Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
 
I TRISHTË KY VIT
 
Mbyllur brenda në kohë të trishta,
Me ca grimca malli, zënë në çark.
Po ti s’më mjafton në s’je e gjitha,
Unë s’të mjaftoj, mbetur kaq pak.
 
Ky vit, dashuritë i shqeu në mes,
Ndërsa në dritare lotojnë shelgjet.
Dhe syri i një hëne që veç qeshë,
Si fytyrë gruaje në çastin që jepet.
 
Një gjysmë hëne që na tallë të dy,
Se di të bëj dashuri dhe e pa plotë.
S’më duhet hëna, po ç’të bëj me ty,
Që po s’ishe e tëra, ndihesh bosh?!
 
Do dal në rrugë, do iki nëpër terr,
Të gjej grimcat, të të kthej si ishe.
Edhe sikur t’i gjej në burra të tjerë,
Po nuk është koha të flas pa lidhje.
 
Një tufë flokësh që s’i njoh, përbri,
Kreh me gishta hutuar nga ndrojtja.
Po sa kthehesh shfaqem unë dhe ti,
Tani je e plotë, është çasti ndoshta…!
 
 
 
TË KAM MËSUAR KEQ
 
Sikur një ditë të doja të ikja larg,
Dhe të ishim të ndarë veç e veç,
E di se do më ndaloj si një merak,
Fakti që unë të kam mësuar keq.
 
Të kam mësuar kafen ta bëj vetë,
Tej filxhanit të më shohësh mua.
Fryma ime aty, me avujt e nxehtë,
Të përqafohen, si burrë e si grua.
 
Të kam mësuar kur je me të tjerë,
Nëse s’jam unë e shtyn gotën tutje.
Jo se pretë të të nxisë të pish verë,
Po do që në gotë të të lë një puthje.
 
Të kam mësuar, kur je nën çarçaf,
Të shtrihet krejt zbuluar kurmi yt.
Se e di do kesh dorën time në qafë,
E do të mbuloj sa të mbyllësh sytë.
 
Të kam mësuar që sa herë bie shi,
Çohem, hap dritaren pa më thënë.
Po pa thënë, nis që të kërkoj tek ti,
Pikat e shiut që në pore kanë rënë.
 
Mund të iki e nuk përmbyset bota,
Po si do bësh ti që të mësova keq?!
Ti qesh e tëra:-Një tjetër ndoshta,
Stop! Në djall ikja! Ndarja në dreq!
 
 
 
Mos më hiqni nga të gjitha letrat
 
Kam frikë se kur të iki tek të parët,
E vdekja të më ketë futur kthetrat.
Ju që shpesh harroni dhe të gjallët,
Do më hiqni emrin nga gjithë letrat.
 
Jo se unë dua, të rri pafund me ju,
Si duan trutharët që thurin vjersha.
Po emrin ma mbani, shkruar diku,
Se nuk i dihet si do ju vijë e keqja.
 
Mos më hiqni nga çdo bllok e faturë,
A shënimet me borxhet për të tjerët.
Ku keni lënë peng një gardh, a mur,
Një fjalë që s’e mbajtët dot më herët.
 
Ku ëndrrat me shifra i ndatë në mes,
Ku në shifra keni kthyer dhe veten.
Mos më hiqni pra nga asnjë shkresë,
Se do vij, duke u tallur me vdekjen.
 
Nëse borxhlinjtë do presin te porta,
Më bëni një zë, e nuk ju lë në baltë.
S’vij t’u lodh me vargje e me strofa,
Po t’u shlyej borxhet në çdo qindarkë.
 
 
 
E DJESHMJA JUAJ, JENI VETË JU!
 
Ka kohë që dua të mbaj në supet e mi,
Të djeshmen tuaj, edhe ca më tepër.
Dhe pse të sotmen ma kapët në pusi,
Nuk ju shoh dot, si një makth i vjetër.
 
E për t’i prerë me të, të gjitha lidhjet,
Hidhni dhe mbi mua, gurë e hithra.
S’ka problem se m’i shtoni dhimbjet,
Unë do duroj, t’ju shpëtoj nga e liga.
 
Kur përfundimisht të ndaheni prej saj,
Harroni bashkë me të, edhe të gjallin.
Nëse ju pyesin për të djeshmen, pastaj,
Thoni shkurt:-Nuk ia dimë as varrin!
 
Po tani, tani që për ju, nuk ka më “dje”,
Pse qëlloni ende, ç’dreq ju ka gjetur!?
Kush ka mbetur pa u mbuluar me dhè,
Pse ky trill për të vrarë një të vdekur!?
 
Ka kohë që nga plumbat tuaj, kuturu,
Unë varros e varros, pjesë nga vetja.
Të djeshmen tuaj, se ndava dot nga ju,
Ajo që vrisni, nuk është e djeshmja!
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s