Poezi nga Fatmir R . Gjata

 
Poezi nga Fatmir R . Gjata
 
 
 
Ah sikur
 
Shpeshherë të mendoj deri vonë, të ndjek nëpër drita dhe hije
E di, për poetët çfarë s’thonë, mbase rrojnë veç me fjalë dashurie
Por betohem në fjalën e parë, jo në bibël të shkruar, natyrisht
Të mendoj e ngjasoj me të marrë, kur s’të shoh sy të zi e të trishtë
 
Edhe shkruaj një varg në mesnatë, kur nuk kam më asnjë dëshmitar
E kafshoj buzë të çarë e të thatë, ah sikur;them me zemrën e vrarë
Të shalonim bashkë hënëz të ndrirë, ku do shkonim as vetë nuk e di
Ndoshta humbur nëpër errësirë, do të mbaja shtrënguar në gji
 
E të bëhej ç’të bëhej në botë, le të digjej e të kthehej katran
Sepse jeta shpesh duket e kotë, kur nuk ke perëndi aty pranë
E të loznim me shpirt të çliruar, sikur engjëjt parajsës dikur
Sikur ishim vetë engjëj të shuar, sikur ishim mes tyre, sikur…
 
 
 
Kohë lamtumire
 
Sa shumë të dashur shkojnë pa ndier,
qenka vërtetë shumë e vështirë
Çfarë kohësh vallë kanë ardhur tashmë,
mbytur në dert dhe errësirë.
 
As mund tu hedhim një grusht dhè,
e varret ku i kanë s’jua dimë
Qajmë vetë me vehten mbyllur brënda,
e derdhim lot me ngasherimë.
 
Luftë të kish qenë do ndienim krisma,
do shihnim plagë e gjak të ngrirë
Sa shumë po shkojnë, sa shumë po ikin,
dhe nuk u themi dot; lamtumirë.
 
Kohë për varrmihësit, për hoxhë e prift,
por lutjet s’po shpëtojnë të gjallë
Shkojnë pa u ndier sikur mos qenë,
ca miq të mirë e njerëz të rrallë.
 
 
 
Njeri i mirë
 
Jetojmë në kohë të bëra pis, ku s’merret vesh, Zoti na faltë
Mbledhur në turma njerëzia, godasin shoqi shoq me baltë
Podiumet mbushen me të dehur, pushteti dehka për çudi
Më shumë se çupëz belëhollë, më shumë dhe se një gotë raki
Paraja mik, të thonë në vesh, dhe ujtë e ndytë e hedh përpjetë
Ndaj luftë o bir ta bëjmë përshesh, të bëjmë lek sa për dy jetë
Dhe fjala nder s’ka më kuptim, përdoret vetëm për shalë grash
Të vjedhësh shumë or miku im, në se kupton je vetë i trashë
Dhe tallin bythën nëpër klube, ca njerëz bosh e shpirt këllirë
Të shohin me turinj të varur, ç’merresh me të, është burrë i mirë
Dhe shesin, blejnë edhe ndërrojnë, njerëz me mall e mall me pare
Edhe të mburren kryelartë, se janë të zotë të bëjnë pazare
Kanë dhe shoqata, kanë kuvend, po zgjedhin edhe kryetar
Për vendin tim e vendin tënd, për vendin tonë more qyqarë
E ne… Ne heshtim dëshpëruar, në katrahurën fytyrë nxirë
Kur na shkojnë pranë edhe na thonë, ti dukesh, je njeri i mirë…
 
 
 
Ëndërr 7
 
E futesh pak në ëndrrën time,
dhe nuk më del o zot njëherë
Me puth e qesh e ikën tutje,
sikur një flutur nëpër erë
Tani që sheget janë pjekur,
u çava vetë porsi shegë
Nuk gjeta degëz për tu kapur,
e rashë këputur nënë degë
E gjeth i brishtë më mbuloi,
më zuri qiell plotë me yje
Ndërkohë që binin të rrëzuar,
e të vendoseshin mbi krye
E ndrinin…ndrinin pa pushim,
të jepnin ngjyrë që oh o Zot
Që kush njëherë në jetë se pa,
nuk mundet ta kuptojë dot…
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s