Poezi nga Babeta Rexhepi
PA TITULL
Në vendin tim të vrasin me heshtje,
pa bërë luftë, apo bujë,
herë të fshehur nën një buzëqeshje,
herë duke mos të vlerësuar kurrë.
Në vendin tim, je thjesht “Hije”
një numër më shumë, në gjithësi,
që i mësohet emri vetëm në ikje,
kur interesat e tua, nuk cënojnë njeri.
Në vendin tim dhe Shqiponjat shuhen,
kohërat ngatërrohen, si të marra,
në kafene zgjidhen hallet e gatuhen
e në politike thuhen veç pallavra.
Gjithçka ndodh në vendin tim,
vetëm për njeriun, s’bëhet asgjë,
mbetet vetmitar i përjetshëm në udhëtim,
një histori e shkruar, pa titull mbi të…
VERBËRI NDJENJASH
Ti, heshtjen nuk ma kupton
a buzëqeshjen vijëzuar në buzë
më afrohesh ngadalë, më shtrëngon
më ledhaton gjatë në gushë
Si në një skenar të mirë mësuar
lëviz në rolin tënd prej burri
dhe unë si grua e përbetuar
pi me gllënka, vetmi guri
E, Jeta ikën më së miri
me heshtje, puthje dhe vetmi
ndoshta një ditë, tek një cep syri
do e ndjesh dhimbjen dhe ti.