Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
 
NËSE NJË DITË
 
Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
Nën ombrellën time ka vend përherë
Aty do e gjesh gjithë hirin e kujtimit,
Shpirtin tim muzeum me pranverë!
 
Nëse një ditë do të duhet një urë,
Të kalosh pa frikë urën e dilemës,
Mos u mundo, varkë bëhem unë
Gjoksi i ndezur shkrinë ajzbergët.
 
Nëse një ditë do të humbas kënga
Trokit tek muza ime e vjetër
Veç, të lutem, mos m’i zgjuaj ëndrrat,
E vetmja pasuri që më ka mbetur!
 
Nëse një ditë do të duhet një qiell,
I pastër si loti yt kristal,
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
Për ty do e le jetim atë varr!
 
 
 
KËMBËPENGUAR
 
Eh, gomari im i mjerë,
S’të mjaftonin plagët e samarit,
Shkopi i thantë s’tu nda një herë,
Me nyjet si gurë të priste ltari.
 
Të kishim të vetmin e shtëpisë:
Kà, kal, argat dhe gomar
E shpuar trasta jote e tagjisë,
Më shumë haje gjemba se bar.
 
Thundrat t’u çanë ndër gurë,
Më dhembte shpirti për ty
Në kasolle nuk fjete kurrë,
Qiellin e shurdhër kishe çati!
 
Në fud të fundit ti ishe gomar,
Im At nuk e dinte që koka jote,
Emblemë e një flamuri amerikan
Atje ku mbillen ëndrrat e botës!
 
Edhe Napoleoni i nderonte gomarët,
Kur çante rrethimet e egra të luftës
I vinte në mes, bashkë me shkencëtarët
Dhe nuk pyeste për kuajt e për mushkat!
 
Im At s’i dinte të gjitha këto,
Por edhe t’i dinte ç’do bënte i gjori!
S’të pa në flamur, as në Vaterlo,
Këmbëpenguar në fund të oborrit!
 
 
 
HËNA IME
 
Kaq kohë pa u çmallur,
pa u rrëfyer njeri- tjetrit,
ti për zjarrin e shpirtit
unë për plagët e poetit!
Ku je hëna ime?
 
Më parë takoheshim shpesh,
tani ka shumë re të errëta që natëzojnë ditët.
Ti, që ke bekimin e diellit.
ndoshta ke folur me Zotin
për këngën time të përlotur,
dhe për dhimbjet e kësaj bote të lodhur.
 
Hëna ime!
E bukur si ëndërr në natën e altarit,
herë më shfaqesh si disk
herë me vello të artë,
pa ty dhe dita do ishte natë!
Oh, po më çahet kraharori
nga një brengë e vjetër si rrënjë lisi
vaditur me lotët e shpresës
ngjyer në rrezet e tua qumështore!
 
Ulmi pak shkallët të ngjitem vetëm një çast,
se s’dua të na shikojnë yjet xheloz,
kur të tregoj për këngën e re,
për kohët e munguara, për të nesërmen,
edhe për dritën e ëndërruar.
 
Thonë se tek Ti s’ka jetë!
Po dashuritë tona, këngët e besës,
lotët e pendimit, qelat e rrëfimit,
lutjet e shpresë…,
po udhët për nesër?
Tek ti, hëna ime,
e munduara ime e mirë,
brinja e shkulur nga gjoksi i Tokës,
mbjell në qiell si muzë për dashurinë!
 
Është fundviti, hëna ime,
me plagë të mëdha globi
dhe me më pak besë e dashuri,
të tjerat aty kanë qenë
dhe do të jenë të gjitha, aty!
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s