Poezi nga Miltiadh Davidhi
Familja është një
Atdhe i vogël
Familja është një Atdhe i vogël,
Që rritet brënda meje,
Një pemë me plotë degë e lule të bukura,
E ne këndojmë, herë si zogj të lumtur,
E herë, si zogj të mjerë, erës dhe qiellit,
Ku drita, që hyn në mëngjes
Është ëndrra e sapo zgjuar për ditën.
Familja është një Atdhe i vogël,
Që rritet me rrug’e ndërtesa,
E unë eci çdo ditë
Për të bërë realitet një ëndërr,
Ku synoj si mendim, a si lule të çelë,
E të shpërndaj aromën e saj dhe timen,
E të kujtoj një lodër të harruar diku,
Ende pa e ditur, se ku ka mbetur e shkuara
Prej fëmije e vet fëmijve të burrëruar.
Pjesë e saj janë dhe zërat, që vijnë
Dhe zërat, që ikin nga s’kanë më kthim,
Janë dhe disa varre qiparisash e drite,
Që më pikojnë në zemër pikëllim.
E kush qan për ta më me dhimbje,
E më bukur, se loti im?
Mëngjeseve e muzgjeve,
Ku qiejtë dashuri vesojnë,
E shkëlqen mbi mermer jeta e vdekja,
E perëndon perëndimi i kuq,
Si një premtim dite
Për një të nesërme të bukur,
E me më pak ikje,
Aty, do më gjeni me mall, aty,
Me shpresën e çelur si lule në sy.
Familja ime është një Atdhe i vogël,
Që rritet çdo ditë me shok’e miq,
Me diej, që ndriçojnë brenda nesh,
Me njerëz të gjallë e të vdekur,
Me lumenj, fusha, kodra e male,
Me ajër, erëra, re e vetëtima,
E qiej me e pa ylberë, që i marr me vete
Kudo, që shkoj, herë si gëzim,
E herë si dhimbje e ngrirë mbi mermer.
Dhe, meqënëse, pjesëtarët e Atdheut tim,
Janë të shpërndar si zogj yjesh,
Ndër qiej të largët,
E si degëza drite s’mund t’i kem me vete,
Netëve në krahët e tyre shkoj e i lumtur fle,
Deri në zgjim të ditës,
Me shpirtin plot zëra jete.
Si dielli ndez zjarre dhe ti
Si dielli që ndez zjarre nëpër ujë
Në detin e shpirtit flakëron dhe ti,
E theshtë e bukur dhe pa bujë
Ndez zjarre brënda meje plot ëmbëlsi.
E si shpirt i etur që ende prushëron
E le gjurmë të përflakura n’kaltërsi,
Më puthë kaq pran’e largë n’ëndërr shkon,
E kur duket se perëndon, shfaqesh përsëri.
E un’i mjeri, aty qaj e aty qesh,
Herë si një diell e herë si një yll,
I lumtur mes dritës i trishtuar mes resh,
Vrapoj si pas një fluture nëpër pyllë.
Ju vite që ikni si të ishit erë,
Më lini të vrapoj gjithë jetën pas saj,
Një rreze drite puth’e i marr erë
E në shpirt si relike të çmuar e mbaj.
Si dielli që ndez zjarre nëpër ujë
Në detin e shpirtit flakëron edhe ti,
E theshtë e bukur dhe pa bujë
Ndez zjarre brënda meje plot ëmbëlsi.
Dimër
Drurë pa gjethe, pa cicërima
Ajri e drite,
Si forma vetëtimash të djegura,
E të shuara në shi,
Lëshojnë hije të reduktuara,
Hije të gjymtuara,
E të palëvizshme,
Që si përfill më njeri.
Është koha kur kuptojmë
Në këtë jetë,
Se sa na mungon, e sa vlen
Gjethi i njomë,
E shpresa e blertë.