Recension për vëllimin poetik “Vjeshta është shtëpia ime” të autores Mercedes Gega / Nga: Iliaz Bobaj

 

Recension për vëllimin poetik “Vjeshta është shtëpia ime” të autores Mercedes Gega

Ndërmjet poeteve të shumta, që kam njohur këto vitet e fundit, sidomos në Diasporë, është edhe një poete e re me emrin Mercedes Gega.

E vërteta është se, në serinë e pafund të atyre që shkruajnë poezi, disa syresh edhe me një mani thjesht për t’u dukur se janë poetë, por me një poezi me më tepër krunde sesa miell të pastër, kërkon kohë ndarja e poetëve të vërtetë, nga ata që jetojnë me iluzionet e vetvetes, se shkruajnë poezi dhe se janë poetë. Megjithatë, përherë jam i vëmendshëm ndaj talenteve të reja dhe i qëmtoj ata me kujdes.

E lexova disa herë këtë poete të re, në botimet e saj në facebook, para se të njihesha më mirë me poezinë e saj. Mandej i kushtova më tepër vëmendje, ashtu siç u kushtoj të gjithë atyre, që mendoj se kanë talent dhe mendoj se do të ecin në rrugën e bukur të poezisë.

Tashmë poezinë e saj e kam nëpër duar, në librin e saj të tretë. E shfletoj me kujdes dhe gjëja e parë që më bie në sy, është ndryshimi i saj nga njëri libër, tek libri pasardhës… Jam i bindur që ka rritje ose më mirë më bind libri i saj, që këto prurje poetike janë në rritje, sidomos në aspektin cilësor, i cili është treguesi më bindës i mbrothësisë së një poeti.

Libri i saj, që kam nëpër duar, vërtitet nëpër një hapësirë poetike të pastër. Për këtë autorja ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, që të mos shkelë nëpër gjembore poetike, por të vallëzojë nëpër lulnajën e dashurisë, ku edhe dhimbja është e bukur dhe plaga e adhuruar. E thënë ndryshe, kjo do të thotë të dish ta respektosh dashurinë ashtu siç është, ashtu siç vjen dhe na bën të pasur, ashtu siç ikën dhe na lë të varfër. Dhe duket që poetja ka bërë aq kujdes për ta respektuar atë në të gjithë treguesit e saj, në të gjitha poezitë e saj me këtë temë, të cilat mbizotërojnë dukshëm në këtë libër. Më pëlqen që ajo nuk e ndot dashurinë me vargje që u del boja, sapo i lexon për herë të parë, por e përkujdes, duke e mbajtur si një zonjë plot finesë:

Kur të ndiesh që s’ke më forcë, të ngresh shpirtin që mend bie, mbi një botë si flluskë sapuni, veshur-zhveshur me dritëhije. Atë çast, në mos të tjerë, sill ndër mend imazhin tim…

Ajo ndërhyn në një çast të tillë delikat, duke mos e lënë poezinë të bjerë përtokë e të përzhitet. Ky është një komoditet poetik. Dhe këtë ndërhyrje, poetja e bën shpesh në poezinë e saj, madje me finesë dhe forcë poetike, duke përdoruar një varg metaforash të fuqishme, të cilat e forcojnë dukshëm poezinë nga ana artistike, si… “e hirta e vështrimit tënd pikonte / vetmi fisnike”, “Kafazët s’janë për dallëndyshe…”, “Byzylyk në dorën e zemrës të kam”, “kalon nëpër prangat e arta”, “largohem me hapa të rëndë sa dherat”, “dritëhije fajlësh të rithëna / lëshuar shkujdesur kuturu…”, “zemra jote i ndez gjithë yjet”, e shumë të tjera. Por nuk është vetëm tema e dashurisë, që e mban në këmbë këtë libër, edhe pse i hedh asaj shumë dritësi poetike. Janë edhe temat e atdhedashurisë dhe mërgimit dhe përgjithësisht temat shoqërore, të cilat e plotësojnë më mirë lulërinë poetike të këtij libri.

 

Mercedes Gega

Përgjithësisht poezia e poetes Mercedes Gega, është e ndërtuar mbi vargje të pakët, të matur dhe me një kujdes të veçantë, që të mos bjerë në “inflacionin poetik të fjalës”, ku bien dukshëm shumë poetë të rinj dhe jo vetëm ata. Kjo është shumë pozitive dhe vlen të theksohet.

Ajo që bie në sy te kjo poete, është veçanërisht përdorimi dhe forca e figurës poetike, që ajo përdor. Ajo kujdeset, që kjo figurë të mos i largohet idesë, mesazhit, tematikës, që të mos bëhet e huaj për poezinë, por të mbetet pjesë biologjike e saj. Dhe besoj se ia ka arritur në një shkallë të dukshme.

Ajo përdor edhe vargun me rimë edhe vargun e lirë, duke ruajtur mjaft mirë muzikalitetin poetik në secilin prej tyre. Ndërmjet poezive me varg të lirë, kemi edhe mjaft poezi të shkurtra, nga ato që ndryshe quhen “poezi me gjetje artistike”. Mendoj se ia vlejnë të jenë aty, pasi jo vetëm plotësojnë kuadrin poetik, por edhe tematik dhe i japin më tepër larmi tematikës dhe formës së poezisë së saj.

Suksese Mercedes!

Patra, Greqi, më 3 tetor 2019

 

Iliaz Bobaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s