Cikël poetik nga Brahim Avdyli

 
Cikël poetik nga Brahim Avdyli
 
 
 
TË ISHTE KJO HYRJA
 
1.
 
Urdhëroni
nëpër vargjet e mia,
 
hyni dy a tri herë
nëpër rrugëtimat
e kërshërisë,
 
se mua
nuk më kujtohet
ku e kam vendosur
mësheftas çelësin
e rrugëtimeve!…
 
2.
 
Të ishte kjo dera
për të hyrë
nëpër vargje
 
nuk e di
ku do të më kishit gjetur
 
nëse do të isha
në hapësirat e këngëve
përjetësisë së pushimit,
 
a do të kisha shtruar
për të marrë frymë
në metaforat e fjalëve
 
apo në pikëpyetjet
edhe të ironisë…
 
3.
 
Jam zënë ngusht
në theqafjet
e këngëtimit
 
e në pikëquditëset
e befta
mjaft të rralla
të enigmave…
 
 
 
FJALËT E PATHËNA
 
1.
 
A janë
mjegulla në sy
frymëmarrja e pëlcitur
 
zonjat e dalldisura
apo hiçgjëja që vetvritet,
 
a janë hije të befta
në çdo moment
që të ndjekin pa i ndjerë
pas kurrizit…
 
2.
 
Mendja ikë
në largësitë e pamatura
derisa lehtas
të prekin mbi supe,
 
më kalon përskaj
e Bukura e Dheut
e cila
moti më ka munguar
me flokët e gjata
të kohës,
 
zhduket
fare pa më vërejtur
me stepjet e këngëve
apo të vajit
 
buzëve të përceptimit…
 
3.
 
Çudi,
fjalët e pathëna
tresin në hapësirë
 
shkrihen e tretin
në lumin e rritur të viteve
nëpër furtunat e jetës,
 
e ndoshta
të vjen keq e të dhimbsen
motivet e përmbytura
 
të duket
se i ngrisin kokat
qajnë pa ndarë
 
derisa valët i përfshijnë!…
 
 
 
PARAFJALA
 
1.
 
Do ta gjëni
nëpër vargjet e pakëputura
epokën tuaj
 
e nuk e kanë përjetuar
paraprakisht të gjithë
siç është
e siç duhet të jetë.
 
2.
 
Asgjë
nuk më premton
të merrem vetëm
me të kaluarën tuaj
 
apo njëqindmijë
pyetjet e përgjegjet
që mund të parashtrohen.
 
3.
 
Brenda këtyre
kopertinave
parashtrohet jeta
 
mendoj
se fragmentet e mendimeve
i përpinë dhembja.
 
4.
 
Heshtja nuk i myll
ato më kryelartat
 
përpëlitem në vetvehte
të shpërthejnë
membranat e çelikta
 
mbi lëvozhgat e zemrës
së përlotur.
 
5.
 
Luftë e pa fund
në tërë qenien tonë
të krijimit
e përlindjes
 
është zingjiri i kohës!…
 
6.
 
E Thëna jam
e le të pëshpërisin A Thina
Shqipet tona
në dy botërat,
 
prej trurit të kohës
e zemrën e madhe
të periudhave
 
e krijoj të tërën
me mendimet
që flasin!…
 
6.
 
E di se lirika
këndohet
edhe përmes ditëve
dhe vendeve
 
bredhë midis fjalëve tuaja
e ndalem
nëpër enigmat e mija.
 
7.
 
Ju këkone
midis rreshtave
pikëpyetjen apo pikëquditjen
e jetës suaj
 
që nuk shtrohen
në të thënat
e fatit apo pafatit.
 
8.
 
Nëse nuk i gjëni
midis këtyre fletëve
 
shikoni
durueshëm
edhe veprat e tjera
 
e do të gjëni aty
shpërfilljen
e skenave
 
dhe pasqyrën
e viteve!
 
9.
 
Atëherë
lirohuni nga dhembjet
e mbledhura
në grusht të fjalëve,
 
dilni jashtë
nga kopertinat e viteve,
 
uluni lirshëm
këmbëkryq
përballë Diellit
 
e do të vi ngadalë
edhe unë
nëpër hapësirë!
 
 
 
FJALORËT E DHUNSHËM TË LUBISË
 
1.
 
E shikoj liqenin
përtej vizioneve të mia
humb mbi valët e dhembjes përtej vetes
 
pranverë më nuk kam
se Pranverës në njëmijë forma i kam thënë
pak më butësisht
apo ndër valëzimet
dhe kujtimet e hidhura…
 
2.
 
Jam një dritë shpirti
në bredhëritje
pranë lumturisë pa mua
 
kur nuk e pres
më buzëqeshë një fëmijë
midis lojërave të veta…
 
3.
 
Assesi të kuptoj
në cilën kohë kam kalëruar
nëpër hapësirë
 
i vetëm notoj nëpër dhembjet e mia
 
pres të dal diku në breg
e nuk e di
a të marr hijen e kësaj panjes,
 
kësisojit
nuk marr pjesë
nëpër ahengjet e çmendura të djajëve
 
qeniet kështu mendojnë
nëpër dam-dumet e majmunëve…
 
4.
 
Pyes veten
a jam në Zvicër apo dikund tjetër
 
gjuha ime shetitë nëpër mileniume
e flitet shqip edhe në Alaskë
 
askush nuk e pranon
dhuntinë e Zotit.
 
5.
 
Atëherë
jam pjesë e zhdukur e qenies
nëpër fjalorët e dhumshëm të Lubisë
 
por mbetem gjallë
e nuk më logarisin si të tillë
se fytyrë gënjeshtare nuk pranoj,
 
bota le të dridhet
të vdekjes nëpër fjalë!…
 
 
 
BUZËQESHJA E NGRIRË
 
1.
 
Buzëqeshja
është e tharrë
mbi buzë
 
e buzët e plasaritura
nga dhembjet
 
dhembja i ka bjerrur
të gjitha qelizat
e qenies
 
deri në majën
e flokut të trishtë…
 
2.
 
Gënjeshtrat
janë pa fund
të atyre që mjeshtri
i kanë dredhitë,
 
kthejnë kokën e botës
nga ana e kundërt,
 
i miri
i paska të gjitha fajet,
 
e drejta
mezi lëvizë
nga barra e shekujve
 
i pat e nuk i pat
të merituara
ngarkuar mbi kurriz…
 
3.
 
E vërteta
është çmendur
 
kot lëvizë
nëpër bjerrina,
 
ajo fatin
para syve
e ka të ngrirë
në pikëpyetje!
 
4.
 
Krimet
nuk duhet kërkuar në Kosovë
por nëpër Serbi
 
dhelprat e Shumadisë
e ujqërit e bardhë të Siberisë
atje e kanë jatakun,
 
ngjyrat
nuk luajnë ndonjë rol-
 
kthetrat e tyre
ngërthejnë kohën!
 
5.
 
Kot luftuam
e kemi vrarë veten,
 
kurorat e lirisë
ia vjerrim armikut,
 
atij
që na ka djegur zemrën
e shkrumuar trupin
në hi
 
nëpër ecejakut e askushit,
 
e ne
i ndihmojmë
duke ia hapur udhën
nëpër kufomat tona
 
deri në fron të burrërisë!…
 
6.
 
Tani
me çka paskemi
të krenohemi
para të nesërmes-
 
buzëqeshja na është ngrirë
në fjalët e bjerura
të dhembjes!
 
 
 
 
TRISHTIMI I KËNGËS
 
1.
 
I shpenzova
sa vite për Liri
 
e Lirisë
ia kanë mbyllur shtigjet
me plehun e murrizave të shëmtisë
mu para shtëpisë.
 
2.
 
Kudo e nxjerrin
ndërgjegjen në shitje
me shpërlarjen e fjalorëve të turpit
 
vrapojnë para meje
të të kapin armiqtë tanë
dhe me butësinë e qengjave
ta puthin në prapanicë,
 
kështu, çdo herë
i vetmuar mbetem
nëpër pritë…
 
3.
 
I habitur
vrapoj nëpër kohë
të bëj dy miq
me atë qëllim të shenjtë
 
e t`ia japim hakun
atyre që na e ç`njerëzuan
L i r i n ë.
 
4.
 
Vie koha
prej shtëpisë të më nxjerrin
e pa truall të vdekjes
të më lënë,
 
i ndëgjojnë vetëm
ata që shiten
si liberatorë,
 
veshin rrobat
e lajkatarëve të mëdhenj
vetëm për të pasur
meritën
e kohës së re…
 
5.
 
Ah, bota
as ajo nuk më pranon
për të shenjtë
 
sado që i them
se nuk mund të më lëvizin
nga biruca e dhembjes
 
ata, djalin ma dënojnë
me dhunë “demokratike”
 
e nuk pushojnë
të lëvizin gjeneratat
prej sinonimeve të Lirisë!…
 
6.
 
Në fund
kënga trishtohet
 
i hedhë të gjitha figurat
prej qenies së besimit,
 
malit të lotëve
ngjitet përpjetë!
 
 
 
RRESHKA E DHEMBJEVE TË MIA
 
1.
 
As nuk të afrohet
lumturia
e nuk të përqafon gëzimi,
 
askund për qetësinë
nuk të mbetet vend
edhe kur ke ikur
nga vetvetja
në hapësirat e pambarim,
 
e trishtimi
plotësisht të afrohet
edhe në paskajshmëri,
 
prore të teshë
etja e pashuar e Lirisë.
 
2.
 
Papriturazi
të del zemra përpara
me ulurimat e mëdha
të shpirtit
 
thua se të pëlcet
nga dashuria,
 
e kujt t`i thuash
dy fjalë të lotëve
kur pranë u qëndron
shpirti dhelparak,
 
të çiltërta fjalët tuaja
dikush
të çmendura i quan.
 
3.
 
Kështu
bishat e dhembjes
të kafshojnë
në çdo çast
kudo e në çdo anë,
 
plagët
i ke të pashëruara
 
e të shtohet
edhe nga një dhembje
më shumë,
 
pehlini i tyre
të është bërë
rreshkë e trishtë jete!
 
 
 
E VËRTETA E SHEKUJVE
 
1.
 
Sikur ta dinit
shkakun e interesimit tuaj
që e ndien
nëpër duart e shpejta
të kohëve,
 
dhembjeve të fëmijërisë
keni kaluar
deri në kthetrat elektronike
të mileniumeve.
 
2.
 
Vonë e keni mësuar
çështjen e piramidave të energjisë,
 
sikur t`i njihnit
më përpikërisht
 
atëherë
do të merrnit vesh
më të papriturat,
 
për shembull
do t`u kishte pëshpëritur
Nikolla Teslla
shqip e jo serbisht
 
mendimet tuaja
janë urat midis shekujve
pa të cilat
asgjë nuk do të ishte
mu kështu
në glob
 
e ju duket
sikur çdo gjë u ka rrjedhur
drejtë e nëpër periudha
 
me gjuhën e panjohur
të materies.
 
3.
 
Ju e dini
çka përbijnë sytë tuaj
të njohin
të panjohurat e viteve
 
e ca thonë
se nuk keni logjikë të fortë
sa të dini
si aktivizohet syri i tretë
 
për të parë
vehten tuaj
e për ta shpëtuar
nga vrasjet elektronike.
 
4.
 
Djalli modern
është i përbërë
prej pjesëve më të imta të atomeve
 
për diobtrinë e syve
nuk futet pamja e paqëndrueshme
e të padukshmes
 
kurdoherë
mbetet diçka ireale
apo metafizike,
 
djajtë u shtyjnë
që të quheni me emra të rrejshëm
e të vriteni
nëpër gardat e pasakta
 
udhëheqeni më tutje
në intuiten mashtruese
 
dhe i përkrahni
pa fund e pa skaj
zotrat e rrejshëm…
 
5.
 
Të ndalemi pak
a doni të shkatërroni veten tuaj
të eksplodoni
në miliona thërmija të imta
 
të jepni shpirt
pas secilit mendim
nëpër vite,
 
por mos harroni
se po jetoni në botën e rrejshme
e jeni vetëm
fluskë e energjive!
 
 
 
SISTEMI I FJALËS
 
1.
 
Secili njeri
e ka sistemin e vet
të njohë
të vërtetën
 
e vërteta pjesëtohet
në njëmijë forma
 
sa vet njeriu.
 
2.
 
Secila kohë
e ka sistemin e vet
në të cilën ndahet
nëpër dekada
 
e dekada pjesëtohet
në dhjetra vite
për ta matur
n j e r ë z o r e n.
 
3.
 
Secila periudhë
e ka prapë sistemin tjetër
në miliona sisteme formash
 
forma lëviz nëpër mileniume
për të shpjeguar
pse është krijuar
Njeriu.
 
4.
 
Njeriu dallon nga forma
e formën e merr
më miliona mënyra
të ndryshme
 
fjala vie te fundi
e fundi kthehet në fillim
për të pasur
domethënie.
 
5.
 
Tani
kjo që keni në duar
është formë e persiatjes
 
dhe çdo gjë që thuhet
e që ju vet e gjëni
do t`i ngjajë të drejtës!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s