Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
 
DO TË VIJË NJË DITË
 
Do të vijë një ditë, e dashur, do të vijë
Kur qielli syve do zmadhohet si perëndim
Prandaj nxito të lundrojmë në dashuri,
Se vitet që ikin nuk njohin kthim!
 
Do vijë një ditë kur do flasim me yjet,
Dëshmitarët e puthjes tonë të parë
Zogjtë do këndojnë elegji nëpër pyje
Hëna e shpirtit do çmendet duke qarë.
 
Do vijnë së shpejti ca mote të tjerë,
Ngarkuar si male vetëm me dimër
Do kenë gjithçka, por jo pranverë,
Lotët e mallit do mbysin psherëtimën.
 
Do vijnë kujtimet e urta në radhë,
Veshur si hënë në një natë vjeshte
Do jenë si hiri i ftohtë, pa zjarr
Ne do i njohim nga gjurmët e jetës.
 
Do vijë një ditë, e dashur, do vijë,
Siç kanë ardhur për gjithë të tjerët
Por kush jeton këtë jetë me dashuri
E ka në shpirt përherë pranverën!
 
 
 
DHE TË DUA
 
Edhe të dua s’e ndryshoj dot botën,
As lindjen e diellit, as perëndimin
Ato janë punë që i dinë vetëm zotat
Unë di të kurdis veç orën e besimit.
 
Edhe të dua s’e rrëmbej dot hënën,
Helena e qiellit do të lindte një Trojë,
Homeri i verbër do të rindizte këngën
Legjenda ringrihet dhe bëhet me gojë.
 
Edhe të dua s’bëhem dot me flatra,
Shtegëtimet e mia janë vetëm në ëndërr
Aty fluturoj me psherëtima të vakëta
Aty edhe kënga bëhet më e ëmbël!
 
Edhe të dua,…oh, sa shumë dua
Të bëhem erë, të bëhem dhe zog!
T’u merrja yjeve buzëqeshje hua,
Por jam pa krah, s’fluturoj dot!
 
Ndaj po pres siç pret syri diellin,
Siç presin pemët vjeshtën e artë,
Shikoj perënditë që flasin me qiellin
Në detin e shpresës lundron një varkë!
 
 
 
PAS FATIT
(Për Ty)
 
Nëpër shkallët e kësaj jete po ndjek fatin me nxitim,
Diellin tash e kam pas shpine, sytë lidhur në perëndim
Fati para dhe unë pas, nuk pranon të më hap rrugë,
Gjysm’e jetës nëpër natë, gjysma tjetër s’di ku humb!
 
Unë po rend ndër humbëtira në kërkim të një kënge,
Herë më del vegimi yt, herë portreti i një ëndrre!
Shpirtin shkrova në pentagram-simfoni pa mbarim
Më ndriçon nëpër kryqëzime, herë djeg si vetëtimë.
 
Herë më qesh edhe më çmend, ma ndez diellin në sy,
Aq sa qielli, yjet, hëna, që të gjithë më ngjajnë si Ti.
Ti që zbrite një natë vere, ma zgjove sërish shpresën,
Ti, nga zjarri yt i zemrës më mbolle një zemër tjetër!
… … …
 
Fatin pyes, por s’më përgjigjet, ai di vetëm të rend
Unë – vagoni përmbi shina, pas i bindur do e ndjek.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s