Poezi nga Vullnet Mato

 
Poezi nga Vullnet Mato
 
 
 
VIZITORI I PËRMALLUAR
 
Ika në moshën e bardhë, nga qyteti i lindjes
dhe sa herë kthehem aty, ndjehem djalosh.
Dua të hy në det pa aguar, bashkë me xhindet,
të numëroj si dikur, sa peshq kanë hyrë në kosh.
 
Të mbaj frymën, pesëdhjetë metra nën ujë,
të shoh ku përgjumet oktapodhi i fshehtë,
kur zemra të më godasë gjoksin, me bujë,
të dal mbi sipërfaqe, si delfin i vërtetë…
 
Harroj vitet që shkuan dhe dua sërish,
t’i shkruaj gjithë muret me thëngjill të zi:
“Do bëhem shofer, do bëhem artist!”,
duke ëndërruar shpesh, fluturime në liri.
 
Në mbrëmje të vë kokën, te gjoksi i nënës,
ku mbështeteshim shtatë fëmijët pas buke.
Ajo të na lëmojë kryet, nën dritën e Hënës,
si qenie mitologjike me shtatë kokë mbi supe.
 
Dua të mbledh shokët e parë, të moshës,
t’i biem me not gjysmëhënës blu të qytetit,
pastaj para djemve dhe vajzave të shkollës,
kush del i pari, ta shpallim “Dashin e detit”;
 
Të ulem në murin e shëtitores, buzë dallgëve,
me një fletore vizatimi dhe me lapsin e zi,
të vizatoj saktësisht fytyrat e kureshtarëve
dhe t’u zmadhoj të vdekurit, për në shtëpi.
 
Të ndjek i mahnitur, varganin me vaporët,
sikur parakalojnë rreth Korfuzit, ishujt e botës
dhe soditja të më rrëmbejë, pa i ndjerë orët,
kur vargu poetik më ngjallte frymëzim joshës.
 
Të shkoj natën te Rita, nën degët e fikut,
ta puth i limaksur, sikur më ndjek hataja.
Ajo të më mbajë dorën, te fija e llastikut:
“Aman, mos m’i hiq, se më rreh mamaja!”
 
Dhe me nxitim dashurie, t’i them në këmbë:
“Mos ki frikë, moj shpirt, derisa ke mua!
Sa të zgjatem edhe pak, ndonjë pëllëmbë,
do vij te shtëpia jote, të kërkoj për grua!…”
 
Por kur shoh veten, në ndonjë xham vitrine,
përfytyrimet më kthehen, në realitetin konkret,
kujtohem se ujërat nuk kthehen më në burime,
dhe mbetem vizitor i përmalluar për këtë qytet…
 
 
 
AKORDOJ KITARAT E ZEMRAVE
 
Nuk jam muzikant, por me çelësat e frymës sime,
akordoj kitarat e zemra, nga lindja në perëndim.
Kur dëgjoni kitarat e muzgjeve me purpurime,
notat e shtatë telave, kanë dridhmat e zërit tim.
 
Fryn erë e rebeluar, me klithmat e vajzërisë,
këput telat e kitarave, të dashurive mbrëmësore.
Unë i zëvendësoj me tinguj, nga rënkimet e dhembshurisë,
duke shtrënguar telat, me çelësat e dashurisë sime rinore.
 
Tani s’ka priftërinj sakrifikimi, si idili i Shën Valentinit,
por Ofeli e Zhulieta shqiptare, me tela brenda zemrave,
që vriten për një puthje, në kulmin e ngazëllimit,
kur topuzi i daulleve fanatike, godet ndjesitë e femrave.
 
Përgjaken telat e kitarave, në perëndim të kohës së vjetër,
kur jehojnë melodi të reja me cicërime nga zogëzat e blerimit.
Se ndodh në strofkat e shpellave, rizgjohen arinjtë e verbër,
që duan të kthejnë vaje lahutash, nga patriarku i Dukagjinit.
 
O turp i turpeve, se dhe kanuni shmangte përgjakjen femërore!
Ah, për ju, o shpirtkëputura fatkeqe, do akordoj kitara përjetësisht,
derisa këngët e zemrave rinore, të paralizojnë kthetrat gjakësore,
që puthjet e çiltra të kohës sonë, të mos martirizohen mizorisht!…
 
 
 
NËN FUSTANIN ME PALA
 
Tjetër perri, si ajo, s’kam parë,
as nuk besoj të shoh më kurrë.
Për atë marrosej çdo djalë,
çmendej keqas dhe çdo burrë…
 
Këndonte më ëmbël, se kanarina,
kur e dehja me tinguj fizarmonike.
Zëri saj, ma bënte zemrën me vrima,
sytë e mi, i bënin buzëve rreze drite.
 
Kur tundte fustanin e hollë me pala,
në gji i kërcenin, dy kokrra dardhë,
kur trupin e hajthëm dridhte si ngjala,
zbulonte kërcinj topolak, të bardhë.
 
E shoqërova në rrugë pylli, të ngushtë,
kur ktheheshim nga aktivitet kulture.
Papritur një re, e bëri pyllin me muzg,
ajo u tremb, më hodhi krahun mbi supe.
 
Befas aroma vajzërore, më tërbojë,
m’u rrëqeth me dridhma gjithë trupi,
lëngjet m’u thanë brenda në gojë
dhe s’kuptova, e putha apo më puthi.
 
Ajo ndjeu dobësi dhe zura ta shtri,
ku bari jeshilonte, hijesh nën drurë.
Të shijoja nektarin, tek një perri,
rast tjetër, s’do më vinte më kurrë.
 
Fryma femërore, më ndezi pishtarin,
dhe më nxehu gjakun, në çdo qelizë,
sikur edhe në grykë, të kisha litarin,
do flakëroja vatrën e saj të ndjesisë.
 
Kur tulin e kofshëve, kisha zbuluar,
oh, vezullimi i tyre, më verboi sytë,
fillova t’i puth, gati për t’i kafshuar,
të shuaja urinë e madhe të djalërisë.
 
Se kurthi i seksit, që krijoi natyra,
për të shtuar specien e njerëzimit,
bëhet ndër grackat, më e vështira,
të shpëtojë prej saj, edhe më trimi.
 
Pa hequr fustanin e hollë vajzëror,
shkova, ku kish shkuar vetëm zoti.
Por vura re, i frikej aktit zhvirgjëror,
se i rrëshqitën faqeve, ca pika loti…
 
Ndonëse mëkat i përbashkët dëshire,
s’mund të veproja, kur ajo qante lotuar.
Duhej të isha, me shpirt prej egërsire,
epshin me rrëke lotësh, për ta shuar…
 
M’u dhimbs se ishte, si e kish bërë nëna
dhe u stepa me keqardhje dridhmëtare.
Ndoshta, fizarmonika ime dhe kënga,
bënin të jepej pa rezistuar, ajo këngëtare.
 
Kuptova, drenusha aty kish rënë në lak
dhe me dy-tri thika në zemër… E fala!…
Të niseshim për udhë, u çova pas pak,
duke i ulur mbi gjunjë, fustanin me pala.
 
Ecëm përkrah, dehur me verë mushti,
daullet në gjoks, më bubulonin heshtur.
Vura re, se dhe gjinjtë e saj, sa grushti,
brofnin si dy zogj, mes gjoksit fshehur.
 
Në ato çaste, gjendja shpirtërore e secilit,
mund të kuptohet qartë, duke imagjinuar,
tigrin me drenushën, të rendur mes pyllit,
çfarë ndjejnë, kur nga kthetrat ka shpëtuar.
 
Pas martese me një burrë, që s’e kish falur,
kur më sheh larg, nënqesh me nënkuptim.
S’e kuptoj dot, atë shprehje, të ringjallur,
ajo e ka mirënjohje, tallje, apo pendim?!…
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s