëngatë.
Ky riosh i kthjelltësive të tij
plakur përplaseve ndër shkëbinj
trembur gjegjies së pulëbardhave
mërmërimë e muzikës valë
dhe fytyrë e një gruaje që shqeu kraharorin
pritjes së viteve shekuj
të luftëtarit që kurrë nuk u kthye.

Qielli po ashu,
blu në dlirësinë e pamatë
dhe egërsi në zemërim
shkrepëtin në rrufe të pafund
gjymtyrët e dhimbjes zgjatur në një qiparis që ngre kryet bri një manastiri,
ku murgjrit psherëtijnë lutjet
dhe marrin prej tij bekimin e fundit.

Toka po atje
në brazda memoriesh që e përshkojnë tërthor
galerave të Hadit që përherë qëndron gardian i mbledhjes së fajësive
mes zhurmës së metrove ankthit të shembjes së pernadorisë frikshme,
por dhe vijëzimeve të hekurta
që trasportojne jetët këndeve të fshehta
atje ku një përqafim vlen sa mijëra jetë
dhe udhëtojmë kështu
ferrparajsës së Dantes
bëmave të heronjve të Virgjilit
që ngrejnë një Julio
dhe një Homer e gjesdisin këngëve të lirës.

 

Lulakëve të qëndisur!

Në humnerën e zemrës tonë
lundron varka e endur nëpër stuhi
prek fatin e shenjtëruar të jetës
me dy lopata që ndoshta shtyjnë bregut të paprekshëm
atij vegimi ku shfaqet një sharm i kuq
shenjë e një dhimbjeje që ndjek gjurmët e atij rrëzëllimi
larë në furinë e tallazeve të errëta
e besuar foshnjërinë tonë në guackat e perëndive.

Shikojmë iluzionet si na shëtitin
nëpër livadhe të gjelbra
eremi e çasteve fatlume
pakuptimësisë gjer në frikë
por dhe vrikthit të guximit,
se kutia e quajtur barkë do na rikthjë molit të braktisur
apo lulakëve të qëndisur në damarët e një Ofelie
fanarit që shndrit më shumë se një shandan
në kullën e lartë të mendimit
takimit me jetën e që quhet lumturi e përkorë
pa psalte të besimeve të lashta
buzëve të pangopshme
të asaj fatkeqësie që gjymton ndjenjën
për ta kthjelluar arsyes memorie
këngës së pulëbardhave
avitur përtej atij liqeni!

 

Zambakëve të bardhë

Brenda dhe përtej gjithë gjërave
njerëzit
bimët
dhe kafshët
enden në alegori të dukshme
në harbim blerimi dhe zhveshje gjer në asht
në hungërimë pylli dhe rendje fshehtësisë për të gllabëruar të fundit gjah
brazdave të ngurtësuara
në tru dhe në memorie
provë e mbijetesës
por dhe rreth dëshirash
hapësirës së nevojshme
ku prishen ekuilibrat dhe shemben forcës vurbulluese
vlerës së paçmueshme
të egzistenës së përkohshme
në trajta dhe imazhe të asaj që i solli
si shpresë e ripërtëritjes
habitatit për të pushtuar hapësirën.

Brazdë e përgjakur
në gjurmët e një plori që tokën e gërvish
për të hedhur farën e mbijetesës
dhe thekra të farfurijë dhe në thëllim
apo elbi të distilohet në një kafe të bërë turbullirë
ose të bymehet
për markën e birrës më të mirë
dhe e servirur
në gota ku pasqyrohet fytyra e brishtë
e një tundimi që se shmang dot trupi
por e kthen
si të vetmin eliksir.

Çjerrim maskën e humnerës
dhe kërkojmë përmasat e epokës së re
që vjen pas shungëllimës së kambanave
dhe muzikës që është më shumë se një kumbim
i atyre që u kacavirrën nëpër kubenë e shenjtë
ose atyre që ngjyrat e jetës donin të hidhnin
dhe në fund
një zot në luftë me demonët
dhe një fasadë, ku shenjti fiton për të sjellur mirësinë.

Le të përulemi pra me zemrën tonë
bukurisë që s’ mund ti shpëtojë
as muzgut kur të feksë yjet
as Hënës që tërë qiellin të pëshkojë
dhe kur ngjyra e saj e zbehtë
të prekë kurmin e endur nëpër valë
të bashkojmë mishin dhe gjakun tonë
që ti falim paqen e angshtuar
ditës më të re
prehjes në zambak të bardhë.

 

Fluturuar nëpër valë

Ndodh shpesh
jashtëtokësorja të zbresë nga lashtësia e yjeve
të veshë fustanin e dritës
e të udhëtojë në ato pyje
ku shkretia e shpirtit të bëhet një me fëshfërimën e largët
dhe malli të rrëmbejë në gji,
si përshfaqje e një kurmi që derdhet bashkë me Hënën
e të humbasë nëpër velin e mjegullës
syve të fshehur
që kurrë nuk u ndeshën
por mbetën dhimbja e një brenge
formësuar në gërmat e fshira nga një dallgë deti
që shkriu çdo shkronjë
por jo gjurmët, që me aq dashuri i shkroi.

Ndodh
të humbas kujtimeve
dhe përpjekjes për të arritur një Itakë
që sa herë zemra e sjell pranë meje
po aq herë zotat e largojnë
dhe në përpjekje për të prekur atë ishull
mbetem kreshtë e një agimi të ringjallur
e venitje e syvë që të kërkojnë
si tis i atij mëngjesi që zbret
shkallëve të diellit
për të afruar të vetmen frymë
të vetmen jetë.

Unë ndjek vallëzimin mitik
përflakjen e përëndimit kthyer në muzë
që ngadalë ter supet e natës
kthyer më pas e tëra mallëngjim,
fytyrë që çel portat imagjinatë
e ti bukuri thyen ikuinoksin kohë
krah i bardhë i një fluture të dlirë
tunikë e fluturuar nëpër erë.

 

Oqean

Dashuria është më shumë se një oqean
gjurmë e hapave të hedhur
të një kalaje ngriur buzë valës
që vjen dhe e merr
për ta shkrirë në zemër
e ashtu në imagjinatën e ngritur
mbetet vetëm ai vështrim i gëzuar fëminor
që aq shumë e dua
tek hap krahët
e të nesërmen përcjell kallinjve duar!

Dashuria ngjan me një Hënë
që shkrepëtin vështrimin e natës
hedhur në dallgët trazim
zhurmës që vetëm ti di ta dëgjosh
tek shungëllin zhurmën e ujit
të vogëlushes endur nëpër erë
mbrëmjes së vonuar
që sonetet e ëmbla në harmoni tingujsh këndon.

 

Hiret e shekujve

Ti qëndron memorizuar në duar e atij që të gdhendi
të dha formë por dhe sy të ndritshëm
që të shikosh yjet si ndizen
të shikosh dhe mëngjesin kur zbardh
në krahë zogjsh
që fluturimin e terin gjer tek ty
për të stolisur memorialet e kohës dhe parqet
ku shpesh përballë ndeshesh me nimfat
Venusin dhe Herën
që shortin e bukurisë ndanin tek frymorët
dhe të gatshme për ereni të reja
tek shkulnin zemërimin në erërat e flokëve
e dënonin dashuritë në tokë,
si fajësi e asaj dëshire të fshehur
që duhej rishkruar
në papiruse të reja
për të mbrritur gjer sot kaq magjishëm
e zbardhur hiret e shekujve.

 

Egzaltim

Rikthehem në të njëjtin pasazh
në të njëjtat trajta
por me ngjyra të ndryshme
herë në të bardhën e atij pehashi drite që depërton në të fundit skuta
që nuk gjegj krahë të thyer,
herë asaj murnaje që zbret shkallë të gurta
dhe sërish i njëjti imazh
shndritur në harbim flokësh të hedhur mbi sy
pëtej rrëzëllimit të atij vështrimi
por zbret engjëjt vështrim
dhe si fragment i këtij çasti
shikon bukurinë e muzgjeve
përflakjen e diellit
që shpesh shkon përmes resh
dhe ashtu gjysëm ndriçim
shfaq të bukurën ëndërr
në memorie imagjinare
dhe përtejvështrim.

S’ mund të jetë më shumë se një legjendë
e zbritur në tokë
herë tehut të një shpate që mbushej me lavdinë e krenarisë
dhe një jete të humbur nëpër tokë
ardhur ashtu kohezinit të fatit
ku përplasja do ngrihej mbi titanë,
ajo përëndeshë e Atlantës së përpirë nga ujërat
e ai djegur në vullkanin që zhduku Pompeun.

S’ mund të ishte shkëlqim më i bukur në tokë
se krahët përqafuar në të vetmin amshim
ajo, bukuri e ngritur përmbi qiej
dhe ai,
fatlum që preku shpirtin e përkorë.

Tashmë që yjet shndrijnë në vezullim
dhe mëngjeset zgjojnë tjetër agim
ajo endet si shpirt i lirë
dhe ai përjetë, lirës së Orfeut egzaltim.

 

Vera

Punojmë dhe krasitim vreshtin
vjelim dhe e shtrydhim rrushin
këndojmë dhe qajmë kur e pimë
vegime dhe mendime të çmendura në kokë
duke shtrënguar gotën
dhe parë fytyrën e tjetërsuar
ciklit të dehjes së etur
festës së vetme,
që duket sikur vret brengat e përmbys kupën
tek rrjedh për tu kthyr në vlag.

Rrotullohet çastit ajri i frymuar
tek vezullon
shandanët e vjetër kthyer në relike
ngjyrave të gjakut
aty ku dhe humbas.

One thought on “Cikël poetik nga Agron Shele

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s