FËMIJË TË DRITËS DHE DRITA E JETËS / Nga: Teuta Dhima

 

FËMIJË TË DRITËS DHE DRITA E JETËS

“Fëmijë të dritës dhe Zhak Prever”, një libër ku rrinë bukur proza poetike, poezia dhe përkthimi. Libri përmban tetë proza poetike, dhjetë poezi, një poemth në katër kohë dhe shqipërimin e “Edhe një herë për lumin” të Jacques Prevert-it.

Përzgjedhja e titullit, është një portë hyrëse nga ku lexuesi do të depërtojë në kopshtin magjik të autorit. Me librin e tij, çdo autor na ofron një të tillë, ndërsa Enton Bido, falë aftësisë në shqipërim, bashkë me krijimet e tij, na ofron edhe një poemë të shqipëruar. Ka ndarë hapësirën e tij, në një formë bashkautorësie, pasi çdo shqipërues jep nga vetja e tij, në atë që i sjell lexuesit. Ky lloj ndërtimi i titullit dhe më pas i librit, përbën një risi interesante.

Proza poetike është quajtur ndryshe edhe ajka e prozës, ndërsa prozat poetike të paraqitura në këtë vëllim, përbëjnë ajkën e prozave poetike të shkruar prej Bido-s. Kushtimi i ëmbël i autorit: “Johanës dhe Jonit”, i jep hyrjes në libër një tjetër dritë. Libri iu kushtohet atyre dhe nis me ta. “Tri fëmijë të dritës, të bukur si yje, kalojnë mbi urën e drunjtë që del nga brenda detit. Prekja e këmbës së tyre në tokë, sjell mëngjesin”. Sjell lindjen e një dite të re.

Mendimi në këto proza poetike vjen i ngjeshur dhe plot emocion. Autori mban një qëndrim të drejtpeshuar midis prozës dhe poezisë. Ai ruan karakteristikat e rrëfimit dhe sjell përfytërimet e tij në situata plot fantazi. Afërsia që ruan me prozën në këto proza poetike vihet re në përzgjedhjen me kujdes të personazhit, edhe pse nuk ka zhvillime të tij. Ata vetëm sa ia behin, ngacmojnë vëmendjen dhe më pas, gjithçka përqëndrohet në përshkrim dhe jo në atë që ndodh.     

           Tek “Loti i motrës dhe varka”, përshkruhet gjendja e saj, rrëshqitja e lotit deri në formimin e një pellgu, ku një foshnjë hedh një varkë prej letre. Por autori krahas varkës, na sjell edhe dy simbole të fuqishme: korbin dhe pëllumbin dhe këtë e bën për të mëshuar në atë që është poetike në këtë prozë. Me të njëjtin qëllim, përdoret edhe metafora e mbirjes së malit në mes të detit tek “Pushtimi nga retë”. “Dora ajrore” më pas bëhet “Dorë shpëtimtare” dhe monologu që është pjesë e rrëfimit përfundon me pyetjen: – A mos po zë fill Zbulesa?

Nëse e vëmë re me vëmendje, Zbulesa është shkruar me gërmë të madhe nga autori si për të theksuar përvetshmërinë e të një kohe të caktuar, ku janë shkruar ngjarjet e së ardhmes.

Në një intervistë dedikuar librit në fjalë, Bido shprehet se ngjarjet e trishtueshme të nëntorit të vjetshëm, ku toka na u drodh nën këmbë, kanë pasur ndikimin e tyre në shkrimin e këtij libri dhe kjo vihet re qartë në metaforën e bukur të “Dorës ajrore” që më pas kthehet në një “Dorë shpëtimtare”.

Marrëdhënia prindër – krijesë mbizotëron pothuajse në të gjitha prozat poetike. Ajo paraqitet si tek njerëzit, tek vdekëtarët që shohin të habitur dorën ajrore që e kap globin nën pëllëmbë për ta shpëtuar, edhe tek kafshët. Dora e padukshme, dora shpëtimtare, shpëtoi jetën e ketrave të vegjël duke i vënë në një shportë të stërmadhe thuprash drite. Hamendësimet e ketrave prindër për “shpëtimtarin” janë nga më të ndryshmet. Ai i përngjet: kryeheroit, Zeusit apo Të dërguarit. Fantazia e autorit ravijëzohet bukur me një pyetje: – “Mos qe ëndërr kjo që sapo pamë?” , po pasi mrekulli të tilla, mund t’iu bashkëngjiten vetëm ëndrrave.

 Nuk mund të ketë “Fëmijë të dritës”, pa një lehonë… Autori na e sjell mjaft bukur dhe pranë i vë një albatros. “Lehona dhe albatrosi” është  një nga prozat poetike më të bukura të këtij vëllimi. Krahasimi i lehonës me një sorkadhe të plagosur, hap tek lexuesi portat e fantazisë dhe e bën atë të përjetojë emocion. Emocianaliteti e afërson tek poezia këtë prozë poetike. Kjo figurë femërore është parë me sytë e dashurisë, pasi vetëm me ata, mund të shohësh “rruzuj të vegjël rozë të pikturuar vetiu mbi qepalla”.

Përfytyrimi dhe situatat e fantazisë janë në nivele të larta: “një albatros i mbërritur nga kushedi se ku, ka sjellë dhuratë për foshnjën. Është një djep thurur me pupla, i cili është në gjëndje të fluturojë ashtu sikur shpendët.”Një djep i tillë, komod e i rehatshëm për fëmijën, pse jo, edhe në gjëndje të fluturojë kur është nevoja për ta shpëtuar, heq merakun e çdo prindi për engjëllin që dremit pranë lehonës.

Tek “Lutje Lutjepranuesit”, kemi një mbyllje dinjitoze në udhëtimin e kryer mes prozave poetike të Bido-s. “Kthjellona sytë e mendjes, Lutjepranues! “, shprehet autori. Tek lexoj këtë thirrje, që përmbyll prozën poetike më vinë ndër mend dy parrullat thelbësore të surrealizmit: ” Të ndryshojmë botën, Të ndryshojmë jetën. Bota dhe realiteti për autorin, nga të vërteta bëhet mbireale, nga objektive, bëhet subjektive. Vetëm qartësia e shikimit me sytë e mendjes do të bëjë të kuptojmë realitetin e vërtetë të botës.

Pas “Psikoqelliore”, “Terrinës kuturu”, “Botë të reja” dhe “Para Zbulesës”, autori vjen me “Fëmijë të dritës”. Në këtë vëllim, poezitë nuk janë të shumta, por janë boll për të krijuar një panoramikë të qartë të udhëtimit nëpër poezinë e Bido-s dhe për për një grishje emocionale të lexuesit. E kam ndjekur autorin nga afër në krijimtari dhe kjo më ka ndihmuar të shoh atë çfarë ka ndodhur me penën e tij. Për poezinë e Bidos jam shprehur dhe në një tjetër shkrim dhe nuk dua të bie në përsëritje, por poezitë e këtij vëllimi janë ndryshe nga të tjerat. Ato kanë më shumë dritë, një dritë që vjen nga hapja e shpirtit të poetit, nga ku strukej e ndrojtur dita që po lind.                 Përzgjedhja e fjalës tek Bido është art. Ato duken sikur çimentohen në përsosje dhe çdo në brendi. Nota surrealizmi e kanë përshkuar ngahera poezinë e Bidos, gjuha figurative ka fuqi deri në rrënqethje, metaforat, krijojnë imazhe të fuqishme si: “zemra që bie dhe thyhet, bëhet copë e thërrime si një glob i kuq”, apo “dritëzat e qytetit që hyjnë si shigjeta ne retinë”.

Tematika e poezive, sigurisht që nuk mund të jetë e njëjtë në çdo vëllim, por tek “Fëmijë të dritës”, ajo ka marrë një lloj “zbutjeje”. Autori duket sikur “përkëdhel” çdo varg, siç përkëdhelet koka e një fëmije.

Objekti poetik, motivet në “Fëmijë të dritës” janë:

– Jeta me dritën e saj, ku “Veshur me parashuta ëndrrash harlisemi florës së jetës përditë e ngjasojmë me spore dashurie”.

 – Dashuria, erotizmi: “Vallë nga puthja erdhi vrik rrufeja që buzën përfkaku dhe mishin e kalli?” Apo, “Mos të biesh në dashuri me ty është sikur toka të mos i bindet rëndesës dhe uji të mos avullojë”

– Vdekja : Në poemthin në katër kohë “Netë lakuriqe”, koha përmbyllëse

“S’i kuptova gja jetës- tha vdektari.

Druj se koritem.

Nëse cofi, varromni thellë!…

Amen! Amin!

Pastë dritë gjithherë n’amshim!

I lehtë më qoftë dheu im!”

Drita, është ajo që në çdo motiv poetik të poezisë së autorit është e pranishme: t’i kthesh sytë dritës, të jetosh me të dhe të lutesh që shpirti të ketë dritë në amshim. Brenda situatave në poezi krijohen raporte të ndryshme. Poeti flet dhe i drejtohet herë gruas, flokët e të cilës ngatërrohen me të Meduzës, herë pyet kalorësin se në cilin kraharor do të godasë shigjeta rozë e Kupidit, dhe herë del në përfundime të fuqishme si : “Gjithë botë e njeriut lë gjurmë në Kohë sa një psherëtimë”.

Pjesë e këtij libri siç e përmenda më sipër është edhe shqipërimi i “Edhe njëherë për lumin” poemë nga Jacques Prevert. Bido ka dhënë prova që është shijemirë në përzgjedhjen e tij për shqipërime. Ato deri tani kanë qenë në prozë dhe autori ka sjellë variantin e shqipëruar me një gjuhë të pasur, por përkthimi i rradhës, ndryshe nga të tjerët është një poemë.

Personalisht jam e mendimit që poezia nuk duhet përkthyer. Është njësoj si ta marrësh dëborën ndër duar dhe ta çosh në det, ajo që do të mbetet është uji nga shkrirja. Po midis përkthimit të poezisë dhe faktit që ajo mund të mos vijë asnjëherë tek lexuesi në gjuhën origjinale, zgjedhim shqipërimin. Përpjekjen për shqipërimin e poezisë, Bido e ka kaluar me sukses i ndihmuar edhe nga dy fakte të tjera: së pari ai njeh gjuhën e tij në ato përnasa, sa mund të luajë me fjalën me një elegancë sqimatare dhe së dyti, Bido është poet. Me shqipërimin e tij ai i ka hedhur poezisë së Jacques Prevert-it një tis nga poezia e tij dhe do të thoja se ajo vjen bukur dhe me fjalë të përgjedhura për çdo varg. Kur lexova “Edhe njëherë për lumin” të shqipëruar, ndjesia që provova ishte se, isha buzë Senës dhe pash gjithçka që Prevert-i ka parë. Me sytë e mendjes ndoqa udhën e Senës, dhe pash qenin që dridhej, plakun që flinte nën urë, dëgjova jehonat nëpër natë, zhurmat e çekiçëve në verën mëngjesore, qeshjen e marrë të vajzave me bluzat në duar dhe mendjen ma tërhoqi një grua që u ndal befas dhe vështroi Senën, duke ëndërruar të dashurin e saj…

Në përfundim, “Fëmijë të dritës” është një libër ku mund të provosh kënaqësinë e të lexuarit: prozë poetike, poezi dhe poezi të shqipëruar bukur, por mbi të gjitha të shohësh, DRITËN E JETËS.

 

Nga: Teuta Dhima

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s