Cikël poetik nga Nehat Jahiu

 
Cikël poetik nga Nehat Jahiu
 
 
DERISA TË JEM GJALLË
 
Çfarë ka sot shpirti që më shpërthen si vullkan
Asgjë nuk më pëlqen që unë këtu kam
Dielli e hëna nuk më bëjnë dritë
Nuk mund ta shoh kur është natë a ditë…
 
Për çdo natë në ëndërr më del përpara livadhi
Më digjet zemra, sa shumë më ka marrë malli
Gurgullimën kur e dëgjoj atje larg tek lumi
Para syve për çdo natë më del i bukur katundi.
 
Ëndrrat i shoh duke cicëruar diku në Çabrat
E unë deri kur, këtë dashuri nuk po e kam ngat
Dashurinë që dua ta ndiej në shpirt, ta shoh me sy
Vend më të bukur nuk ka askund vendlindje se ti.
 
Dua ta prek vendindje, ballin tënd me rrudha
Të përqafoj unë mërgimtari me mall nga udha
Që nga nga ajo ditë që ika atje larg në mërgim
Flakë më është djegur edhe ky shpirti im.
 
 
 
NË PREHRIN TËND
 
Unë gjendem diku larg në vend të huaj
Këtu në mërgim ku aq shumë po vuaj
Të shtrenjtin atdhe e kam larg në mërgim
Ku më digjet si flakë ky shpirti im.
 
Vendlindja sa shumë këtu më trishton
Edhe pse mua birin e saj kurrë s’e harron
Sa herë, o ATDHE mendoj unë për ty
Dua të kthehem në prehrin tënd përsëri
 
Dua të kthehem tek ti, o atdheu im i bukur
Se qysh nga fëmijëria shumë të kam dashur
Dua të kthehem përsëri tek ti, o vendi im
Vetëm atje do shërohen plagët e shpirtit tim.
 
 
 
NË VEND TË HUAJ
 
Tërë këto vite në mërgim qëndrova
Dashurinë e vendlindjes nuk e shijova
Larg vendlindjes gjithnjë i mërguar
Larg dashurisë së atdheut i larguar.
 
Në vend të huaj gjithnjë i brengosur
Si një zog në krahëror i plagosur
Lotët më pikuan si ditënetët me shi
Duke qarë vendlindje vetëm për ty.
 
Sa shumë më munduan mua të shkretit
Këto vite të rënda të kurbetit
Jeta më kaloi gjithnjë rrugëve të gjata
Nuk e kuptova pse më ndiqte nata.
 
Shpirtin ma rrëmbeu ky mërgim
Ajo ditë kur u largova nga vendi im
Plagë e pashëruar për mua ishte kurbeti
Diku larg e më larg vendlindjes më treti.
 
 
 
NJË GRUSHT DHE…
 
Me mall dashurie një grusht dhe shtrëngove
Atë ditë kur nga vendlindja u largove
Në një rrugë të gjatë u nise dhe shkove
Me mall e dashuri atdheun seç e shikove.
 
Me zemër të thyer e shpirt të plagosur
Me pranga në duar si një i burgosur
Të përcolli, nëna e përlotur deri tek dera
E humbi hijeshinë e bukura jonë pranvera.
 
Ishte shumë e brengosur nëna, për ty
E lotët i rridhnin si pika shiu në sy
Kur të përcolli në shtegtim të udhës
U bë e fortë që loti mos t’i dalë prej vetes.
 
Atë mbrëmje ndriçimi iu ndal edhe hënës
Kur i shikonte në sy lotët e nënës
Shpirti i përplasej si dallgët e detit
Mallkonte e mjera nënë, rrugën e kurbetit
 
 
 
SA ËNDRRA…
 
Nuk e di as vetë sa shpesh kam ëndërruar
Që kur nga vendlindja unë jam larguar
Sa e sa herë e kam parë ëndërr ”Përzhalin”
Tërë natën ngopesha duke e hequr mallin.
 
Sa shumë më dhimbsen fshatrat kur boshatisen
Kur fëmijët shkollat përditë i braktisën
Ato ara të bukura në fusha po mbesin djerrina
Malet pa lisa po mbesin nëpër lëndina.
 
Eh, shqiptarë sa shumë larg po arratiseni
Trojet tuaja të zbrazura po i lini
Sa e sa shtëpi janë mbyllur me dry
Sa të rinj, të merr malli t’i shohësh me sy.
 
Aty këtu dëgjohet një zë plaku e një zë plake
Në shtëpi të merr malli të shohësh tymin në oxhaqe
Të merr malli të dëgjosh nëpër male blegërima
Të shohësh, dele e qengja aty ku kullot bagëtia.
 
Të merr malli të dëgjosh si dikur gumzhijnë
Ujqit tani mund t’i dëgjosh se si ulërijnë
Të merr malli për dasmat që bëheshin në konaqe
E tymi që dilte në mëngjes si fjolla bore në oxhaqe.
 
Ky është, o vëllezër shqiptarë i quajturi kurbeti
Që na largoi nga atdheu e gjithkund na treti
Nëpër vende të huaja seç jemi duke u larguar
Në fshatra shtëpitë pa njerëz janë duke u rrënuar.
 
 
 
TEK VARRI IM TË MË KËNDOSH
 
Tek ti më shkon mendja kur agon dita
Kur në pranverë këndojnë të bukurit bilbila
Shpirtërisht mallëngjehem pse këtu kam mbet
E gjithë jeta ime më kaloi larg në kurbet.
 
Këngën bilbili shqip në atdhe kur e këndon
Edhe neve mërgimtarëve na përkujton
Këndon bilbili atje në fushë, ku kam lindur unë
Atje ku të gjithë atë vend e duam aq shumë.
 
Thuaja këngës bilbil edhe për mua në mërgim
Se atje ku po këndon ti është edhe vendi im
Këndoma këngën time të një shtegtari
Të mërgimtarit që në dhe të huaj e djeg malli.
 
Thuaja bilbil e le të jehojë kënga shpat më shpat
Se unë kurrë në këtë vend nuk kam pushuar rehat
Sa herë ta kam dëgjuar bilbil këngën tënde atje
Lotët më pikonin prej syve se edhe unë atje kam le.
 
Ah, bilbil atë këngë që në atdhe je duke e kënduar
Mallin për vendlindjen më shumë je duke ma shtuar
Të fala po të bëj bilbil e kurrë të mos më harrosh
Pasi të vdes tek varri im në atdhe, eja të më këndosh.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s